Armet, zbulohet baza e lazaratasve

August 15, 2008 nga admin  
Kategoria:  Aktualitet

Vleresimi: 12345(0 vota)
(24 shikime)

Breshëritë e plumbave të mitralozave të kalibrit 12.7 dhe të automatikëve kallashnikov të shkrehura nga lartësitë e kodrave të Lazaratit, që kanë nisur të dëgjohen prej disa javësh, ditët e fundit po shtohen përditë e më shumë, me synimin e qartë për të trembur dhe larguar policinë nga kontrolli, për shkak të afrimit të momentit të vjeljes së bimëve narkotike. Krismat që dëgjohen përnatë e më shumë, për shkak të afërsisë me qytetin, rrezikojnë seriozisht banorët e dy lagjeve periferike, “Manalat” dhe “Zinxhira”, të qytetit të Gjirokastrës. Banorët e këtyre lagjeve kanë reaguar përsëri dje, duke denoncuar me telefon në zyrën operative të policisë, pasi gjatë orëve të mbrëmjes dhe natës së dy ditëve të fundit, krismat kanë qenë aq të shpeshta saqë breshëritë kanë ngjallur tmerr dhe panik jo vetëm për shkak të zhurmës tmerruese të krismave, por edhe sepse në disa raste predhat dhe plumbat kanë rënë mbi muret e shtëpive, çatitë dhe dritaret e shtëpive.

Ndërkohë që të shtënat e pakontrolluara të lëshuara nga armë e zjarrit në pika të ndryshme të kodrave të fshatit Lazarat janë bërë tashmë të padurueshme për banorët e pjesës jugore të Gjirokastrës, policia bëri të ditur dje se ka mundur të sekuestrojë një arsenal të madh municionesh për armë automatike, mitraljerë, granata dhe predha antitank. Me anë të një komunikate të Drejtorisë së Policisë së Qarkut, bëhet e ditur se: “Agjentët e policisë kriminale të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për një sasi të madhe municionesh të fshehura në një tunel, mundën që më datë 14.08.2008, rreth orës 09:30, në bashkëpunim me specialistët e armatim-municioneve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë ushtruar një kontroll në tunelet e ish-repartit ushtarak, ish-Brigada e 5-të, në vendin e quajtur Leknjas dhe pas këtij operacioni kanë mundur që në brendësi të njërit prej këtyre tuneleve të gjejnë dhe sekuestrojnë një sasi të madhe municionesh luftarake shumë të rrezikshme”.

Në tunelin që ndodhet vetëm disa qindra metra larg pikës nga ku kryhen qitjet e pakontrolluara, gjatë natës policia sekuestroi: 10 arka druri me nga 4 predha kundërtank, model 69, gjithsej 40 copë predha, 10 arka të tjera me nga 20 copë granata difensive, gjithsej 200 copë granata, 10 arka druri, në të cilat kishte nga 2 kuti metalike ku gjendeshin 10 800 copë fishekë luftarakë model 56, 20 kuti plastike me nga 10 ndezës të këtyre granatave, gjithsej 200 copë ndezësish, si dhe 12 krehëra të mbushur me fishekë 380 të modelit 56.

Reagimi i policisë për të asgjësuar “bazën e municioneve” të grupeve që bëjnë qitje të pakontrolluar në mënyrë të përnatshme dhe që kanë shkaktuar tmerr mes banorëve të “Manalatit” dhe “Zinxhirave” është bërë pas ankesave të përsëritura të këtyre banorëve, që orët e gjumit të natës i bëjnë nën breshëritë dhe krismat që janë shtuar ditët e fundit.

Disa plumba “qorr”, të lëshuar nga kodrat e Lazaratit, kanë bërë rikoshet dhe janë përplasur mbi muret e disa pallateve dhe banesave private në lagjen “Zinxhira” të Gjirokastrës, fare pranë fshatit Lazarat, duke shkaktuar tmerr te këta banorët.

Historia e krismave përsëritet në mënyrë të përvitshme

E njëjta situatë krismash të pakontrolluara dhe pasigurie për banorët e lagjeve periferike të Gjirokastrës ka mbretëruar në të njëjtën periudhë gjatë këtyre dy-tri viteve të fundit. Dy vjet më parë, një plumb i vetëm “qorr”, lëshuar nga i njëjti pozicion zjarri ka plagosur njëkohësisht dy persona në oborrin e shtëpisë së familjes Sina në lagjen “Manalat” të Gjirokastrës gjatë kohës kur 2-3 kilometra larg tyre policia vazhdonte operacionet për asgjësimin e bimëve narkotike të mbjella ilegalisht në Lazarat.

Ndërsa një vit më parë, sipas dëshmitarëve që bënë një denoncim tek autoritetet policore të Gjirokastrës, pas një ndërprerjeje të energjisë elektrike, në murin e banesës së 35-vjeçarit M.Dudumi, u shkreh në breshëri plumbash mitralozi që tmerruan 5 pjesëtarët e familjes së tij. Ashtu si një vit më parë, tregon ai, “fëmijët i kemi vendosur nga krahu tjetër i shtëpisë për të shmangur ndonjë ngjarje të rëndë nga ndonjë plumb rikoshet, siç ndodhi një vit më parë”, shprehet kryefamiljari Dudumi. Banorët e kësaj pjese të qytetit thonë se në këtë periudhë vazhdimisht dëgjohen krisma dhe se ata janë të detyruar të flenë nën tmerrin e krismave të armëve të zjarrit të ardhura nga kodrat e Lazaratit. Ata shprehen skeptikë në efektivitetin e operacioneve të policisë për të frenuar këtë fenomen, që për këto familje bëhet i papërballueshëm në mënyrë të përvitshme në këtë sezon, kur pjekuria e bimëve narkotike ka arritur kulmin dhe vjen koha për ta mbledhur.

Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, në komunikatën e djeshme të sekuestrimit të municioneve, në afërsi të Lazaratit, u bën thirrje edhe njëherë komunitetit të banorëve që të bashkëpunojë me policinë për evidentimin dhe grumbullimin e të gjithë municioneve luftarake të mbetura që prej vitit 1997, pasi këto municione janë një rrezik potencial për jetën e banorëve.

Armatimi i gjetur gjithsej ishte

40 predha kundërtank model 69

200 granata dore mbrojtëse (difensive)

11.180 copë fishekë luftarak model 56

200 copë ndezësish të këtyre granatave

12 krehëra fishekësh model 56

Burimi: Gazeta Shqip


bookmark bookmark bookmark bookmark bookmark bookmark bookmark bookmark bookmark bookmark