Mbesa e ministrit, sherr me Ingrid Gjonin
Dy personazhe VIP janë bërë objekt i një sherri në një nga pub-et e Tiranës, ku ishin duke festuar me miqtë e tyre. Një provokim i momentit ka mjaftuar dhe dy grupet që shoqëronin vajzat e reja, Xhesika Mustafa dhe Ingrid Gjoni, janë përleshur, duke sjellë ndërhyrjen e policisë për qetësuar gjakrat. Ngjarja ka ndodhur rreth një javë më parë, ku policia ka bërë shoqërimin e njërës prej vajzave, e cila nuk ka kryer ndonjë denoncim ndaj “rivales”. Burimet policore shpjegojnë se ngjarja ka ndodhur rreth dhjetë ditë më parë, në një nga pub-et e zonës së ish-Bllokut në Tiranë, ku dy grupet po kalonin orët e natës. Xhesika Mustafa është ankuar për ngacmime nga ana e shoqëruesve të Ingrid Gjonit dhe kaq ka mjaftuar që të plasë sherri. Me gjithë ndërhyrjen e truprojave të lokalit, konflikti nuk është shuar, kështu që janë njoftuar uniformat blu të Komisariatit nr. 2. Me të mbërritur aty, punonjësit e policisë kanë shuar konfliktin, ndërkohë që janë urdhëruar të shoqërojnë protagonistët. Por, në gjendje të dehur, vajza 19-vjeçare, Xhesika Mustafa, ka reaguar ashpër ndaj policisë, duke u prezantuar si mbesa e një ministri të njohur të kabinetit “Berisha”. Ajo ka kërcënuar se do t‘i pushonte nga puna punonjësit e policisë, sapo t‘i bënte një telefonatë dajës së tij. Megjithatë, ajo është shoqëruar në polici, ku ka bërë edhe një deklaratë mbi këtë konflikt. Për më tepër, policia shpjegon se dy grupet e sherrit ishin në gjendje të dehur, kështu që vajza e re është mbajtur për disa orë në komisariat. Ajo ka pretenduar se shoqëruesit e Ingrid Gjonit e kishin ngacmuar seksualisht. Me veshje ekstravagante, ajo ka kaluar të gjithë natën në qeli, megjithatë nuk ka pranuar të denoncojë. Sipas policisë, personi që pretendohej se e kishte ngacmuar 19-vjeçaren, është larguar nga vendi i ngjarjes.
Burimi: Gazeta Shqip




