Moska i kunderpergjigjet Berishes
Replikat Tiranë-Moskë kanë vazhduar me anë të një reaksioni zinxhir pas akuzës së shefit të shtabit të ushtrisë ruse dhe kundërpërgjigjes së Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. Një ditë pas deklaratës së Berishës, Moska ka reaguar me gojën e ambasadorit të saj në Tiranë, Aleksandër Prishchepov, i cili me një gjuhë diplomatike ka goditur kreun e qeverisë shqiptare. Diplomati kryesor i Moskës zyrtare në Shqipëri, Prishchepov, pasi i ka cilësuar si “emocionale” deklaratat e Berishës, theksoi se në Gjeorgji janë gjetur armë dhe municione të prodhimit shqiptar. Duke përdorur gjuhën diplomatike, ambasadori Prishchepov tha se nuk kam dijeni nëse Shqipëria i ka shitur armë Gjeorgjisë dhe shtoi se këtë e ka mësuar nga media shqiptare, por nga ana tjetër, diplomati rus deklaroi se “ushtria e kuqe” kishte gjetur në territorin gjeorgjian armë dhe municione të prodhimit shqiptar. Duke folur nga selia e re diplomatike e Moskës në kryeqytetin shqiptar, e cila ndodhet fare afër asaj të Serbisë, si dhe ambasadës së Kosovës, Prishchepov ka përdorur një ironi të hollë diplomatike, kur theksoi se “shitja e armëve nuk përbën vepër penale. Në konferencën e djeshme për shtyp, Prishchepov ka përsëritur disa herë që Rusia nuk e ka akuzuar Shqipërinë për shitje armësh. Ambasadori, Aleksandër Prishchepov, theksoi se marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve nuk kanë ndryshuar dhe për këtë ka kërkuar takim me Presidentin Topi dhe Kryeministrin Sali Berisha. Diplomati rus, edhe pse nuk pranoi të komentojë deklaratën e Kryeministrit Berisha, theksoi se “reagimet e Tiranës për këtë çështje kanë qenë emocionale”. Ndërkaq, i pyetur për pavarësinë e Kosovës ai u përgjigj: “A nuk e keni thënë ju vetë që Kosova është rast unikal, apo jo?” Nëpërmjet kësaj konference, ambasadori Prishchepov informoi median shqiptare lidhur me “shtrembërimet”, sipas tij, “të përcjelljes së konfliktit me Gjeorgjinë nga mediat ndërkombëtare për shkak të largësisë nga rajoni i këtij konflikti”.
Po dje, thuajse në të njëjtën gjatësi vale me kolegun e tij të Tiranës, ka dalë në një konferencë shtypi edhe ambasadori i Rusisë në Maqedoni, Vladimir Solocinski, i cili tha se “qeveria e Maqedonisë nuk ka lidhje me shitjen e armëve. Për furnizime me armë të Gjeorgjisë dhe krijimin e një arsenali ofensiv përgjegjës janë SHBA-të dhe Ukraina, ndërsa nga Gjermania janë kontrabanduar armët”. Ambasadori rus në Shkup kërkoi që Maqedonia ta njohë pavarësinë e Osetisë Jugore dhe të Abkhazisë. Ai njoftoi se Rusia ka vendosur ndërprerjen e të gjitha programeve për bashkëpunim me Aleancën e Atlantikut Verior, ndërsa është bllokuar edhe pjesëmarrja në misionet paqësore, duke përjashtuar mbështetjen logjistike të Aleancës në Afganistan.
Burimi: Gazeta Shqip















