Kalon Dinamo, titulli vendoset ne javen e fundit
Ashtu si pritej, Dinamo kalon pa probleme në Shkodër. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja fiton 3-0 përballë formacionit të sajuar të Vllaznisë, ku trajneri Dervish Haxhiosmanoviç kishte bërë një miks titullarësh dhe rezervash. Tri pikët e dinamovitëve ishin parathënë që prej fillimit të javës: kundërshtarët nuk do të luanin me ekipin më të mirë për të shlyer borxhin e gjysmëfinales së Kupës, ku kryeqytetasit në mënyrë të turpshme nuk janë impenjuar. Por, pjesë e paktit për t‘u lënë bluve fitoren e lehtë ishte edhe kroati Pero Pejiç. Në mënyrë misterioze, lojtari që renditet i dyti në klasifikimin për golashënues me 18 gola, nuk është aktivizuar për asnjë minutë në “Loro Boriçi”.
Shpjegimi është i thjeshtë: gjithçka lidhej me faktin që sulmuesi i dinamovitëve mos të marrë “Këpucën e Artë”. Ai ka shënuar vetëm 2 gola më pak se shkodrani Vioresin Sinani, sezoni i të cilit ka përfunduar për shkak dëmtimi dhe në një ndeshje të rregulluar në tavolina nuk duhej t‘i jepej mundësia të shënonte. Ndërkohë, për Vllazninë kapiteni Grima ka qëndruar pushim dhe në vend të tij është aktivizuar Bishani. Elvin Beqiri starton për herë të parë si titullar që prej rikthimit te kuqeblutë, ndërsa në sulm, përkrah dyshes titullare Kaçi-Sukaj, luajti i riu Raboshta.
90-minutëshi pa interes ka sjellë edhe injorimin e tifozëve (në vitet e kaluara sfidat me Dinamon e mbushnin stadiumin në Shkodër), pasi vetëm 200 prej tyre kishin marrë mundimin të shkonin në stadium. Takimi fillon me vendasit në sulm, por tentativat e Sukajt nuk përfundojnë në rrjetë. Dinamo nga ana e saj reagon me dy raste për shënim të Pemës, i cili nuk gjen goditjen fatlume. Pjesa e parë është mjaft e luftuar dhe me raste nga të dyja krahët: në të 29-ën Kotorri reagon në mënyrë të shkëlqyer pas gjuajtjes së Sukajt, ndërsa në kundërsulmin e menjëhershëm të miqve, tentativa potente e Pishës nga 25 metra sjell vetëm drithërima. Përpara mbylljes së pjesës së parë është portieri Bishani ai që frenon gjuajtjet e dinamovitëve, duke frenuar fillimisht Vinsentiç dhe më pas Pemën. Dinamo zhbllokon rezultatin vetëm 8 minuta pas fillimit të fraksionit të dytë me Ishkën, që shfrytëzon harkimin e të sapofuturit Bodrusiç. Në të 85-ën është Pema ai që dyfishon shifrat: sulmuesi shmang dy mbrojtës dhe më pas e dërgon sferën në rrjetë. Pasi ka siguruar fitoren virtuale, Ilir Daja largon nga fusha Poçin dhe Pollozhanin, duke shpresuar që dy titullarët të jenë të freskët për përballjen e së shtunës me Partizanin. Ndërkohë që deri në fund të ndeshjes kishte kohë edhe për golin e të riut Daja. I aktivizuar si zëvendësues, në minutën e 87-të ai shënon rrjetën e tretë për Dinamon dhe të parën si profesionist.
Burimi: Gazeta Shqip



