Vrasja e trete ne familjen Saliu, vdes djali i fundit
Hakmarrja mes bandave rivale të Lul Berishës dhe Klodian Saliut merr një tjetër jetë. Ndonëse rivalët kanë përfunduar njëri në pranga dhe tjetri i vrarë prej 3 vjetësh, ajo që i ndan dy grupet kriminale të Spitallës, që dikur ishin një, vazhdon të mbetet e fortë dhe kërcënuese.
Arjan Saliu është ekzekutuar me disa plumba të derdhur breshëri mbi të mbrëmjen e kaluar. Viktima ka qenë i dënuar në shtetin fqinj, Itali, për trafik lëndësh narkotike dhe prej pak kohësh ndodhej në Shqipëri, pranë familjes. Ai është djali i tretë i familjes Saliu nga Spitalla, që humb jetën brenda tre viteve të fundit. Mbrëmjen e djeshme është përgjakur kështu me një atentat të tipit mafioz, në fillim të muajit të shenjtë të Ramazanit, në Durrës.
Vëllai i rivalit kryesor të Lul Berishës është ekzekutuar me armë automatike në një nga lagjet e Durrësit. Viktima është 37-vjeçari Arian Saliu dhe ka qenë duke udhëtuar me një automjet të tipit “Golf 5″, së bashku me shtetasin Denis Hoxha, 35 vjeç, nga Durrësi, i cili ka mbetur i plagosur gjatë atentatit të organizuar në Lagjen Nr.5 të qytetit bregdetar. Ngjarja ka kthyer krimin e frikshëm në qytetin port dhe riaktivizimin e elementeve kriminale të dy bandave që sipas burimeve policore u goditën me arrestimet e vitit të kaluar, gjatë të cilave ra në pranga dhe kapobanda, Lulzim Berisha.
Por hakmarrjet s‘kanë të sosur, duke marrë një tjetër jetë. Një vit më parë u ekzekutua një tjetër vëlla i Klod Saliut, Ndriçimi. Paraprakisht, dyshohet se dy autorët ende të paidentifikuar nga policia kanë qëlluar mbi shënjestrën e tyre me një automatik të tipit “Scorpions”. Autorët lëviznin me një motor dhe e kanë ndjekur viktimën e tyre teksa lëvizte me mjetin “Golf”, me targa DE566BE, deri sa kanë gjetur momentin e përshtatshëm për të qëlluar mbi të pa kthim.
Ndërkaq, burime nga kirurgjia e spitalit të Durrësit bënë të ditur se i plagosuri Hoxha është jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja e rëndë ndodhi në afërsi të rrugës “Mujo Ulqinaku”, që lidh pallatin e sportit, “Ramazan Njala”, me stadiumin e qytetit, në një nga udhëkryqet që ngjitet në drejtim të ish-rajonit të policisë. Sipas burimeve policore, atentati ka qenë i mirorganizuar, duke i shkaktuar vdekjen Saliut dhe lënë në jetë njeriun që e shoqëronte dhe që s‘ishte objekt i atentatorëve.
Forca të shumta policie kanë shkuar në vendngjarje dhe më pas janë shpërndarë për të mundësuar fillimisht identifikimin e autorëve dhe kapjen e tyre. Burimet thanë se shoqërime të shumta do të ketë gjatë natës mes mbështetësve të bandës rivale të mbetur jashtë qelive, si dhe anëtarë në dukje “të fjetur” të saj. Larja e hesapeve mes grupeve rivale është pista kryesore në të cilën janë fokusuar hetimet për vrasjen, ndërsa nuk është përjashtuar dhe pista që e lidh ekzekutimin me veprimtarinë e viktimës në Itali, ku dhe ka qenë i dënuar për trafik lëndësh narkotike.
Policia
Grupi i Spitallës,
familje problematike
Anëtarët e grupit kriminal të Spitallës janë në krye të listës së policisë durrsake për familjet e identifikuara si me probleme të natyrës së rëndë, që provokojnë hasmëri dhe gjakmarrje, duke çuar deri në ngujime. Burime nga Drejtoria e Policisë së Durrësit rreth një vit e gjysmë më parë patën bërë të ditur për “Shqip” se grupi i Spitallës përbëhej nga shtetasit Ndriçim Saliu, Arian Saliu (i cili në kohën kur u vra i vëllai dhe më pas ishte në burg për trafik droge në Itali), Indrit Dokle, Adriatik Çoli, A.B., Z.K., R.Xh., F.M. dhe E.C. Pas vrasjes së Klod Saliut në vitin 2005, u përfshinë në një konflikt të ashpër me grupin e Lulzim Berishës. Konflikt i shumëtensionuar mes dy grupeve pas gjetjes së braktisur të një automjeti me katër armë, në afërsi të lokalit të Lulzim Berishës, ku rezultoi se gjurmët e gjetura në të i përkisnin shtetasit F.M., anëtar i grupit të Klod Saliut, i cili u ekzekutua në superstradën Tiranë-Durrës, më 26 shkurt të vitit 2005, pak kohë pas lirimit si i pafajshëm nga Gjykata e Durrësit.
Historia
Që nga shkurti i vitit 2005, anëtarët e bandave rivale sulmojnë njëri-tjetrin
Atentati ndaj Klodian Saliut,
hapja e serisë së eliminimeve
Më 26 shkurt të vitit 2005 vritet në një atentat mafioz një prej të fortëve të Durrësit, Klodian Saliu, vëllai i vogël i viktimës më të fundit të një rivaliteti disavjeçar mes bandave. Në atentat mbeti i plagosur edhe një tjetër person, i cili ndodhej në të njëjtën makinë me Saliun. I riu njihej si një nga të fortët që vepronte në zonën e Spitallës dhe mbështetës i krahut të majtë të politikës shqiptare, ndryshe nga rivali i tij, dikur mik, Berisha. Atentati ka qenë i mirëpërgatitur nga autorët, të cilët kanë ndjekur makinën ku udhëtonte Klodian Saliu. Fillimisht plumbat kanë rënë mbi gomat e automjetit tip “Mercedz Benz” në ngjyrë gri të metaltë, me të cilin lëvizte viktima dhe i plagosuri tjetër në ngjarje. Gjithçka ka ndodhur brenda pak minutash, duke i dhënë fund një njeriu që ishte kthyer pothuajse në një mit për zonën e Spitallës, lagje periferike në veri të qytetit të Durrësit. Klodian Saliu dhe Osman Truma kanë qenë duke udhëtuar nga Durrësi në drejtim të Tiranës, me automjetin “Benz”, me targa DR8907C. Vrasja e Saliut ka ndodhur në superstradë, pranë Maminasit. Një karikator i tërë me fishekë është shkrehur mbi 28-vjeçarin Saliu në orët e vona të natës. E kaluara e viktimës çoi në ngritjen e disa pistave dhe njëkohësisht në një listë jo të vogël personash të dyshuar si autorë të mundshëm të atentatit. Pista kryesore ku u përqendrua hetimi ishte ajo e përplasjes mes grupeve rivale në Durrës dhe e hakmarrjes. Autorët e njërës prej vrasjeve më të bujshme të viteve të fundit në Durrës, pas asaj të komisar Gani Malushit, të ndodhur katër vjet më parë, mbetën të pazbuluar, ndërsa hetimet zbardhën se vrasja ishte kryer nga anëtarë të bandës së Lul Berishës. Ndoshta i njëjti fat do të ndjekë dhe vrasjen e vëllait të tij dy vjet më vonë, në një natë të nxehtë korriku.
Kronologji
Krijimi dhe ndarja e bandës së famshme të Durrësit
Aktiviteti i bandës së Lulzim Berishës dhe Klod Saliut nis para vitit 1994, por e dokumentuar mbetet periudha nga ky vit e më tutje. Deri në 1998, banda do të merrej kryesisht me trafiqe ilegale, për të nisur vrasjet katër vjet më vonë, të paktën vrasjet e njohura dhe të përfshira në dosjen e gjerë të kësaj bande, që akuzohet për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, prostitucion dhe trafik armësh.
Viti 1994
Prokuroria e Hamelmit, në distriktin e Hanoverit, lëshon një urdhër-ndalimi ndërkombëtar për Lulzim Berishën. Sipas saj, ai kishte trafikuar një sasi shumë të madhe heroine në itinerarin Shqipëri-Itali-Gjermani, por pas arrestimit Berisha deklarohet i pafajshëm. Pas Gjermanisë, Berisha u përball me akuzat e Prokurorisë së Barit, por sërish shpallet i pafajshëm për mungesë provash. Pas disa muajsh, Berisha kthehet në Shqipëri duke vazhduar aktivitetin nga Durrësi.
17 tetor 1998
Regjistrohet vrasja e parë e organizatës kriminale të drejtuar nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Banda akuzohet për vrasjen e shtetasit Dritan Sallaku nga Durrësi.
29 tetor 1998
Nuk vonon shumë dhe ndodh një tjetër vrasje e dyfishtë. Organizata e Berishës dhe Saliut akuzohet se ka realizuar ekzekutimin e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja. Në këtë ngjarje mbeti i plagosur edhe Marsel Sotiri.
22 gusht 1999
Pa u mbushur një vit, i vetmi i mbijetuar nga atentati i 29 tetorit 1998 ekzekutohet nga banda e Lul Berishës në Plazhin e Durrësit.
24 maj 2000
Lulzim Berisha arrestohet në Riçione të Italisë për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike. Në shkurt të këtij viti, në Itali ishte arrestuar shtetasi Erjon Hoxha
9 korrik 2000
Një tjetër vrasje rëndon mbi bandën. Në atentatin e kësaj date të korrikut 2000, vritet në fshatin Shënavlash të Durrësit shtetasi Dritan Disha.
14 janar 2002
Policia dhe prokuroria vendosin një tjetër vrasje në dosjen e krimeve të bandës. Banda akuzohet se më 14 janar të vitit 2002 ka ekzekutuar shtetasin Ervin Lame në Lagjen Nr. 3 të Durrësit.
Viti 2003
Ky vit shënon dhe ndarjen e organizatës në dy banda të veçanta. Shkak ishin kontradiktat e forta mes dy drejtuesve të saj. Krijohen bandat rivale të drejtuara nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Në fakt, rivaliteti kishte nisur më herët, madje duke u pozicionuar dhe politikisht në kahe të kundërta.
26 shkurt 2005
Klodian Saliu, pasi kishte nisur aktivitetin normal të mundësuar nga një vendim i Gjykatës së Durrësit, që e la të lirë duke e shpallur të pafajshëm për mungesë provash, do të vihej në shënjestër. Lulzim Berisha dhe banda e tij, në një atentat në autostradë vrasin Klodian Saliun, duke shuar kështu një nga të fortët e Spitallës.
5 maj 2005
Policia deklaron se po punon për zbardhjen e autorëve të krimit, ndërkohë shokët e Saliut e njohin autorin. Organizohet një atentat fare pranë ish-fermentimit të privatizuar nga Lul Berisha, te lokali i tij, “C‘era una volta”. Në këtë atentat Berisha plagoset në këmbë dhe po ashtu shoqëruesit e tij, Isuf Morina dhe Kujtim Haxhia.
13 tetor 2005
8 muaj pas vrasjes së Saliut dhe 5 muaj pas atentatit ndaj Berishës, organizata e Saliut, e drejtuar nga Indrit Dokle, reagon. Më 13 tetor vritet Avni Gashi në Tiranë, trupi i të cilit më pas u gjet i flakur në një kanal në fshatin Romanat të Durrësit.
30 tetor 2005
Hakmarrja e grupit të kryesuar tashmë nga Indrit Dokle nuk është ndalur me kaq. Organizohet vrasja e shtetasit Ilir Kolgjini, i njohur si mik i Lul Berishës, më 30 tetor 2005, pranë stadiumit “Qemal Stafa”.
4 dhjetor 2005
Vila e Berishës në periferi të qytetit sulmohet me një predhë antitank. Mbetet i plagosur kunati i Berishës. Ai vetë i shpëton për mrekulli edhe këtij atentati të dytë brenda disa muajsh.
19 mars 2006
Strukturat e policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, deklarojnë se kanë bërë të mundur shkatërrimin e një organizate kriminale të kryesuar nga shtetasit Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Ky i fundit është vrarë në vitin 2005. Lulzim Berisha shpallet në kërkim.
6 prill 2006
I forti i Durrësit, Lulzim Berisha, arrestohet në një apartament modest në Tetovë të Maqedonisë. Thyhet miti i krijuar rreth tij, ndërsa drejtësia është vënë në lëvizje.
23 korrik 2007
Ekzekutohet Ndriçim Saliu, vëllai i Klod Saliut. Vrasja ndodhi në ambientet e pasme të lokalit të tij, “Cavalieri”, në Lagjen 18. Në ngjarje mbeti i plagosur edhe Sterio Xhani, 22 vjeç, i cili ishte i punësuar si administrator në lokalin e Saliut.
29 korrik 2007
Një javë pas vrasjes së vëllait të kapobandës, Klodian Saliu, në kuadër të operacionit “Spitalla 2″, policia ndalon 4 të dyshuar si bashkëpunëtorë të të dyshuarit si autor i vrasjes, Indrit Taullaj. Përveç Ervin Çukes, u ndaluan dhe Edmond Taullaj 22 vjeç, Ervis Cërriku 20 vjeç dhe Gramoz Ago.
21 shtator 2007
I dyshuari si bashkëpunëtor në vrasjen e vëllait tjetër të Klodian Saliut, Ndriçimit, u ekzekutua duke mbajtur të ndezur historinë e pambyllur të rivalitetit mes bandave të Lul Berishës dhe Klod Saliut. 26-vjeçari Ervin Çukja nga Spitalla, i njohur nga policia si anëtar i grupit të Lul Berishës, u qëllua me armë në Lagjen 1 të qytetit, pranë restorant “Arragostës”.
Burimi: Gazeta Shqip



