Aktualitet Arsimi Big Brother Bota Ekonomi Kulture Kuriozitete Politike Rajoni Shendeti Showbiz Sport Teknologji Video Lajme
Humor Videoklipe Big Brother Albania 3
Chat Njohje Online Degjo Muzike Lojra Barcaleta Tekste Kengesh Shiko Tv Live Degjo Radio Live Poezi Fraza Dashurie
Parashikimi Motit Horoskopi Sot Horoskopi 2010 Kembimi Valutor Receta Gatimi Informatike
Web Messenger Google Shqip Testo Internetin Rezultate Futbolli
Fjale Te Urta Institucione Shteterore Personalitete Shqiptare Gazeta Shqiptare Televizione & Radio Foto nga Shqiperia Agjensi Turistike Hotele
Fjalor Anglisht-Shqip Fjalor Italisht-Shqip Fjalor Shqip-Gjermanisht Fjalor Interneti

Arta Dade: Pikat e dobeta te sherbimit diplomatik

4 September 2008 nga admin  
Kategoria:  Politike

Vleresimi: 12345 (1 vota)
(167 shikime)

Ish-ministrja e Jashtme në qeverisjen socialiste, Arta Dade, i kërkon Kryeministrit Sali Berisha të mundësojë hapjen e shkollave shqipe në Greqi. Në një intervistë për “Shqip”, ajo deklaron prerazi se është përgjegjësi e ekzekutivit shqiptar fakti se fëmijët e emigrantëve tanë, në shtetin fqinj, nuk flasin dot gjuhën amtare. Dade zbulon se në qeveri dhe Ministrinë e Jashtme ka mbërritur një letër e një grupi arsimtarësh shqiptarë, emigrantë që informojnë autoritetet tona për gjendjen dhe kërkojnë ndërhyrje. Sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në PS, thotë se pala shqiptare duhet të bëjë të paktën aq sa bën një organizatë e minoritetit në Shqipëri, vend ku në fakt ka shkollë greke edhe në Tiranë. Duke u ndalur te Himara, Dade kërkon unifikimin e blloqeve politike, me synim hartimin e një plani për zhvillimin e zonës. Veprim që, sipas saj, i mbyll hapësirat për individët që përfaqësojnë qarqe të caktuara dhe që keq-qeverisin këtë bashki, duke shkaktuar edhe tensione artificiale. Në cilësinë e ish-numrit një të diplomacisë shqiptare, Dade zbulon edhe anët e errëta të emërimeve në shërbimin diplomatik, teksa ndalet jo pak në rastin e skandalit diplomatik me shoferin e ambasadës sonë në Itali. Në rrëfimin e saj për “Shqip”, Dade analizon raportet e acaruara të ndërkombëtarëve me Kryeministrin Sali Berisha, por lëshon kambanën e alarmit për rrezikun e manipulimit të zgjedhjeve. Për të mbështetur pretendimin e fundit, Dade sjell në vëmendje emrin e zëvendësministrit aktual të Punëve të Brendshme, Ferdinand Pone, që, sipas saj, është arkitekti i manipulimit të vitit 1996.

Zonja Dade ditët e fundit doli në skenë një incident në ambasadën tonë në Itali, ku u arrestua një shofer nën akuzën për trafik

droge. Si e vlerësoni këtë ngjarje?

Partia Socialiste e ka bërë me dije përmes një komunikate për shtyp qëndrimin e saj lidhur me skandalin. Sigurisht, mund të konsiderohet edhe incident diplomatik, por në radhë të parë është një skandal diplomatik. Shoferi i ambasadorit, në cilindo vend ku akreditohet, ka një imunitet diplomatik. Për këtë arsye, edhe në emërimet e nivelit të dytë, tretë apo edhe të atyre në nivelin teknik e mbështetës, duhet bërë kujdes për të emëruar njerëz që nuk krijojnë kosto për imazhin e shtetit. Nuk jam fare e surprizuar për diçka të tillë, për arsye se emërimet në mënyrë të veçantë në këto pozicione janë konsideruar si shpërblim, për atë kategori të militantëve, e cila përfiton nga pushtetet dhe kërkon haraçin e asaj, çka mund të ketë bërë gjatë zgjedhjeve, në dhunim të ligjit apo të votës së lirë të qytetarëve. Partia Socialiste dhe në mënyrë të veçantë përfaqësuesit e saj në Komisionin e Politikës së Jashtme e kanë ndarë shqetësimin serioz për emërimet në diplomaci dhe shkeljet flagrante të ligjit për shërbimin e jashtëm, që parasheh se nivelet më të larta, siç është rasti i emërimit të ambasadorëve, vetëm deri në 20% mund të jenë nga fusha të tjera jashtë diplomacisë. Me këtë mazhorancë ka ndodhur e kundërta, pasi mund të kemi vetëm 10% emërime ambasadorësh që vijnë nga diplomacia dhe 90% (përfshirë edhe konsujt e përgjithshëm) janë bërë jashtë sferës diplomatike. E njëjta gjë, madje situata është më serioze, tek ato nivele që nuk kalojnë nga Presidenti i Republikës, por miratohen nga ministri i Jashtëm dhe Kryeministri. Unë besoj se urgjentisht duhet ndalur në këtë pikë dhe personat përgjegjës, që nga niveli që fillon procedurat e emërimit, Drejtoria e Personelit në Ministrinë e Jashtme që përgatit gjithë praktikën që i vihet në tryezë ministrit për firmë, janë përgjegjës për shkeljet që janë bërë në emërimet në trupin diplomatik. Shqetësimi kryesor është se në diplomaci është abuzuar me ecurinë normale të karrierës dhe natyrshëm diplomatët, që aspirojnë dhe punojnë me seriozitet për të bërë karrierë me këto praktika, dekurajohen. Nuk mundet që një diplomat karriere të punojë e të presë radhën për t‘u rritur në gradat që njeh shërbimi i jashtëm, por edhe të shikojë emërimet që vijnë nga jashtë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kjo është e vlefshme edhe për shoferët. Vërtet ministria ka një numër të kufizuar shoferësh, që edhe qarkullojnë në ambasadat tona, apo mund të emërohen shoferë në ambasada që vijnë nga jashtë Ministrisë së Jashtme. Me mbarimin e shërbimit, ata nuk konsiderohen më pjesë e Ministrisë së Jashtme, por në të gjitha rastet, edhe nga përvoja ime, janë emëruar shoferë, të cilët kanë përvojë lidhur me punën e tyre si shofer personalitetesh. Në kohën kur unë kam qenë ministre, kam emëruar shoferë me shumë përvojë jetësore që nga shoferë të Presidentit të Republikës, Kryeministrit, ministrave. Ata kanë përvojën dhe etikën profesionale që të mos shkaktojnë kosto edhe kur janë jashtë vendit. Rasti me shoferin e ambasadës sonë në Itali mbërthen në vetvete edhe abuzime të tjera, siç është edhe falsifikimi për moshën dhe një sërë gjërash të tjera, që u kurorëzua me përfshirjen e tij në një trafik skandaloz, si ai i lëndëve narkotike. Ky akt i dënueshëm nxjerr edhe një herë në pah korrupsionin që ka përfshirë tërë strukturat e shtetit dhe rikonfirmon vërtetësinë e kritikave të përsëritura në vazhdimësi nga PS për emërimet në diplomaci. Në këto drejtime, qeveria aktuale thotë se ka arritur suksese, dhe unë jam e befasuar me normalitetin me të cilën diskutojnë këtë skandal edhe strukturat drejtuese të shtetit. Nuk kemi të bëjmë me krim të një individi të caktuar dhe që kjo mund të jetë gjë që s‘ka të bëjë me shtetin, por me individin. Rasti i shoferit përbën diçka më shumë dhe duhet shikuar në një këndvështrim tjetër, sesa thjesht një krim i bërë nga një individ i caktuar. Këtu kemi problematikën e dëmtimit të imazhit të shtetit, mazhorancës dhe emërimeve që bëhen në diplomaci dhe gjitha fushat e tjera. Sikurse e keni vënë re edhe nga konstatimet e trupit diplomatik në Tiranë, janë hedhur observacione se janë shkelur kriteret për emërimet në administratë. Kjo më pas është e pafalshme, kur ndodh në diplomaci dhe shërbimin e jashtëm, për vet problematikën me të cilën ky shërbim përballet në rrjedhën integruese në BE dhe NATO. Gjatë qeverisjes së parë të Berishës, persona, deri në nivel ambasadorësh, janë shpallur ‘non grata‘ për përfshirje në trafiqe të paligjshme nga shtetet që aktualisht janë anëtare të BE-së.

Të zhvendosemi më tutje. Himara, zonja Dade mbetet sërish shqetësim i vazhdueshëm. Si i shikoni zhvillimet në këtë vend dhe kërkesat e Omonias deri për vendosjen e gjuhës së dytë zyrtare, atë greke?

Në demokraci ka grupime të papërfillshme, që kërkojnë gjëra të mëdha dhe absurde. Është e drejta e çdo grupimi të bëjë një gjë të tillë, por, për sa kohë kërkesat vijnë konform Kushtetutës, nuk do përbënte diçka për t‘u konsideruar. Lidhur me gjendjen e Himarës, unë sapo jam kthyer nga pushimet atje dhe shpeshherë na vjen keq kur konstatojmë se natyra i ka falur kësaj zone të Shqipërisë një mrekulli, por që mbetet e pashfrytëzuar dhe e cenuar nga papërgjegjshmëria e autoriteteve që e qeverisin. Mungesë infrastrukture në një pjesë shumë të rëndësishme, plehrat nuk pastrohen çdo mëngjes, madje ka papërgjegjshmëri edhe nga firmat që kanë fituar tenderin. Bëjnë raundin e xhiros së mëngjesit dhe përsëri mbeturinat i lënë aty. Pra, ka një tendencë për të lënë të pakënaqur pushuesit, që këtë vit jam e bindur se kanë lënë shumë para. Është për këtë arsye se pse duhet ndërhyrë menjëherë nga ana e Kryeministrit lidhur me politikat që ndiqen në këtë bashki. Që nga mbajtja pezull e akteve të pronësisë që padyshim pengon edhe investimet por edhe përputhja e projekteve me ato që ka për zhvillimin e bregdetit të jugut. Unë besoj se duhet dhënë atë çka kërkojnë himarjotët, zhvillimin e zonës dhe duke lejuar që gjithë pushuesit të ndjehen se kanë ardhur në një vend perlë dhe jo ku qëllimisht lihet pa pastruar. Nisur nga të gjitha paratë që janë lënë vetëm këtë verë në Himarë është shumë e konsiderueshme që të kërkohen investime në sektorin privat dhe publik. Lidhur me abuzimet dhe spekulimet, vet zoti Bollano është në proces të hapur gjyqësor për shkeljet kushtetuese. Besoj se po të artikulohen politika për zhvillimin e Himarës në të gjitha drejtimet, arsim, punësim dhe prona do bënte që të gjithë të merreshin me punën e tyre e jo t‘i shërbenin qorrazi ndonjë individi brenda Omonias. Individ që mbijeton jo vetëm politikisht thjesht sepse bëhet megafon i qarqeve të caktuara. Njëherazi më lejoni të ndaj me gazetën tuaj dhe lexuesit shqetësimin që vjen nga një grup arsimtarësh, lidhur me emigrantët tanë në Greqi që janë të interesuar t‘u mësojnë fëmijëve gjuhën shqipe. Pra, atë që bëjnë këto struktura të shtetit apo të qarqeve të caktuara për hapje shkollash greke, qoftë edhe në Tiranë, ku kemi një kolegj, duhet ta bëjë shteti shqiptar. Të mbështesë hapjen e shkollave dhe kurseve të gjuhës shqipe, duke inkurajuar këta mësues që edhe vullnetarisht kanë qenë gati t‘u mësojnë fëmijëve gjuhën shqipe. Është për të ardhur keq që fëmijët e emigrantëve e kanë vështirë të flasin gjuhën shqipe. Nuk është faji i fëmijëve, por i shtetit shqiptar që në Greqi nuk krijon dhe zbaton qofshin edhe marrëveshje që kemi pasur me palën greke. I takon shtetit shqiptar që të krijojë kushtet që fëmijët atje të mësojnë gjuhën. Ka një dokument, që grupi i arsimtarëve ja ka dërguar qeverisë dhe Ministrisë së Jashtme për të gjithë problematikën që ka mungesa e mësimit të gjuhës në emigracion. Do duhej që qeveria të bënte të njëjtën gjë që bëjnë individë, qarqe të caktuara, apo vet shteti grek, kam parasysh zv.ministrin e Jashtëm, që erdhi dhe foli për këto çështje, që rëndom e tejkalojnë edhe statusin që ka një përfaqësues i një shteti në marrëdhëniet dypalëshe. I takon të veprojë Kryeministrit, që shpeshherë ka luajtur me kartën e patriotizmit. Por kur vjen puna te zbatimi i një sërë elementesh që kanë qenë shqetësim edhe në media, ai është bërë shurdhmemec.

Duke iu referuar zotit Bollano, ju mendoni se pas tij është vetëm një individ apo politika e shtetit grek?

Unë nuk do të besoja që është politikë e shtetit grek, ndaj thashë janë qarqe të caktuara. Zoti Bollano është vetëm një zëdhënës mjeran i qarqeve të caktuara për interesat e tij personale. Me keqardhje konstatoj se zoti Bollano nuk ka as kapacitete të qeverisë një perlë, siç është Himara. Sigurisht unë nuk jam nga Himara, por pothuajse çdo vit për të pushuar nuk e ndërroj me asnjë vend tjetër. Të njëjtën gjë bëjnë shumë shqiptarë, sidomos këtë vit, por edhe mjaft turistë të huaj dhe shumë maqedonas të Maqedonisë. Pozitë dhe opozitë së bashku duhet të hartojnë politika zhvillimi për Himarën. Nuk mundet të shohim më skena si ato të zgjedhjeve të përgjithshme apo ato lokale dhe spekulimet që bëhen atje. Incidentet kanë qenë të provokuara dhe të krijuara artificialisht. Nëse do kishte pakënaqësi do të shfaqeshin në zonat tipike të minoritetit si Dropulli apo disa fshatra të tjera, por në këto fshatra janë votuar deputetë socialistë, zoti Tavo dhe Çipa. Përse, le të themi, nuk ka fituar Vangjel Dule përballë Vangjel Tavos në fshatrat minoritarë? Këtu ka një realitet krejt ndryshe nga ai që mundohet të spekulohet, por i takon Kryeministrit t‘i zgjidhë këto probleme dhe të mos bëj show, siç ka bërë rëndom në vitet e shkuara.

Në fillim të sesionit të ri kuvendor, Kryeministri i kërkoi opozitës të jepte konsensus për një sërë nismash; ligji për prokurorinë, ndërhyrja në kodin zgjedhor dhe ligjit për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit. A keni një qëndrim për këto çështje?

Partia Socialiste, përmes kryetarit të saj, Edi Rama, që në muajin janar, ka bërë thirrje për një pakt kombëtar për reformën në drejtësi. Për çdo element që shkon në favor të reformës reale në drejtësi dhe të reformës në sistem, sigurisht që ne jemi gati jo vetëm të japim konsensus, por të avancojmë me opsionet tona, për të cilat specialistët dhe teknicienët kanë punuar në grupin e juristëve tanë. Për sa kohë që parimet bazë nuk cenojnë filozofinë tonë të bërjes së reformës në drejtësi, ne sigurisht jemi gati të bashkëpunojmë. Por, për fat të keq, përveç zvarritjeve të njëpasnjëshme, filozofia e mazhorancës bie diametralisht kundër asaj tonës. Të gjitha ndërhyrjet që kërkon të bëjë mazhoranca, në kuadër të reformës në drejtësi, janë në funksion të autoritarizmit të Kryeministrit dhe të kontrollit të institucioneve të pavarura. Me përvojën që ka kjo mazhorancë dhe zoti Berisha në rekordet dhe natyrën e tij për të dominuar gjithçka dhe sidomos sistemin e drejtësisë, dyshoj të kemi ndonjë bashkëpunim të frytshëm. Partia Socialiste jep konsensus vetëm dhe në mënyrë ekskluzive për ato reforma që realisht e reformojnë sistemin e drejtësisë apo fushat e tjera. Nuk mund të bëhemi palë në të ashtuquajtura reforma, të cilat bien ndesh me standardet e kërkuara nga BE-ja, dhe për të cilat OSBE dhe misioni “Euralius” janë shprehur. Duhet konsideruar edhe shqetësimi që vjen nga shoqatat e juristëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi është ky grupim që do të zbatojë ligjet e drejtësisë. Pa tërhequr edhe mendimin e tyre, s‘ka se si reforma të jetë e plotë dhe gjërat nuk bëhen me nxitim. Nëse vullneti i shprehur në fjalë nuk materializohet me punë konkrete, reformat nuk mund të bëhen dhe kjo dëmton proceset integruese.

A shikoni zonja Dade ngjashmëri në qëndrimin e ndërkombëtarëve ndaj zotit Berisha në vitin 1996 dhe atë aktual?

Sigurisht që unë nuk dua të bëj paralelizma me kohën kur Berisha ishte President, është kohë që shqiptarët e kanë lënë pas. Kemi një individ, i cili vazhdon të manifestojë koncepte të deformuara për shoqërinë demokratike, për shkak se kur ishte President ishte edhe Kryeministër, prokuror apo kryetar i Gjykatës së Lartë. Kishim një njeri që, pa dyshim, edhe për krizën që mbërtheu Shqipërinë, ishte përgjegjësi numër një. Kritikat e ndërkombëtarëve arritën kulmin në zgjedhjet e vitit 1996, që e detyruan mazhorancën të krijojë qeverinë e stabilitetit që përgatiti zgjedhjet e vitit 1997. Sigurisht, kritikat atëherë mund të kenë qenë për elementë të tjerë konform situatës së asaj kohe. Për fat të keq, edhe pas 10 vitesh, vijojmë të kemi të njëjtat vërejtje të përsëritura dhe shqetësim për përgatitjen e zgjedhjeve. Sigurisht, Sali Berisha nuk mund të bëjë shaka me përgatitjet për zgjedhjet, pasi Shqipëria nuk është më ajo e vitit 1996. Vet shoqëria ka avancuar në drejtim të standardeve demokratike dhe për këtë arsye nuk kam dëshirë të bëj paralelizëm. Por vet kjo mazhorancë është vënë në qendër të kritikave dhe duhet të mbajë një angazhim për të mos cenuar standardet. Si pjesë e asamblesë parlamentare të OSBE-së personalisht jam e angazhuar për të monitoruar gjithçka që çon në mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Pa dyshim që hapësirat e përpjekjeve për të manipuluar zgjedhjet dhe administrimin e votës së shqiptarëve do të jenë shumë të ngushta për mazhorancën. Shpresoj se në këtë aspekt vëmendja edhe e medias, vëmendja e shoqërisë civile dhe e votuesve të jetë më e madhe. Duke u angazhuar të gjithë do arrijmë të detyrojmë qeverinë që është përgjegjëse për organizmin e zgjedhjeve, të tregojë se Shqipëria si vend i ftuar për në NATO mund të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme. Deri tani, puna nuk shkoi keq lidhur me ndryshimet kushtetuese që u bënë edhe në funksion të ndryshimeve të sistemit zgjedhor. Nuk ka më kohë për zvarritje dhe debate lidhur me kodin zgjedhor dhe elementët që do përfshihen në të. Kjo do jetë një start i mirë për të përgatitur zgjedhjet, por nëse ne do të vijojmë të zvarritemi, të mos kemi kod zgjedhor në kohë do krijojë kostot e veta në përgatitjen e infrastrukturës. Mendoj se personat që janë vënë në krye të piramidës së përgatitjes së zgjedhjeve, si zv.ministri i Brendshëm janë në fokus. Kemi një shembull të zgjedhjeve të vitit 1996 dhe është i njëjti person që ishte arkitekti i manipulimit dhe masakrës elektorale të vitit 1996. Ky është përgjegjësi numër një për përgatitjen e infrastrukturës dhe përfaqëson qeverinë në përpjekjet për të bërë këto zgjedhje. Ky person u përfshi edhe në skandalin e zgjedhjeve vendore të vitit 2007 dhe nuk e kuptoj se si është përsëri në këtë detyrë. Tërë opinioni publik e ka ndjekur zotin Pone në tenderin e kartave të identitetit, mungesën e seriozitetit dhe gjithçka tjetër, që e pamë në emisionin “Fiks Fare”.

Shumica që, sipas jush, po keq-qeveris vendin, kërkon një opozitë të aftë për të ardhur në pushtet. Ndryshe nga viti 2007, tanimë e majta sërish është e ndarë….

Unë besoj se Partia Socialiste ka filluar përgatitjet për t‘u rikthyer në pushtet që nga humbja e pushtetit në vitin 2005. Është bërë shumë punë për reformimin e partisë dhe strukturave, apo futja e shumë elementëve në dokumentet bazë të partisë. Punë është bërë me programin, strukturat e tjera brenda PS-së si FRESSH apo FG. Besoj se PS po përgatitet për aksionin më të rëndësishëm politik që janë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sigurisht që, ka ende shumë punë për t‘u bërë dhe besoj se me nisjen e sesionit të ri politik edhe puna ka nisur. Kemi një axhendë të ngjeshur në veprimtarinë e Partisë Socialiste. Pardje ka pasur takime të kryetarit të partisë me kryetar të partive të tjera të koalicionit, si zoti Gjinushi apo Milo. Opsioni që ne ofrojmë për koalicione të përbëra, bën që asnjë votë nga e majta apo e djathta të mos humbasë, por të mbetet brenda koalicionit të përbërë. Për këtë arsye, secila parti do të luftojë të grumbullojë votat e veta, në mënyrë që të shohim peshën reale që forcat kanë në elektorat. Mbi bazën e kësaj krijohen edhe mazhorancat qeverisëse. Personalisht më duket një opsion i përshtatshëm për situatën e re të krijuar me ndryshimet e sistemit zgjedhor, dhe nuk ka vend për kritika apo ashpërsime të gjuhës nga parti të të njëjtit spektër, siç është e majta. Unë shpresoj se nga gabimet e vitit 2005 çdo forcë politike e së majtës do të ketë nxjerrë mësimet dhe në fund të fundit forcat politike janë të detyruara të dëgjojnë mbështetësit dhe të materializojnë në veprimtarinë e tyre këtë aspiratë. Nëse do bënim politikë për hir të politikës, vetvetiu çdo forcë politike do të izolohej. Apo nëse nuk do të bëhej ajo që Partia Socialiste bën, kontaktet me bazën dhe materializimi i vërejtjeve dhe sugjerimeve që kërkon baza e partisë. Besoj fuqishëm se me diskutimet për kodin zgjedhor dhe më tej me përgatitjet shumëdimensionale për zgjedhjet e ardhshme do të gjendet gjuha; të jemi më të ftohtë në atë çka më shumë duket se ka qenë konsumim mediatik sesa ajo që një forcë është në gjendje të bëjë në të ardhmen e afërt.

A do ta dëmtonte rezultatin e së majtës dalja me vete e Lëvizjes Socialiste për Integrim?

Nuk besoj se duhet parë në të njëjtën perspektivë që rezultati në fushata zgjedhore shihej kur kishim sistem tjetër. P.sh., u dëmtuam në më shumë se 10-12 zona për shkak të ndarjes së votës në sistemin mazhoritar. Pra, u bë garë shumë e fortë mes PS dhe LSI, ndaj u humbën shumë zona për votat që LSI mori nga e majta. Kujtoj se në atë kohë LSI kishte një argument të fortë për ata që nuk donin Nanon të vazhdonte qeverisjen dhe që zgjodhën këtë parti. Argument që ka rënë që me largimin e Fatos Nanos nga kryesimi i Partisë Socialiste dhe ardhja e liderit të ri. Meta e ka të vështirë që t‘iu mbushë mendjen elektoratit që të mos votojë më për Partinë Socialiste, flas për ata që mori nga kjo parti në vitin 2005. Ndaj, ai ka një argument shumë të pambështetur tani që sulmon Partinë Socialiste. Në bazë të sistemit që është ofruar, çdo parti mbledh votat e veta dhe LSI ka një rast të tregojë se sa e ka forcën në elektorat. Mendoj se çdo parti është mirë ta bëjë këtë, pasi mbi bazën e sistemit të “dushkut” asnjë parti nuk di cila është pesha në elektorat. Në këtë rast, mbasi secila forcë politike mbledh votat e veta, flitet për koalicionet qeverisëse, për të cilat nuk ka pse të mos krijohen mbi bazën e orientimit politik e majtë dhe e djathtë. Besoj se janë të gjitha shanset dhe do vazhdojmë të punojmë që PS të fitojë zgjedhjet e të krijojë mazhorancën qeverisëse me ato forca të majta, të cilat kanë dhe peshën më të madhe sipas rezultatit.

Nëse LSI do arrijë një mbështetje të konsiderueshme, sa të vështirë e shikoni koalicionin pas zgjedhor me të?

Çdo opsion është i hapur. PS ka treguar se është një forcë politike që ka qeverisur vendin me aleatët në tetë vite. Pra, nuk është kundër koalicioneve dhe nuk besoj të jetë vështirë. Vështirësitë duhet të evitohen nga ata që i krijojnë dhe besoj në shumicën e rasteve janë artificiale.

Zoti Gjinushi ka deklaruar mundësinë e afrimit në koalicion të majtë edhe për PBDNJ dhe PDK. Sa të mundshme e shikoni këtë?

Është ende herët të flasësh për PDK. Besoj se me PBDNJ, ne kemi qenë në koalicion dhe kjo parti ka marrë votat e socialistëve dhe pastaj ka kaluar në pushtet me Partinë Demokratike. Është i njëjti rast me Lufter Xhuvelin, por sigurisht ka pasur edhe raste të qëndrimeve të unifikuara nga deputetët Solis dhe Peçi. Çdo opsion mbetet i hapur, nëse do ulemi dhe do të bisedojmë. Është ende herët dhe nuk di të ketë bisedime me PDBNJ-në, por kjo parti ka qenë në vijimësi në koalicion me ne gjatë tetë viteve. Pastaj e vlerëson vet elektorati aktin që ata bënë për t‘u bashkuar me Sali Berishën, pas zgjedhjeve të vitit 2005.

Burimi: Gazeta Shqip


bookmark



Tags: , , , , , ,