Gjermania rrezon kerkesen e Serbise drejtuar OKB-se
Gjermania nuk e mbështet kërkesën e Serbisë, që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ta shqyrtojë legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Gjermania e ka njohur Republikën e Kosovës, duke besuar se Deklarata e shpalljes së pavarësisë ishte në linjë me të drejtën ndërkombëtare,ka deklaruar ministri i Jashtëm, Frank-Valter Shtajnmajer, pas takimit me ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremiç. Në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë thuhet se ministri serb, Jermeiç, i kishte përsëritur ministrit Shtajnmajer qëndrimin se “Serbia e konsideronte Kosovën edhe më tej pjesë të Serbisë”. Në anën tjetër, ministri Shtajnmajer ka mbrojtur qëndrimin gjerman për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës. Agjencitë e huaja njoftojnë se ministri i Jashtëm, Stajnmajer, i ka thënë kolegut të tij serb, Jeremiç, se Gjermania e kishte njohur pavarësinë e Kosovës, e bindur se ky veprim nuk binte ndesh me të Drejtën Ndërkombëtare. Stajnmajer, thuhet më tej nga agjencitë e huaja, i ka bërë me dije ministrit të Jashtëm serb, Jeremiç, se “Gjermania nuk mbështet kërkesën e Serbisë, që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ta shqyrtojë legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”. Ndërkaq, në komunikatën e Ministrisë së Jashtme, rreth takimit, thuhet se, përkundër dallimeve në qëndrime, Shtajnmajer dhe Jermiç ishin të një mendimi se vetëm një sjellje pragmatike e Serbisë përballë Kosovës, mundëson dhe është kusht për të ruajtur interesat e të gjithë partnerëve në Ballkan, përfshirë këtu edhe interesin për ruajtjen e stabiliteti dhe sigurisë.
Nga ana e tij, ministri Shtajnamjer ka përshëndetur edhe qëndrimin e diplomacisë serbe për kthimin e ambasadorit serb në Berlin, të cilin Beogradi e kishte tërhequr, pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Gjermania. Takimi midis ministrit të Jashtëm gjerman dhe atij serb ishte i pari që pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Gjermania më 20 shkurt. Stajnmajer i ka thënë kolegut të tij serb, Jeremiç, se Gjermania e kishte njohur pavarësinë e Kosovës, e bindur se ky veprim nuk binte ndesh me të Drejtën Ndërkombëtare.
Burimi: Gazeta Shqip



