Erion Brace: Hetimi parlamentar, antikushtetues
Socialistët deklarojnë se nuk do të marrin pjesë në asnjë komision hetimor parlamentar për Prokurorinë e Përgjithshme. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, tha se “do të doja t‘ju referoja deklaratat e Berishës të bëra dy ditë më parë, në konferencën për shtyp me ju, që një komision hetimor parlamentar për një çështje, për të cilën prokuroria ka filluar hetimet, është antikushtetues”. Është e tepërt, tha Braçe, t‘ju them nëse ne do të marrim pjesë në një komision antikushtetues apo jo. PS konstaton se veprimet e prokurorisë pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, nuk mundet më t‘i verifikojë parlamenti. “Pra, edhe komisioni tjetër, që ju po më pyesni, që do të verifikoj veprimet për çështjen penale të Damir Fazliçit, apo për ta pyetur si person, që ka dijeni për rrethanat e veprës penale, nuk mund t‘i verifikoj dot parlamenti”, u shpreh Braçe. Teksa shtoi se të dy komisionet parlamentare, janë plotësisht antikushtetuese dhe kjo në bazë të tri vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si në rastin Rakipi apo Sollaku. “Pastaj, pjesa tjetër që ky komision hetimor parlamentar që bëhet si sfidë ndaj nesh dhe jo për të zbardhur hetimin, mbetet që mos të ketë asnjë lloj vlerësimi prej nesh. Këtë mund ta thotë vetëm një injorant, askush tjetër”, theksoi Braçe. Drejtuesi socialist u ndal edhe te dëshmia e vajzës së Kryeministrit, Argita Berisha, rreth çështjes “Damir Fazliç”. “Askush nuk ka folur për tenderë dhe degdisja e dëshmisë këtu është thjesht devijim nga e vërteta dhe nga thelbi i akuzës”, tha Braçe. Sipas tij, alibia e zgjedhur për të fashitur dyshime se si një kompani pa asete u shit 1,7 milionë euro, duke servirur toka si aset, kanë rënë që kur kompania është shitur në qershor dhe kur toka është blerë 2 muaj më pas në gusht. “Do doja që në përgënjeshtrim të asaj çka ka thënë dje zonja Argita Berisha, t‘u demonstroja dokumentin, ku zonja Flutura Kola merr prokurë të posaçme për shitjen te kompania “Altaria Research” te kompania e Fazliç, “Crown Acquisition”, u shpreh Braçe. Po dje, vijoi ai, zonja Berisha dëshmoi se nuk ka qenë pjesë apo ofruar shërbimet e saj për procedurat e ndjekura për parkun e Porto Romanos. “Por, mbi të gjitha, ajo garanton se as avokatja Flutura Kola nuk ka marrë pjesë, apo nuk ka ofruar shërbime në këtë procedurë. Dua t‘u them se Flutura Kola, më 8 maj të vitit 2007 ka marrë prokurë të posaçme si përfaqësuese ligjore për kompaninë ‘Rompetrol Albania‘”, saktësoi Braçe. Ai kujtoi se një tjetër përfaqësuese e pushtetit tribal të Sali Berishës, ekspertja kontabël, Shpresa Breçani, dëshmoi se nuk kishte asnjë lidhje me kompanitë apo shërbimet e Damir Fazliç. “Shpresa Breçani figuron në dokumentet zyrtare të arkivuara në agjencitë e shtetit shqiptar si eksperte kontabël e kompanisë “Alfa” me numër licence 143, datë 12.9.06, në pronësi 100% të shtetasit Damir Fazliç”, insistoi Braçe.
Burimi: Gazeta Shqip



