Mikael Balak rrezikon vendin ne kombetare
Në ambientet e kombëtares gjermane të futbollit kanë shpërthyer polemikat. Shkak janë bërë deklaratat e kapitenit Mikael Balak, kundër trajnerit Joakim Lëv. Mesfushori i Çelsit e ka sulmuar drejtuesin e stolit për shkak të zgjedhjeve teknike: mbajtjen në stol të Torsten Frings dhe se Lëv nuk e kishte telefonuar pas operacionit më të fundit në këmbë. Nga ana e tij, tekniku është shprehur i çuditur dhe i zhgënjyer nga kritikat e Balak. Zhgënjimi shtohet edhe për faktin se lojtari nuk ka tentuar ta zgjidhë çështjen duke e diskutuar brenda skuadrës, por ka preferuar të flasë në media (më saktësisht në gazetën “Frankfurter Allgemeine”).
Balak u pozicionua kundër Lëv për shkak të mosaktivizimit të shokut të tij, Torsten Frings, madje ka këmbëngulur se mesfushori ka shërbyer me besnikëri dhe respekt për fanellën e Gjermanisë. 32-vjeçari Frings, i cili luan si mesfushor me tipare mbrojtëse, luajti vetëm shtatë minuta në fitoren 2-1 me Rusinë, ndërsa në takimin tjetër, ku gjermanët mposhtën 1-0 Uellsin, ai qëndroi gjatë gjithë kohës në stolin e rezervave. Rreth këtyre kritikave, Lëv deklaroi: “Jam i zhgënjyer për faktin se ai ka përdorur një ton kaq kritik në media. Sinqerisht jam çuditur që Balak ka folur publikisht në këtë mënyrë. Kisha përshtypjen se ai nuk kishte asnjë kundërshtim me vendimet që kemi marrë si staf teknik në dy fitoret kundër Rusisë dhe Uellsit. Kjo është arsyeja pse reagimi i tij më tronditi. Do të bisedoj me të dhe më pas do të shohim. Për momentin ende nuk mund të them se si do të veproj dhe çfarë masash do të marr”. Më 19 nëntor Gjermania do të zhvillojë një miqësore luksi në Berlin me Anglinë e Fabio Kapelos dhe trajneri shtoi: “Do mendohem rreth kësaj mundësie (mosgrumbullimit të Balak). Lojtarët i njohin mirë rregullat: kritikat publike dhe deklaratat me emra të veçantë i bën vetëm trajneri”. Joakim Lëv këmbënguli se Balak mbetet “një partner i rëndësishëm”, duke qenë se është kapiteni i përfaqësueses, megjithatë, vendimet për formacionin titullar dhe lojtarët që aktivizohen si zëvendësues i përkasin ekskluzivisht stafit teknik. Situata e krijuar nga fjalët e kapitenit ka shqetësuar edhe krerët e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB). Presidenti Teo Zvanziger i kërkoi mesfushorit që këtë problem ta diskutonte personalisht me trajnerin dhe mos të përdorë mediat për të shprehur pakënaqësitë e tij. Balak u operua në nervat e të dyja këmbëve pas impenjimit me kombëtaren dhe u shpreh i zhgënjyer se trajneri nuk e kishte telefonuar për të mësuar rreth situatës. “U habita, pasi në të kaluarën gjithçka ka qenë ndryshe”, ishin fjalët e ish-lojtarit të Bajernit të Mynihut. Por, ashtu sikundër Zvanziger, edhe Franc Bekenbauer, fituesi i Kupës së Botës 1974 si lojtar dhe më pas si trajner në vitin 1990, beson se Balak nuk duhej t‘i kishte bërë publike kritikat për trajnerin Lëv. “Në situata të tilla lojtarët duhet të flasin me trajnerin, jo me mediat. Ata duhet ta qepin gojën dhe vetëm të luajnë futboll”, tha “Kaizeri”.
Burimi: Gazeta Shqip



