Dyshimet e nenes shqiptare: Mateon mund ta kene shitur
Vogëlushi 13 muajsh, Mateo Dullia, nuk dihet nëse është gjallë apo ka vdekur. Nëna e tij, Albana Dullia, ka shumë frikë se fëmija i saj, në rastin më të mirë është shitur nga grupe mafiozësh dhe në rastin më të keq, mund të mos jetojë më. Dyshimet e trishta i hedh mamaja e vogëlushit. Në një intervistë ekskluzive, dhënë dje për agjencinë e lajmeve NOA, 29-vjeçarja Albana Dullia, tregon gjithçka për ngjarjen që i ka ndryshuar jetën, për 72 ditët plot ankth që po përjeton, pas zhdukjes të djalit të saj, që më datë 7 shtator kur humbi, ishte vetëm njëmbëdhjetë muajsh. Albana, duke shprehur keqardhjen për humbjen e vogëlushit tuaj, ne bashkohemi me dhimbjen dhe përpjekjet tuaja për gjetjen e tij. A mund të kujtoni cilat ishin raportet tuaja me autorin e dyshuar të rrëmbimit, Hasan Kerim. Pikë së pari, ai nuk është i dyshuari, por autori i vërtetë i rrëmbimit. Personi në fjalë kishte krijuar njohje me mua, e cila arriti deri në një bashkëjetesë, ku toleranca ime dhe dëshira për ta ndihmuar u shfrytëzuan shumë keq. Unë e kam njohur këtë person rreth tre vjet më parë këtu në Athinë. Jetoj këtu me familjen time, nënën, vëllain dhe pjesëtarë të tjerë. Një mbrëmje ne shkuam në një lokal ku kishte muzikë orientale. Atje jam njohur me këngëtarin, i cili ishte Hasan Kerim. Ky person ishte një emigrant nga Siria, që siç mësova më vonë, ishte pa dokumente në Greqi. Ne u njohëm bashkë dhe ndjeva një dëshirë të brendshme për ta ndihmuar atë. Ai ishte pa shtëpi dhe shpejt mbeti dhe pa punë, ndërsa unë në një gjendje normale, me shtëpi e familje. Vendosa të marr një shtëpi me qira, në emrin tim, sepse ai nuk mund të merrte banesë pasi ishte klandestin dhe nisëm të jetojmë së bashku. Gjatë kësaj periudhe, ai punonte? Jo. Unë, bashkë me nënën time kam një dyqan me aksesorë rrobash dhe në më të shumtën e kohës ai rrinte me ne. Kjo zgjati për më pak se një vit dhe raporti mes nesh ishte normal. Pikërisht kur unë mbeta shtatzënë, ndryshoi gjithçka. Çfarë ndodhi? Ishte e tmerrshme. Ai nisi të më konsideronte si tokën e tij, karakteri i ndryshoi tërësisht, u bë i vrazhdë, fëmijën refuzonte ta mbanim. Këmbënguli shumë herë që fëmijën ta abortoja, arriti deri atje sa të më thoshte, nuk e dua, nuk është imi etj. Unë refuzova me bindje që ta dështoja fëmijën tim të parë. Ishte një dhuratë nga Zoti dhe duhet ta nxirrja në jetë. Por ai u bë edhe më i keq dhe ndërsa isha në muajt e parë të shtatzënisë, u zhduk nga shtëpia. Që atëherë nuk ishte bërë më i gjallë. Kur u rishfaq Hasan Kerim? Kur ai u zhduk, jeta ime ndryshoi dhe unë isha e qetë. Pata një shtatzëni normale dhe solla në jetë djalin tim, krijesën e parë, që mori emrin Mateo. Së bashku me familjen time kemi bërë gjithçka që djalit të mos i mungojë kurrgjë dhe të rritet normalisht. Ishte data 7 shtator, pra para 72 ditësh, kur ndodhi ajo që më shkatërroi jetën. Unë gjendesha në shtëpi dhe u bëra prè e një kurthi në të cilin rashë, sërish nga zemërgjerësia, mirëbesimi im. Pra, ndodhesha në shtëpi me djalin tim Mateon, që ende nuk i kishte mbushur njëmbëdhjetë muaj. Befas shfaqet personi në fjalë, që nuk dua t‘ia përmend emrin. Kishte një pamje dhe sjellje krejt të ndryshme. Por nuk e kuptova që ishte vetëm pjesë e planit. Ai nisi të përgjërohej se kishte ndryshuar, se donte që të rikthehej dhe se donte të ishim një familje. Nuk mund ta besoja, ndaj i thashë se kjo gjë nuk bëhej. Atëherë përdori një variant tjetër. Në rregull më tha, dalim nga këtu, bëjmë një xhiro që t‘i blej një dhuratë fëmijës tim, kaq të drejtë e kam më tha. Megjithëse me hezitim të fortë, pranova, duke besuar për një çast se ai vërtet ishte i përmalluar për fëmijën që nuk e kishte parë kurrë. U gënjeva. Mora fëmijën në krahë dhe dolëm nga shtëpia këtu në Kukaki ku jetoj dhe përballë në trotuar nisëm të ecnim. Ndërsa ecnim, më thotë: Ma jep fëmijën të shkojmë në periptero (kioskë) t‘i blej biskota. I them jo se ka ngrënë dhe i blej biskota të posaçme për bebe. Ndërsa ecnim dhe pak metra, sërish më thotë, në rregull më lër ta mbaj pak në krahë, vetëm pak metra. Ai çast ishte fatal për mua sepse pranova në heshtje. Këtu ndodhi e tmerrshmja. Ai e mori Mateon nga kraharori im dhe e mbajti në krahë, duke ecur pak më përpara, ndërsa fëmija ishte nga unë. Kishin kaluar vetëm pak metra kur po afrohej një kryqëzim, në të cilin vijon një rrugë tejet e gjatë. Ai befas vrapoi me shpejtësi, duke i kthyer kokën djalit që të mos më shihte dhe zhduket sa hap e mbyll sytë, megjithëse unë më kot renda duke vrapuar. Kur ndodhi kjo, ju a patë të kishte ndonjë person tjetër përreth? Ajo që dëgjova ishte një zhurmë motori, që më bën të besoj se ai po ndihmohej nga persona të tjerë, sepse u zhduk shumë shpejt. Çfarë bëtë pas kësaj? Kam ulëritur me të madhe. Nuk arrija ta besoja. Aty u mblodhën shumë njerëz, lajmërova dhe policinë. Ju ka ndihmuar policia greke? Jashtë mase. Ata kanë punuar shumë dhe me ç‘më thonë, vazhdojnë të punojnë, por gjithsesi djali im nuk është gjetur dhe unë nuk e di nëse ai është gjallë apo jo. A keni ju dyshime për fatin e djalit tuaj? Mateo lindi pa baba. Ai e braktisi dhe nuk ishte kurrë aty, për asgjë. Unë jam e qartë. Ky person u rishfaq me një qëllim të caktuar: për të rrëmbyer fëmijën tim, vetëm për qëllime të këqija. Kam shumë frikë se ai person është zhytur në krim. Kemi dyshime të forta se djali mund të jetë shitur, dyshoj te lidhja e tij me një grup mafiozësh që merren me trafikim të bebeve dhe kam shumë frikë nëse im bir jeton më apo jo. A ka dyshime gjithsesi se fëmija mund të ketë përfunduar në Siri? Policia e ka hedhur si dyshim edhe këtë mundësi. Kjo për faktin se ai person nuk kishte asnjë leje qëndrimi, pa punë, pa shtëpi. Sigurisht që mund të jetë larguar, me apo pa fëmijën tim, për në Siri. Sensibilizimi në mediat greke ka qenë, madje vazhdon të jetë i madh. A keni pasur ju kontakte me ta dhe a jua kanë shtrirë dorën për ndihmë? Jo. Kontakte kam dashur të kem, por nuk më është ofruar ndihmë. Në të vërtetë kam dashur shumë, por shteti im, nuk ka denjuar qoftë dhe duke më mbështetur emocionalisht dhe pse jo, të kërkojë nxitje të përpjekjeve për të mësuar fatin e djalit tim. Në të kundërt, jam mbështetur shumë psikologjikisht nga “To hamogjelo tu pedhiu” (Buzëqeshja e fëmijës), një qendër për rastet e fëmijëve të humbur. Po me ambasadën e Greqisë në Siri a keni pasur kontakte? Po. Ne jemi lidhur me ta dhe kanë deklaruar se po bëjnë përpjekje për të zbuluar diçka, por deri tani nuk na kanë dhënë asnjë informacion. Cili është apeli që do të donit të drejtonit? Kam një thirrje të fortë për të gjithë ata njerëz që mund të dinë diçka për fatin e Mateos tim. I lutem të më ndihmojnë, duke treguar çdo gjë që mund të dinë për të. U drejtohem veçanërisht atyre personave që e njihnin dhe kishin shoqëri me atë person që kur unë u kam kërkuar të më tregojnë ku u zhduk, pasi rrëmbeu fëmijën, kanë ngurruar duke mbledhur buzët. Por i bëj një apel shtetit tim që të jetë prezent në këtë ngjarje. Shteti im nuk gjendet asgjëkund, ndaj dua që të më ndihmojë në këtë tmerr që na ka kapluar këtu në kurbet.
Burimi: Gazeta Shqip






