“Tirana 2008″, pershendetet me lexuesin
U mbyll dje edicioni i 11-të i Panairit të Librit “Tirana 2008″. Nga data 14 deri më 18 tetor, ditët e këtij panairi kanë shënuar një fluks të madh vizitorësh. Ndërkaq, Shoqata e Botuesve Shqiptarë ka vendosur se Panairi i 12-të i Librit “Tirana 2009″ do të mbahet në datat 10-15 nëntor të vitit që vjen. Organizatorët deklarojnë se gjatë pesë ditëve të panairit, janë shitur rreth 150 mijë kopje librash, ndërsa mendohet se të ardhurat nga shitjet të jenë rreth 70 milionë lekë. Edicioni i sivjetshëm i panairit të librit, sipas organizatorëve, ka arritur pritshmërinë ndaj e kanë cilësuar si mjaft të suksesshëm. Gjatë ditëve të panairit, morën pjesë personalitete si Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Sali Berisha dhe ministri i Kulturës, Ylli Pango. Visar Zhiti u vlerësua si “Shkrimtari i vitit” me vëllimin me tregime “Shekull tjetër”, ndërsa Ardian Klosi si “Përkthyesi i vitit” me “Antologjia e tregimit të gjuhës gjermane”. Dy të ftuarit e nderit në këtë panair ishin shkrimtarët italianë, Alberto Bevilacqua, i cili çeli edhe edicionin e 11-të të panairit dhe Raffaele Nigro, një ndër shkrimtarët italianë që kontaktet me Shqipërinë dhe shqiptarët i ka tepër të hershme. Qëllimi kryesor i panairit ishte ekspozimi i botimeve të reja dhe kontakti i lexuesit me librin. Në këtë edicion të 11-të të Panairit të Librit morën
pjesë jo vetëm botues nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, Maqedonia, Mal i Zi etj.
Burimi: Gazeta Shqip





