Blushi: Ky eshte Kodi qe nxjerr Sali Berishen nga politika
Deputetët kryesorë të Partisë Socialistë kanë bërë të ditur se Kodi i ri Zgjedhor, është certifikata ligjore që do të ndikojë në disfatën e mazhorancës aktuale. Në mbrojtje të Kodit të ri aktual, deputeti i PS-së, Ben Blushi, ka theksuar se “ky është kodi që nxjerr Sali Berishën nga politika”. Deputeti Blushi sqaroi se motivi që e bëri të thyejë heshtjen, ishte pikërisht greva e urisë së 10 deputetëve. “Në kushte të tjera, nuk do të kisha folur, për shkak të grevës nuk është koha për të heshtur”, u shpreh Blushi. Sipas tij, këto ditë është krijuar përshtypja sikur greva është një problem mes PS dhe LSI, çka e ka detyruar Blushin të dalë në ofensivë politike. Me kolegët e grevës që dolën, me Ilir Metën, Spartak Brahon dhe Petro Koçin, PS ka fituar një palë zgjedhje që deputeti Blushi nuk i ka harruar, ato të vitit 2001. Por ka kujtuar, deputeti socialist, “së bashku me Petron ne kemi humbur një palë zgjedhje në vitin 2005 dhe sigurisht këtë nuk e harroj dot”. Në atë kohë, tha Blushi, kolegët tanë thanë që ne që jemi këtej, ishim të korruptuar edhe besoj që sot, e kanë kuptuar se në fakt të korruptuarit janë pas meje, dhe sot kanë arsye për t‘u bërë pishman për çfarë kanë thënë për ne të këtij krahu. Blushi deklaroi se është arsyeja që ne duhet të flasim sot, sepse nuk mund të lejoj njeri të më akuzojë mua dhe shokët e mi, që kemi arsye dhe mundësi, dëshirë, e vullnet për të vjedhur votat vitin tjetër. Duke mohuar vjedhjen e votave nga ana e PS-së, Blushi tha se në 2005 dhe 2007, LSI ka marrë pothuajse atë numër votash në Shqipëri dhe sigurisht mori në 2005 pa komisionerë dhe në zgjedhjet e 2007-ës me komisionerë. Deputeti socialist vazhdoi në fjalën e tij, duke theksuar se “ne në 2005-ën nuk kishim as dëshirë dhe as mundësi dhe nuk e bëmë që të vidhnim votat e tyre, ku do të ishim më shumë në krah dhe në pushtet, sepse për shkak të LSI, 15 prej nesh u dogjën dhe nuk janë më në këtë sallë”. Blushi ka premtuar se PS-ja do të jetë garant i zgjedhjeve të 2009-ës, duke ruajtur çdo votë të shqiptarëve, mbi të gjitha çdo votë që hidhet kundër Sali Berishës, sepse, tha Blushi “ky është qëllimi për 2009-ën dhe pse kemi bërë këtë kod, i cili është një mundësi, instrument, shans më shumë për të votuar kundër Sali Berishës vitin tjetër, është për të nxjerrë Sali Berishën nga politika, dhe ky është qëllimi. Në të njëjtën linjë diskutimi, duke vlerësuar kodin dhe duke akuzuar mazhorancën për vjedhje votash ka qenë edhe deputeti tjetër i PS-së, Gramoz Ruçi. I cili ka theksuar se miratimi i projekt-Kodit Zgjedhor të Republikës, është aktualisht detyra më e madhe që i ka mbetur këtij Parlamenti. “Me këtë Kod, ne sot i ftojmë shqiptarët të zgjedhin një parti, një program, një ekip dhe një lider. Me këtë kod shqiptarët do ta kenë shumë më të thjeshtë zgjedhjen e tyre politike nga sa është bërë deri më sot”, tha Ruçi. Duke u ndalur te debati politik ai tha se, për fat të keq, nuk i takojnë vetë kodit, por klimës së mosbesimit. “Edhe ne nuk besojmë te zgjedhjet që bën Sali Berisha me të tijtë. Nuk e kemi harruar as ‘96-ën e as 2007-ën. Përkundrazi, e kemi analizuar dhe mendojmë se kemi mësuar si të sillemi me këtë njeri, edhe pa qenë nevoja të radikalizojmë sjelljen politike vetëm 7 muaj para zgjedhjeve” ka theksuar deputeti i PS-së. Ne sot, tha Ruçi, na duhet të miratojmë rregullat e lojës dhe jo të diskutojmë për rezultatin e saj ende pa filluar.
PS-ja do të jetë garant i zgjedhjeve të 2009-ës, duke ruajtur çdo votë të shqiptarëve, mbi të gjitha çdo votë që hidhet kundër Sali Berishës, sepse, tha Blushi, “ky është qëllimi për 2009 dhe pse kemi bërë këtë kod”.
Burimi: Gazeta Shqip





