Bukuria e patjetersueshme e te lexuarit
Një libër i hapur, pranë një gote vere. Në sfond bulon me kërcëllimë zjarri në vatër. Jashtë flokon dëborë. Një peizazh idilik do të thoshte dikush, një peizazh prej kohësh të shkuara. Po përse? Si do të ishte vallë një peizazh prej kohësh “moderne”? Një PC, ku bulojnë dritarezat e chat-eve (bisedave virtuale), në sfond zëri i moderatorit të një “talkshow”, ku rrihen problemet e marrëdhënieve të koklavitura njerëzore me njerëz që nuk rreshtin së gjykuari e paragjykuari, e ndoshta pranë PC mund të gjendet edhe një kanoçe me pije të ashtuquajtur “energizing” (energjidhënëse), që në vend të zjarrit jashtë, si në rastin e vatrës, ta bulon zjarrin nga brenda. Po mirë, ja ku kemi dy peizazhe me diçiturën përkatësisht “i vjetër” “i ri”. Ju kë do të zgjidhnit? E zëmë se ndiheni i ri e trendy (një hap me tendencën) dhe preferonin PC e dritarezat e bisedave virtuale. Ja do të llafosni e llafosni duke thurur rrjeta flirtesh me njerëz që kanë të njëjtën nevojë për njerëz, por që “peshkojnë” në monitore kompjuterësh, ja do të rrëkëllenit pijen e zjarrtë e do të dëgjonit nga ekrani rrëfimin e dëshpëruar të një zemre të bërë copash, po pastaj? Do të flinit të ngopur me një botë virtuale, pasi ta kishit shuar etjen në burimet e energjive që të ngrenë e të zbarkojnë diku më poshtë nga të kanë gjetur. E çfarë ëndrrash do të shihnit kur t‘ju zinte gjumi? Në rastin më të mirë nuk do të shihnit ëndrra, ndërsa nëse kjo do të ndodhte, mbase mund t‘ju faniteshin njerëz pa koka që kërkojnë në errësirë shpirtrat binjakë, duke përdorur si fjalëkalim formulat e bisedave virtuale, apo shkurtimet e fjalëve të shndërruara në iniciale. Nëse do të “rrezikonit” të zgjidhnit peizazhin e parë, ndoshta vera, vatra e dëbora mund të mos gjendeshin kollaj, por libri, dritarja e madhe, jo e bisedave virtuale, por fateve e jetëve njerëzore, është lehtësisht i patshëm, edhe pse jo më si më parë i preferueshëm. Nëse zgjedh librin, zgjedh sfidën e të përballurit, zbaviturit e kuptuarit të gjërave që janë jashtë teje, por edhe të asaj çka je ti. Të zgjedhësh librin është njëherazi klasike dhe tendencë, sepse një libër nuk është modë, një libër është po aq unik dhe i pandashëm nga jeta e zhvillimi njerëzor sa ç‘është një fjalë, një fjali, një gjest dashurie, një duartrokitje, apo një shuplakë. Një libër është një njeri, një tërësi njerëzish, ku e panjohura ndërthuret me të njohurën dhe nga magjja magjike e muzës dhe e fantazisë formëzohet një produkt me të cilin mund të kalosh përvoja të paharrueshme. Kjo na ka ndodhur të gjithëve me librat e fëmijërisë dhe përjetimet e tyre që na kanë ardhur në ndihmë në momentet e vështira të mëvonshme. Një libër është një mik, një udhërrëfyes, një pasqyrë, një shok dhome, një “qenie” që ka durimin të na presë, kur teksa lexojmë, zhytemi në botën tonë, për t‘iu rikthyer sërish faqeve të lëna përgjysmë, pas një përjetimi personal; një libër është një ngushëllim, një rrugëzgjidhje, një libër është një dritë më shumë, një dritë për momentin që e lexojmë dhe çka përbën edhe magjinë e vërtetë, një dritë në momentet kur kemi më shumë nevojë për të. Pasi ka hyrë në botën tonë, ai nge folenë përjetësisht aty dhe shndërrohet në pjesë të pasurisë shpirtërore e vlerave tona. Së fundmi, një libër është një dorë që na zgjatet për të na rrëfyer një copëz historie e përjetimi njerëzor. Marrëdhënia me të është gjithmonë sublime, edhe kur një libër është i dobët, pesimist, apo i “mbrapshtë”, sepse një libër është edhe një komunikim që të grish të dialogosh me veten. Duke iu rikthyer fillimit, në një libër mund të gjesh edhe gotën me verë, edhe zjarrin në oxhak, edhe borën përtej dritares, të gjitha këto pjesë të një peizazhi të përjetshëm sa vetë bota. Merreni në duar veçanërisht këto ditë festash dhe jepini vendin e nderit. Përjetoni së bashku me të një aventurë më shumë, që mund të shndërrohet edhe në aventurën e jetës suaj, sepse një libër nuk vjen kurrë vetëm…
Burimi: Gazeta Shqip



