“Norma”, tragjedia rikthehet ne Tirane
“Norma”, opera me dy akte e kompozitorit Vicenzo Bellini rikthehet në Teatrin Kombëtar të Operës e Baletit. Tragjedia lirike do të vijë edhe një herë në skenën shqiptare me regji të italianit Nicola Zorzi në datat 7, 8 dhe 13 shkurt. Protagonistët e kësaj vepre të Belinit në skenën shqiptare do të jenë sopranoja
Eva Golemi dhe Branko Robisak. Skenografia i është besuar Genc Shkodranit. Nën dirigjimin e Dritan Lumshit do të interpretojë edhe kori dhe orkestra simfonike e TKOB. Kompozuar në më pak se tre muaj, “Norma” u shndërrua në më të suksesshmen ndër 10 operat e krijuara prej Belinit. Ai zgjodhi për të transformuar në opera një subjekt teatral të kohëve të fundit. Në prill 1831, një tragjedi e Alexandre Soumet, “Norma ose L‘infanticide”, ishte vënë në skenë me sukses të madh në Teatrin Mbretëror të Odeonit të Parisit. Dramaturgu francez e kish përqendruar punën e tij mbi tri tema. Në fillim motivi i priftëreshës që shkel principet fetare. Nga tradita e vjetër klasike zbriste tema foshnjëvrasëse si hakmarrje për një tradhti dashurie. Dhe në fund motivi me ritet e lashta në pyllin e shenjtë druidik (drui - prift i keltëve të lashtë), element i imagjinatës së romanticizmit.
Drama e Soumet, që frymëzoi Belinin, nuk bënte gjë tjetër veçse aktualizonte në çelës romantik tema të rrënjosura mirë në traditën klasike, që i përkiste tragjedisë antike greke. Intriga e operës “Norma” luhet e gjitha mbi alternimin dhe depërtimin e dy planeve: atë “publik”, që manifestohet në momentet rituale dhe kolektive, dhe atë private, në të cilin veprojnë ndjesitë personale dhe shpërthen konflikti i pasioneve që përfshin Normën, Adalgizën dhe Pollionen.
Burimi: Gazeta Shqip



