Trishtimi i Lorik Canes, ne dyshim ndaj Maltes
Lorik Cana duket se do të jetë një dhimbje koke për trajnerin e kombëtare sonë, Ari Han. Kur duhen edhe rreth 15 ditë nga ndeshja kundër Maltës (që do të luhet në transfertë më 11 shkurt), është vetë futbollisti ai që hedh dyshimet për rikuperimin e formës së tij fizike. Ditët e fundit, në shtypin francez, janë karakterizuar nga një sërë lajmesh që kanë hedhur poshtë njëri-tjetrin në lidhje me këtë çështje. Por tashmë për të sqaruar këtë situatë ka menduar vetë Cana, i cili ka theksuar se nuk ka ndërmend të rrezikojë të gjithë sezonin, vetëm e vetëm për të luajtur më 8 shkurt në ndeshjen ndaj Bordosë. Por, pikërisht një pohim i tillë vë në diskutim edhe mundësinë e riaftësimit të tij për ndeshjen me Maltë-Shqipëri për eliminatoret Botëror 2010, që do të luhet vetëm katër ditë më vonë. Dëmtimi në gju e la atë jashtë stërvitjes dhe fushës më gjatë sesa pritej dhe kosovari sqaron se do të tregohet shumë i kujdesshëm për të ruajtur veten nga një dëmtim, i cili mund t‘i rrezikonte pjesën tjetër të sezonit. Cana e ka ndjekur me shumë kujdes situatën e tij pas dëmtimit të pësuar disa javë më parë, por ecuria e rikuperimit është shumë e ngadaltë dhe kjo e ka bërë të ndihet shumë i trishtuar dhe me shpresa të pakta për një rikthim të shpejtë në fushën e lojës. Lajmi është bërë i njohur nga vetë futbollisti i kombëtares shqiptare në një prononcim të dhënë për të përditshmen franceze “La Provence”. “Do të tregohem shumë i kujdesshëm, shpjegon ai, në prononcimin për gazetën marsejeze, nuk dua të rrezikoj, sepse nuk kam ndër mend t‘ia filloj riaftësimit nga e para. Janë edhe 4 muaj të mbetur nga sezoni dhe dua të jap kontributin tim”. Kjo nuk është hera e parë që futbollisti shqiptar është dëmtuar në gjurin e tij të djathtë. “Po është e vërtetë, por këtë herë po zgjat vërtet shumë”. Lojtari i Kombëtares kuqezi po vazhdon riaftësimin e tij, kryesisht me ushtrime ujore në pishinë, por edhe me pjesën tjetër të programit special individual. “Jam i kënaqur me atë që kam bërë deri tani në pishinë, shtoi Cana, nuk do të jap një datë për rikthimin tim në fushë”. Gazeta nxjerr përfundimin se dalja e tij në terren më 8 shkurt duket shumë pak e mundshme. Cana nuk ka luajtur asnjë ndeshje në vitin 2009 dhe trajneri i OM-së, Erik Gerec, shpresonte që futbollisti të ishte gati pikërisht ndaj Bordosë. Ndërkohë që ka ardhur një reagim edhe nga ana e stafit mjekësor të vetë klubit të Olimpikut të Marsejës. “Ne duhet të kemi durim, tha të enjten doktor Françeski, nuk duam që gjuri i Lorikut të fryhet sërish. Shpresojmë për 10 ditë. Kemi përdorur gjilpëra për ta tharë gjurin. Para rikthimit në fushë atij do t‘i duhet të paktën një stërvitje njëjavore me pjesën tjetër të grupit, gjithmonë nëse nuk ndien dhimbje në gju”.
Burimi: Gazeta Shqip



