Withers: NATO, nje faqe e re per vendet e A3
Kryediplomati amerikan në Tiranë, John Withers, i kërkon qeverisë shqiptare të vazhdojë reformat ekonomike dhe ushtarake pesë javë përpara Samitit të NATO-s. “Anëtarësimi i Shqipërisë do të shënojë një hap të ri, por puna për vendet e A3 nuk ka përfunduar”, u shpreh Uidhers. Ambasadori amerikan në Tiranë bëri me dije se faktori ndërkombëtar është në pritje që në Shqipëri të vazhdojnë reformat demokratike, ekonomike dhe ushtarake. “Me zgjerimin e NATO-s, Ballkani do të jetë më i sigurt dhe më i qëndrueshëm”, u shpreh ai. Karta e ‘Adriatik 3‘ ka mbledhur dje në Tiranë delegacionet parlamentare të Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjës. Në të njëjtin sinkron me fjalimin e shefit të diplomacisë amerikane në Tiranë ka qëndruar edhe sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë parlamentare të NATO-s, David Hobs. “Zgjerimi i NATO-s nuk kërcënon stabilitetin e askujt, por aspirantët për t‘u bërë pjesë e saj duhet të tregojnë arritje dhe jo vetëm aspirata”, theksoi Hobs. Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë parlamentare të NATO-s sqaroi për se për të qenë anëtarë me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut, “duhet që të tregohet angazhim për t‘i bërë realitet aspiratat”.
E djathta dhe e majta “takohen” sërish në një pikë të përbashkët. Kryeministri Berisha e cilëson hyrjen e Shqipërisë në NATO si një motiv që do të garantojë sigurinë dhe lirinë e një vendi, ndërsa kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, kërkoi që politika të lexojë qartë mesazhin e Presidentit Bush.
“Në Samitin e Bukureshtit, duke ju referuar Shqipërisë e Kroacisë që morën ftesën për në NATO, Presidenti Bush tha se këto vende janë gati për të marrë përgjegjësi. Besoj mesazhi është i qartë”, u shpreh Leskaj, duke shtuar se opozita nuk është refuzuese, por ofruese në procesin e anëtarësimit të vendit në NATO.
Duke folur për zgjedhjet e 28 qershorit, Kryeministri Berisha kërkoi nga delegacionet parlamentare të pranishme në Kartën e Adriatikut 3, që të sjellin vëzhgues për të monitoruar zgjedhjet.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nën cilësinë e organizatorit të kësaj konference, tha se “në samitin e NATO-s në prill, jam krejt e sigurt se do të tregojmë se së bashku me amerikanë e evropianë, me vendet e Balltikut të Veriut, me Turqinë e Kanadanë, jemi gati të takohemi me sfidat dhe premtimet e shekullit XXI”. Konferenca me temë “Karta e Adriatikut, Integrimi Euro-Atlantik dhe Sfidat e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, do të vazhdojë edhe sot, dhe tematika e saj është e fokusuar në sigurimin e burimeve për mbrojtje, zbatimin e reformat ushtarake, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, trafikut të armëve, lëndëve narkotike, të qenieve njerëzore, tregtisë së paligjshme dhe formave të tjera të krimit ndërshtetëror.



