Sezoni i ri “Portokalli’, rikthen aktorin korcar Arben Dervishi
Sezoni 2009 i spektaklit “Portokalli” starton nesër në ekranin “Top Channel”, ndërsa publiku është kurioz për të rejat që do të vijnë në këtë sezon. Stafi i këtij spektakli humori dhe trupa e aktorëve, kanë punuar gjatë këtyre muajve për të sjellë të rejat e fundit, që do të jenë shumë karaktere, dhe një skenografi paksa e ndryshuar. Sipas burimeve tona, trupës së aktorëve i rikthehet sërish aktori korçar, Arben Dervishi i cili ka luajtur më parë baristin pijanec, ndërsa do të vazhdojnë të jenë aktorët e sezonit të kaluar. Për- sa i përket roleve, aktorët në këtë sezon do sjellin çdo javë role të reja, si dhe padyshim nuk do mungojnë personazhet e prezantuara gjatë sezonit 2008. Aktorët do të vazhdojnë t’i shkruajnë vetë pjesën më të madhe të teksteve, ashtu siç kanë bërë më parë. Edhe pse është krijuar tashmë një galeri e tërë karaketresh që shpesh hyjnë dhe dalin nga spektakli “Portokalli”, një pjesë të konsiderueshme të shfaqjes do e zënë imitimet e personazheve VIP. Në sezonin e kaluar hynë gjashtë aktorë të rinj, tre prej të cilave ishin femra si dhe u vu re pjesëmarrja e aktorëve të rinj nga Prishtina. Pjesë e humorit do të jenë dy personazhet e vjetër, që u rikthyen sezonin e kaluar, Ponja dhe Ramadani. Shfaqja do të jetë “live”, të premten dhe të shtunën në sallën pranë Ish-ekspozitës, ndërsa të dielën do të transmetohet në mbrëmje në ekranin e “Top Channel”. Stafi është i njëjti dhe përbëhet kryesisht nga regjisori Altin Basha, drejtues Amarda Toska e Agron Llakaj, dhe kostumografe Ilirjana Basha.
Burimi: Top Channel



