Lamtumira e Dalic: Ishte faji im
Pas më pak se 24 orësh nga deklarimi për dorëheqje, vjen edhe zyrtarizimi i lamtumirës së Zlatko Daliç nga Dinamo. Por para se të merrte valixhen në drejtim të Kroacisë, ai ka preferuar të rrëfehet para medias për arsyet që e shtynë drejt këtij përfundimi, por edhe për kohën e bukur që kaloi në 7 muajt te blutë. Dy humbjet radhazi e kanë rënduar shumë dhe nëpërmjet dorëheqjes ai sqaron se, dëshiron të kryejë një akt moral. Por këtë e bën duke marrë mbi vete përgjegjësitë.
Përgjegjësia
Tashmë rruga e tij, ajo e Dinamos, nuk mund të jenë më e njëjta. Prandaj ai ka braktisur ekipin, i cili është stërvitur pa të. Në fund të saj është shfaqur në ambientet e klubit për të bërë një lamtumirë “model”, nëpërmjet një konference shtypi dhe një ndarjeje të përzemërt me lojtarët dhe drejtuesit. “Pas ndeshjes u thashë lojtarëve, që do të jap dorëheqjen dhe akoma i qëndroj kësaj deklarate, rrëfehet tekniku kroat i bluve. Është normale që pas dy humbjeve radhazi, përgjegjësia është vetëm e imja. Unë jam trajneri i skuadrës dhe nuk i prisja këto dy humbje. Unë e pashë si të pamundur për të vazhduar në këtë mënyrë. Moralisht duhet që të largohem nga klubi, pa marr parasysh faktin që presidenca kërkoi që unë të qëndroja”.
Pengu më i madh
Zlatko Daliç e ka parë të moralshme, që të kërkojë të largohet nga Dinamo, por në këtë largim ka marrë me vete edhe një peng. “Do të kisha dashur të ndryshoja mentalitetin e lojtarëve të Dinamos. Do të kisha dashur t‘i mësoja më mirë të luanin futboll. Atyre u duhet më shumë guxim, u duhet të stërviten më shumë, u duhet të futen në lojë për të fituar. Por nuk mund të fitosh një ndeshje futbolli, për të cilën mendon vetëm në ditën që do të luhet ndeshja. Kam pasur ambicie shumë të madhe me Dinamon, por këto momente nuk dua të them asgjë negative, sidomos kundrejt lojtarëve të mi. E them sërish, e gjithë përgjegjësia është vetëm e imja”. Largimi i Daliç vjen pas dy humbjeve radhazi në dy ndeshjet derbi radhazi: ndaj Tiranës 2-4 dhe Partizani 0-1.
Këshilla e fundit
“Kam ndenjur këtu për gjatë shtatë muajve, ku ia kam kaluar shumë mirë në Tiranë. Ju falënderoj juve gazetarëve, falënderoj edhe lojtarët e mi, drejtuesit e klubit dhe sidomos tifozët, që ishin përkrahja ime. Më erdhi shumë keq, që erdhi puna deri këtu, por ndodh edhe kështu. Ua kam thënë edhe lojtarëve që të mbajnë kokën lart të vazhdojnë të luajnë për të ruajtur titullin kampion. I uroj Dinamos shumë fat dhe sukses.” Pas konferencës, Daliç ka kërkuar grumbullimin e të gjithë lojtarëve për t‘i falënderuar për bashkëpunimin dhe nga ana tjetër për t‘u kërkuar falje për këtë mënyrë ndarjeje pas kësaj aventure 6-mujore nën drejtimin e Dinamos, të cilën, pas 19 javësh, e la të 3-ën në tabelë. Tashmë e ardhmja e tij ashtë larg Dinamos. Si fillim ai do të rikthehet në shtëpi, ku do të duhet të angazhohet në grumbullimin e përfaqësueses kroate U-21, e cila po përgatitet për ndeshjen me Maqedoninë. Më pas do të qëndrojë për një periudhe pushim për t‘u rikthyer ndoshta në krye të Kombëtares U-21 të Kroacisë.
Burimi: Gazeta Shqip



