Tregtari var veten per shkak te borxheve
Një tregtar i ka dhënë fund jetës për shkak të gjendjes depresive, që i ishte krijuar nga borxhet e marra. Gjergj Sh., 43 vjeç¸është vetëvaruar mesditën e djeshme në banesën e tij në Tiranë, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për këtë rast. Burimet policore bënë të ditur se rreth orës 13:30 janë njoftuar se një burrë është gjetur nga familjarët e tij, i vetëvarur në banjën e apartamentit. Sipas policisë, ngjarja është njoftuar se ka ndodhur në një pallat pas shkollës “11 Janari” dhe menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer veprimet e nevojshme. Nga mbledhja e provave ka rezultuar se 43-vjeçari ka qenë tregtar materialesh ndërtimi, por firma e tij ka shkuar drejt falimentimit dhe për këtë shkak ka marrë borxhe, të cilat nuk ka mundur t‘i shlyejë. Në këto kushte ka kaluar në depresion, duke vendosur t‘i japë fund jetës.
Po dje, një tjetër person ka tentuar t‘i japë fund jetës, duke përdorur një thikë. Sipas policisë, rreth orës 16.30, në spital është dërguar i plagosur me thikë Xhelil K., 29 vjeç, banues në Kamzë, i cili në gjendje depresive ka tentuar të vrasë veten. Sipas policisë, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe këtë akt e ka ndërmarrë edhe ai për shkak të borxheve.
Burimi: Gazeta Shqip



