Nano: Une flas edhe duke heshtur
Ish-lideri i Partisë Socialiste, Fatos Nano, në një prononcim për mediat, ka thumbuar liderin e Partisë Socialiste, Rama, duke u shprehur se PS-ja nuk përfaqësohet nga politika e sotme zyrtare. Sipas tij, kjo politike është e pakuptimtë jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të majtët. Deklaratat Nano i bëri gjatë momentit të aplikimit për kartën e identitetit. Ish-kreu socialist ju drejtua në orët e paradites zyrave të minibashkisë numër 10, ku kreu procedurat së bashku me bashkëshorten e tij, Xhoana Nano. Procesi i marrjes së shenjës së gishtave nuk kaloi lehtësisht, pasi u desh që ai të vendoste duart dy herë mbi aparaturë. Pas aplikimit, Nano ju përgjigj interesit të medias:
Zoti Nano, jemi vetëm pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, dhe ju deri tani keni heshtur. Cili do të jetë angazhimi juaj politik në këtë periudhë të shkurtër kohore?
Unë besoj se flas duke heshtur gjithashtu. Natyrisht nuk mund të jem pranë një politike që është në vlerësimin tim e pakuptimtë, pavarësisht nga etiketat e reja. Dhe e pafrytshme jo vetëm për shqiptarët në përgjithësi, por edhe për popullin e majtë në veçanti, madje vazhdoj të mendoj sesi është e mundur që politikanët e rinj nuk po kalkulojnë as interesat e karrierës së tyre personale.
Do kandidoni për deputet?
Nuk e kam shtruar këtë pyetje ndonjëherë.
A do jeni pjesë e fushatës elektorale në përgjithësi dhe a do jeni pjesë e PS-së?
Nuk besoj se Partia Socialiste përfaqësohet nga politika e sotme zyrtare.
Zoti Nano, a mund të jeni pjesë e Partisë Socialiste të Vërtetë?
Unë jam i vërtetë kështu siç jam, nuk kam nevojë të fus ndonjë dorë për të përçarë akoma më tej të majtën.
Do të thotë që jeni socialist i vërtetë atëherë…
Lërjani batutat “Fiks”-it dhe jo mua.
Burimi: Gazeta Shqip



