Fatmir Limaj nderton shpresen me rruge te reja
Nuk janë shumë vende në Evropë, ku ministër i Transportit është një hero, emri i të cilit këndohet në këngë folklorike. Por, Kosova nuk është një vend i zakonshëm. Vendi që ka mbushur një vit para një muaji, është ku Fatmir Limaj po korr sukses në punën që gjithkush tjetër këtu ka dështuar: në ndërtimin e rrugëve. Limaj është në shumë mënyra histori për Kosovën. Në vitin 1998, ai e mori armën si udhëheqës rebel, e fitoi betejën e parë reale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër serbëve dhe u bë i njohur si “Komandant Çeliku”. U arrestua dhe më vonë u shfajësua nga Tribunali i Hagës për krime lufte. Sot ai vesh kostum të zi dhe këpucë origjinale të lëkurës, pret shirita dhe negocion mbi rrugë të asfaltuara çimentoje të freskët.
Në vitin 2007, kur Limaj u bë ministër i Transportit vetëm disa milje të autostradës me katër korsi ekzistonin në Kosovë. Vjet ai ndërtoi 8 milje me ndërrime 24 orësh të punës dhe tani parasheh ndërtimin edhe të tetë miljeve tjera të autostradës me katër korsi. Kosovarët e duan atë. Limaj e sheh Ministrinë e Transportit gati si ministri të tijën personale, një thirrje për të ndërtuar vendin. Ai e ka lexuar librin “Guximi për të Shpresuar” të Barak Obamas dhe duket të përcjellë një mesazh “Po, ne mundemi”, te kosovarët cinikë të lodhur nga premtimet e papërmbushura dhe rrugët plotë baltë. Me kredenciale rebele në një shoqëri të dominuar nga shqiptarët, Limaj ka goditur çështjen, ka gjetur konsensusin me kontraktuesit dhe ka mobilizuar forcën punëtore. Ai rregullisht i viziton njësitë punuese në mesnatë apo më vonë.
Vitin e kaluar, një ekip i televizionit e ka filmuar atë ndërsa drejtonte punën në ora 3 pas mesnate, duke i treguar vendit se ndryshimi me të vërtetë po merrte udhë. “Jam i papushtueshëm nga natyra ime, pyeteni gruan time”, thotë ai. “Ndërtimi i vendit ka qenë ëndërr e gjeneratës sime. Tash po e jetoj atë ëndërr, por ka shumë për të bërë”. “Njerëzit tanë janë punëtorë të mëdhenj, por atyre u duhet një menaxher i mirë ta kanalizojë energjinë e tyre”. Transformimi i shtigjeve të gomarëve në autostrada. Një udhëheqës i një organizate joqeveritare perëndimore, që ka jetuar për disa vite në Kosovë, e përshkruan Limajn si “një nga të mirët… Metodat e tij nuk janë tipike, por janë praktike dhe me gjasë çfarë Kosova ka nevojë tani”. Rrugët në këtë shoqëri agrare kanë qenë kuturu dhe të varfra që udhëtarët nga Evropa veriore shpeshherë kanë humbur edhe viteve të fundit. Infrastruktura rrugore e shekullit XXI nënkupton zhvillim.
Tani një dekadë pasi NATO ka intervenuar dhe pavarësisht buxhetit për autostradë, shumë pak është bërë. Rrugët e fshatrave kishin mbetur primitive, të pashtruara dhe ankth në dimër. “Autostrada” kryesore nga Aeroporti i Prishtinës ishte me dy korsi, e ngarkuar dhe gropa-gropa. Vitin e kaluar, ministria e Limajt i shtroi apo riparoi 500 milje të autostradës, duke adaptuar strategjinë e lidhjes së fshatrave me njëri-tjetrin dhe me arteriet kryesore. “U ndërtua aq shumë në rrugë sa ne të gjithë filluam të pyesin përse një gjë e tillë nuk kishte ndodhur më parë”, thotë Artan Mustafa, redaktor i politikës në gazetën “Express”. “Me sa duket, një nga arsyet është se Limaj ka fuqi. Askush nuk mund t‘i thotë (Komandant Çelikut) se rruga nuk mund t‘i bie këndej apo andej. Ai u tregon juve, ju nuk mund t‘i tregoni atij”.
Ndërsa flet nga zyra e tij afër ndërtesës së re të Parlamentit, Limaj shpjegon pasionin e tij për Atdheun. “E ndiej atë 24 orë në ditë. Ishte ëndërr në rininë time të kisha Atdhe të lirë”, thotë ai. Po të më pyesnit 10 vite më parë, do t‘u kisha thënë se liria ishte e pamundur. Por, Zoti na e dha neve këtë mundësi”. Rënia e murit, test për këmbëngulje tregimi për Limajn fillon kur ai ishte udhëheqës i studentëve në fillim të 1990-së. Muri i Berlinit kishte rënë, por njeriu i fuqishëm i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, e kishte revokuar statusin special të Kosovës në Jugosllavi. Shqiptarët që përbënin 90 për qind të popullsisë, jetonin në shkallën e klasit të dytë të ekzistencës nën represionin brutal të shtetit policor - pikave të kontrollit, vrasjeve arbitrare, torturave - derisa serbët ringjallnin thellë mitin kombëtar për Kosovën si vend shpirtëror të zemrës së tyre, nganjëherë i ndaluar nga lideri i Jugosllavisë, Marshall Tito.
“Gjysma e Evropës po ecte rrugëve të paimagjinueshme për ne”, thotë ai. “Fantazma e Evropës Lindore ishte gjithkund. Njerëzit në Evropë po frymonin lirshëm. Por, për ne po ndodhte e kundërta. Evropa po ecte përpara dhe ne po ecnim prapa”. Debati publik nuk lejohej në Kosovën e re dhe studentët u rebeluan. “Ne kërkonim që zëri ynë të dëgjohej në Jugosllavinë federative”, rikujton Limaj. Ne donim ta paralajmërojmë qendrën se sa i rrezikshëm ishte programi i Millosheviqit, për të parandaluar masat energjike”. Për një dekadë, Limaj dhe Kosova pritën që lideri politik dhe shpirtëror i Kosovës, Ibrahim Rugova, të reagonte ndaj taktikave të Serbisë me strategjinë gandiane të qetësisë dhe jo dhunës. Kulmi për kosovarët u arrit me marrëveshjen për paqe të Shteteve të Bashkuara në Dejton për Bosnjën. “Pas Dejtonit, të gjitha shpresat dhe ëndrrat u shuan”, thotë Limaj. “Ai Millosheviq do të kishte vrarë pandëshkueshmërisht për vite dhe të prezantonte veten e tij për paqe… kjo ishte dëshpëruese për ne. Nuk kishte shpresë. E pamë se çarë po bënte ai këtu. Është e vërtetë, nëse një person normal ka një zgjidhje, ai kurrë nuk do ta zgjidhte luftën. Por, ishte ose të largohemi nga Kosova ose të organizohemi për rezistencë”. Limaj fiton respekt Komandanti i parë gëzon më tej statusin e heroit të UÇK-së. Por, Limaj ishte i pari që i ndryshoi taktikat e UÇK-së - të karakterizuara nga guerile përleshje në fshatra dhe duke u fshehur në male - duke u konfrontuar me forcat serbe haptas. Njësiti i tij eventualisht mbante nën kontroll dy rrugë kryesore dhe strehonte 85 mijë njerëz, një spital dhe një radio-stacion.
Javën e kaluar, Tribunali i Hagës për krime të luftës në Jugosllavi e dha verdiktin e parë për luftën e Kosovës. Katër gjeneralë serbë u shpallën fajtorë për përdorim sistematik të forcës kundër civilëve. Por, tribunali e shfajësoi Presidentin e atëhershëm të Jugosllavisë, Milan Milutinovic, duke vlerësuar Millosheviqin si përgjegjësin kryesor: “Praktikisht, ishte Millosheviqi, nganjëherë i quajtur ‘komandant suprem‘, i cili ka ushtruar autoritetin komandues… gjatë fushatës së NATO-s”, ka pohuar gjykatësi Iain Bonomy. Millosheviç vdiq në qelinë e tij, në Hagë, në vitin 2006, gjatë kohës që gjykohej për gjenocid në Bosnjë dhe Kosovë. Koha e Limajt në Hagë mbetet nga më të ndjeshmet. Ishte arrestuar për krime gjatë shërbimit si udhëheqës i UÇK-së në rajonin e Llapushnikut. Ai mohoi fajësinë, por u pajtua të përballet me akuzën. “Aq sa nuk pajtohesha me akuzat, e ndieja se ishte përgjegjësi e jona t‘i përgjigjeshim”, thotë Limaj. “Kështu, thash se do të shkoj në Hagë dhe isha i sigurt se drejtësia do të triumfojë”. Ishte i vetëm, shqetësuese për Limajn.
Kur u lirua në vitin 2005, ai me hidhërim kritikoi autoritetet e Kosovës për mungesë të përkrahjes së ligjshme logjistike që ai ndiente se e ka shkurtuar gjykimin e tij. “Nuk doja të isha njeriu që i frikësohet drejtësisë. Por, në një situatë si ajo, ke miliona mendime që të sillen në kokë”. Kur Limaj u kthye, mijëra kosovarë bënë pelegrinazh në shtëpinë e tij. Dy përpjekjet për t‘u bërë udhëheqës i Prishtinës i dështuan. Por, kryeministri Hashim Thaçi ia dha atij Ministrinë e Transportit, të cilën e pëlqen. Çfarë mori Limaj nga libri i Obamas, “Guximi për të Shpresuar” ishte organizimi i komunitetit nga presidenti në Çikago. “Ai shkoi shtëpi për shtëpi për t‘i kuptuar njerëzit, shpresat dhe ëndrrat e tyre, kështu që në kohën kur të garonte për President mund t‘u drejtohej të gjithëve”. Kjo do të jetë detyrë në Kosovë, akoma e ndarë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. “Qëllimet e Kosovës janë humane… ne nuk duam t‘i lëndojmë apo dëmtojmë të tjerët… por të lejojmë secilin të jetojë së bashku në shtetin e ri”. Testi më i madh i Limajt do të jetë më tej. Pasi t‘i ketë fituar zemrat si njeri që i kryen punët dhe emri i së cilit është vënë në këngët folklorike shekullore të shqiptarëve - ai tani duhet ta përfundojë rrugën e Aeroportit, gjithashtu edhe rrugën e re për në Shkup dhe t‘i drejtojë vështirësitë në ndërtim. “Ai e ka fituar betejën fillestare, por tani është testi i vërtetë”, thotë një zyrtar i Kombeve të Bashkuara. Z. Mustafa, redaktori, shton se “të gjithë e duan Limajn, por unë gjithashtu pres një ditë kur një teknokrat i rëndomtë civil të japë një urdhër dhe ai të zbatohet”.
Burimi: Gazeta Shqip



