Vllaznia barazon, shkeputet Tirana
Duhej të ishte java e tri pikëve të lehta, por ndeshjet e para të fazës së tretë rezervuan mjaft surpriza. Mbi të gjitha në kreun e Kategorisë Superiore. Edhe pse luante me Bylisin, një kundërshtar që në letër është dukshëm më inferior, edhe për vendin e parafundit në klasifikim, Vllaznia nuk arrin të marrë më shumë se barazimi 0-0. Ky rezultat, i cili u regjistrua në debutimin e Dervish Haxhiosmanoviç në stolin e skuadrës, i shkëput kuqeblutë me 2 pikë nga Tirana. Me një pjesë të parë për të harruar dhe me fatin kundër në pjesën e dytë të takimit në “Loro Boriçi”, në kampin shkodran u konfirmua momenti i vështirë, që filloi me shkatërrimin 4-0 në fushën e Teutës, e shkaktoi largimin e trajnerit Agim Canaj. Dy pikët e humbura kanë ardhur si një “dhuratë” për Tiranën, pas debatit disaditor për kreun e klasifikimit në përfundim të fazës së dytë të kampionatit. Bardheblutë, në anën tjetër, nuk i lejuan vetes asnjë hap fals përballë Lushnjës, duke fituar mes vështirësive me rezultatin 2-1. Memelli hapi serinë e golave në të 25-ën, duke shënuar golin e tetë në portën e “lagunarëve” në pesë përballje të këtij sezoni mes kampionatit dhe Kupës (7 gola i ka shënuar në 180 minuta në Kupë). Sulmuesi, kartoni i të cilit zotërohet nga suedezët e Gais ishte protagonist edhe në golin e dytë të 23 herë kampionëve, kur i vetëm me portierin preferoi të pasonte te kapiteni Muka, që me portën e boshatisur nuk e kishte të vështirë ta shtynte topin në rrjetë. Miqtë nuk u dorëzuan dhe në të 82-ën, krijuan iluzionin se e rihapën ndeshje, pas penalltisë së realizuar nga Çela.
Hapin e të besuarve të Agustin Kolës vazhdon ta mbajë edhe Dinamo. Që prej emërimit të Shkëlqim Muçës në krye të skuadrës, blutë njohin vetëm triumfe. Pas 3-1 kundër Apolonisë, ata e rrisin në katër numrin e fitoreve radhazi në kampionat (5 në total, duke llogaritur edhe fitoren 2-1 në Shkodër në çerekfinalen e parë të Kupës). Me këto tri pikë, blutë i afrohen edhe më shumë Vllaznisë së vendit të dytë, me 1 pikë diferencë. Treshja sulmuese Sefa-Plaku-Bakaj vazhdon të jetë shumë efikase përpara portës, me nga një gol secili në sfidë e djeshme, ndërkohë që për fierakët kjo ishte humbja e katërt radhazi. Mbyllen në barazime 1-1 dy takimet Shkumbini-Flamurtari dhe Besa-Elbasani. Ndeshje mjaft emocionuese ishte edhe ajo në Durrës, ku Teuta arrin të fitojë 3-2 me Partizanin në sekondat e fundit të kohës shtesë. Me dy gola të Emiljano Vilës dhe një të të riut tjetër, Vilfor Hysa, të besuarit e Starovës përmbysën dy herë avantazhin e përkohshëm të miqve, që fillimisht shënuan me Ngjelën, ndërsa me pas me Karapicin.
Superiore / Java 23
REZULTATET
Tirana-Lushnja 2-1
Memelli 25‘, Muka 64‘ / Çela (11m) 82‘
Dinamo-Apolonia 3-1
Sefa 41‘, Bakaj 77‘, Plaku 90‘ / E. Haxhibuliç 85‘
Vllaznia-Bylis 0-0
Shkumbini-Flamurtari 1-1
13‘ Mustafaj / Veliu 83‘
Teuta-Partizani 3-2
Vila 48‘, (11m) 83‘, Hysa 90‘+2‘ / Ngjela 36‘, Karapici (11m) 71‘
Besa-Elbasani 1-1
Leci 64‘ / Pema 25‘
Klasifikimi
N P
1. Tirana 23 44
2. Vllaznia 23 42
3. Dinamo 23 41
4. Shkumbini 23 37
5. Besa 23 33
6. Teuta 23 32
7. Elbasani 23 26
8. Flamurtari 23 26
9. Partizani 23 25
10. Apolonia 23 24
11. Bylis 23 22
12. Lushnja 23 19
Burimi: Gazeta Shqip



