Vllaznia, presion Tiranes ne krye
Një gol i realizuar nga mbrojtësi Elvin Beqiri i ka mjaftuar Vllaznisë për të mposhtur 1-0 Apoloninë në sfidën e javës së 24-t të Kategorisë Superiore. Shkodranët kanë vuajtur në “Loni Papuçiu”, por këmbëngulja e tyre është shpërblyer vetëm 60 sekonda përpara fërshëllimës finale të gjyqtarit Hoxha. Pjesa e parë e takimit ka folur më shumë për vendasit, ndërsa në 45 minutat e mbetura ishin kuqeblutë ata që dominuan. Xhevahir Sukaj ka goditur edhe shtyllën, përpara se Beqiri të shënonte rrjetën decizive. Fitorja shënon edhe triumfin e parë të trajnerit Dervish Haxhiosmanoviç në krye të skuadrës, ndërkohë që me tri pikët e djeshme, kuqeblutë barazojnë Tiranën në krye të klasifikimit. Kjo edhe pas hapit fals të bardhebluve në fushën e Bylisit. Ashtu si ka ndodhur edhe pesë muaj më parë (më saktësisht më 4 tetor 2008, në javën e 6 të kampionatit), 23-herë kampionët nuk kanë arritur të marrin më shumë se barazimin 0-0 në stadiumin “Adush Muça”. Ndryshe nga rivalët e saj, skuadra e drejtuar nga Agustin Kola nuk ka arritur të përfitojë prej stadiumit pa tifozë në Ballsh. Daniel Xhafa, Agolli e Memelli kanë tentuar në të gjitha mënyrat, por sulmi më i mirë i kampionatit nuk ka arritur të mposhtë portierin Disiç. Pas këtyre rezultateve, dy pretendentet për titull e shohin veten përkrah njëra-tjetrës për të tretën herë në këtë sezon: më parë kishte ndodhur në javën e tretë dhe në të 22-ën.
Humbja 2-1 në Vlorë ka sjellë edhe shkëputjen e Dinamos nga dy kryesueset. Në fushën e Flamurtarit, blutë nuk arritën të përsërisnin rezultatin e javës së 21-të, madje nuk kanë ditur të përfitojnë as nga epërsia numerike për afro 22 minuta lojë. Për trajnerin Shkëlqim Muçan kjo është humbja e parë në kampionat pas katër fitoreve radhazi. Seria e golave është hapur në të 13-ën, me mbrojtësin Bledion Guga, që ka përshëndetur rrjetën pas zhvillimeve të një goditjeje këndi. Ky ishte edhe goli i 100-të i Flamurtarit në përballjet me Dinamon. Miqtë barazojnë shifrat vetëm 4 minuta më pas me Plakun, që nga pozicion i prirët me portën mposht Moçkën. Megjithatë, kur kronometri tregonte 23 minuta lojë, bregdetarët kalojnë sërish në avantazh, pas një tjetër goditjeje këndi të ekzekutuar nga Alvesh. Mbrojtja mike përgjumet dhe nuk arrin të largojë topin, duke i dhuruar Taulant Kuqit golin e dytë.
E diela ka ashpërsuar edhe luftën për mbijetesë në elitën e futbollit shqiptar. Partizani dhe Besa ndajnë nga një pikë në “Qemal Stafa”, duke e mbyllur sfidën ndërmjet tyre me rrjeta të paprekura. Barazim ka edhe në Elbasan, ku skuadra e drejtuar nga Faruk Sejdini vazhdon të mos fitojë. Edhe pse e shihnin veten në avantazh me 2 gola, ata “lejuan” Shkumbinin t‘i barazonte në derbin e prefekturës me Shkumbinin. Rrjetave të Xhafajt në minutat 20 dhe 23, peqinasit iu përgjigjën me Norën dhe Dervishin. Për verdheblutë, të cilët nuk fitojnë prej gjashtë ndeshjesh, qëndrimi në Superiore duket më i komplikuar. Rezultati surprizë i kësaj jave është regjistruar në Durrës, ku Teuta vendase u mund 1-0 nga Lushnja. Dorian Bubeqi në të 62-ën u dhuroi tri pikë shprese “lagunarëve” të vendit të fundit, ndërsa skuadra e Starovës kthehet me këmbë në tokë pas fitoreve të fundit me Vllazninë dhe Partizanin.
Superiore / Java 24
REZULTATET
Bylis-Tirana 0-0
Apolonia-Vllaznia 0-1
E. Beqiri 89‘
Partizani-Besa 0-0
Flamurtari-Dinamo 2-1
Guga 13‘, Kuqi 23‘ / Plaku 17‘
Elbasani-Shkumbini 2-2
Xhafaj 20‘, 23‘ / Nora 45‘, Dervishi 50‘
Teuta-Lushnja 0-1
Bubeqi 62‘
Klasifikimi
N P
1. Tirana 24 45
2. Vllaznia 24 45
3. Dinamo 24 41
4. Shkumbini 24 38
5. Besa 24 34
6. Teuta 24 32
7. Flamurtari 24 29
8. Elbasani 24 27
9. Partizani 24 26
10. Apolonia 24 24
11. Bylis 24 23
12. Lushnja 24 22
Burimi: Gazeta Shqip



