Deficiti ushqimor, 160 euro per cdo person
Deficiti tregtar në sektorin e bujqësisë është tepër i lartë, falë rritjes me 2 për qind të eksporteve dhe 20 për qind të importeve. Shifrat janë të vitit 2008 dhe tregojnë një situatë të rëndë në sektorin e bujqësisë. Në total janë eksportuar rreth 59 milionë euro, kurse importet 598 milionë. Diferenca e lartë nxjerr mesataren që çdo shqiptar ndikon me 160 euro shpenzime në vit për blerje ushqimesh importi. Statistikat publikohen nga ACIT, projekt i financuar nga USAID dhe evidenton disa probleme të sektorit të bujqësisë. Edhe pse qeveria ka rritur mbështetjen financiare për fermerin, situata nuk po sheh ndryshim pozitiv, por vetëm përkeqësim. I gjithë buxheti për bujqësinë për vitin 2009 është 50 milionë euro, kurse mbështetja direkte për fermerin në total shkon në 10 milionë euro. Këto fonde shkojnë për stimulimin e atyre fermave që rrisin lloje të caktuara kafshësh dhe mbjellje kulturash të ndryshme frutore. Në tërësi, tregtia me jashtë ka dhënë efekte negative në mënyrë dërrmuese për bujqësinë, ku raporti eksport-import është 1 me 10. Ekspertë të fushës mendojnë se fermeri nuk ka nevoja aq shumë për subvencione, sesa për marketing dhe menaxhim të mirë, në mënyrë që të arrijë të nxjerrë në treg produktin. Statistikat flasin se vetëm 1.5 për qind e fermerëve e punojnë tokën me makineri (traktor), kurse 22 për qind përdorin kafshët.
Në sasi janë eksportuar 40 mijë tonë produkte bujqësore nga 57 mijë, kurse importet flasin për 980 mijë tonë, nga 1 milion që ishte në vitin 2007. Rreth 78 për qind e produkteve bujqësore shkojnë në tregjet e Bashkimit Evropian, kurse 13 për qind në Ballkan. Pjesa e mbetur e eksporteve mbërrin në tregjet e Zvicrës dhe Turqisë me 5 për qind, dhe 5 për qind në vende si Rusia, Ukraina etj. Për sa i takon importit, Bashkimi Evropian zë 61 për qind të totalit, Ballkani zë 9 për qind, kurse vendet e tjera kanë rreth 30 për qind.
Burimi: Gazeta Shqip



