Aktualitet Arsimi Big Brother Bota Ekonomi Kulture Kuriozitete Politike Rajoni Shendeti Showbiz Sport Teknologji Video Lajme
Filma Shqiptar Humor Komedi Videoklipe Big Brother Albania 3
Chat Njohje Online Degjo Muzike Lojra Barcaleta Tekste Kengesh Shiko Tv Live Degjo Radio Live Poezi Fraza Dashurie
Parashikimi Motit Horoskopi Sot Horoskopi 2010 Kembimi Valutor Receta Gatimi Informatike
Web Messenger Google Shqip Testo Internetin Rezultate Futbolli
Fjale Te Urta Institucione Shteterore Personalitete Shqiptare Gazeta Shqiptare Televizione & Radio Foto nga Shqiperia Agjensi Turistike Hotele
Fjalor Anglisht-Shqip Fjalor Italisht-Shqip Fjalor Shqip-Gjermanisht Fjalor Interneti

Nje skene per ne te tre

21 April 2009 nga admin  
Kategoria:  Kulture

Vleresimi: 12345(0 vota)
(179 shikime)

Në skenë kanë provuar disa herë të jenë çift. Rolet e radhës janë po të tillë. Enada Hoxha dhe Gerdi Vaso shndërrohen në mëkatarët e parë të njerëzimit. Do të jenë Eva dhe Adami që koreografi Tony Candeloro sjell në bashkëpunimin e tretë në Tiranë. Pranisë së dy balerinëve i shtohet edhe një i tretë i familjes, Roani, djali i tyre. Do të shënohet si dalja e tij e parë në skenë, edhe pse është diçka simbolike. Enada shprehet se për ta është një kujtim i rrallë i karrierës. E ndoshta edhe një ogur për dëshirën e saj për ta parë djalin artist. Një poster i madh i të treve, një simbolikë e çastit të zanafillës së krijimit e shprehur në siluetat nudo, lajmëron premierën e së shtunës. “Krijimi”, me koreografi të italianit Tony Candeloro, me pjesëmarrjen e solistëve, korit, trupës së baletit dhe Orkestrës Simfonike të TOB-it, sjell për publikun shqiptar një shfaqje të shprehur mes këngës e baletit. Balerina Enada Hoxha rrëfen ditët e saj me mëkataren Eva dhe ndjesinë e veçantë për praninë në skenë të djalit.

Një rol protagonist në rikthimin e koreografit Tony Candeloro për të tretën herë në Teatrin e Operës. Sa ndihet e përfshirë Enada në këtë shfaqje të re?

Toni Candeloro vjen për herë të tretë në Teatrin e Operës, por për mua ky është një nga bashkëpunimet e shumta që kemi me të gjatë vitit. “Krijimi” është një shfaqje interesante, një përkthim koreografik i atyre që kemi lexuar në Bibël, apo kemi dëgjuar si histori për krijimin e botës. Për më tepër unë luaj rolin e Evës dhe në rolin e Adamit është Gerdi, bashkëshorti im.

Gjatë kësaj kohe unë kam punuar vetëm me pjesët e mia dhe dje pata fatin të shoh pak nga provat e shfaqjes. Pashë një ndërthurje interesante mes baletit, i vënë i gjithi në skenë dhe korit e solistëve. Kemi një Evë që këndon dhe një tjetër që e shpalos atë përmes interpretimit koreografik. Krijimtaria ka ardhur në gjuhë interesante, tipike e Tony Candeloro-s. Mbart një emocion të veçantë, atë të dy krijesave të Zotit që kishin ardhur nga një dëshirë e dikujt dhe nuk dinin kush ishte as gjarpri, as molla. Pikërisht në mes të kësaj gjëje kaq të bukur ndodh mëkati i madh që na ka bërë të tërëve të mëkatueshëm.

Krahas jush, në skenë do të ngjitet edhe djali juaj. E kujt ishte kjo ide?

Ishte një ide e koreografit. Do të jetë vërtet një gjë tepër e thjeshtë, por do të na japi kënaqësi dhe do të mbetet një moment tepër i bukur në karrierën tonë. Roani mund të ketë të papritura. Ndodh që në momentin që na sheh të na thërrasë, mund të qajë, por ndodh që të nisë edhe të kërcejë. Mund të jenë të papritura të këndshme, që shpresoj të mos e prishin atmosferën e shfaqjes. Këto janë marrë parasysh nga koreografi, pasi ai e di që nga një fëmijë mund të presësh gjithçka. Shpresoj që edhe për atë kur ta shohë në të ardhme të jetë diçka e bukur. Për mua është një moment i lumtur.

Duket se djali juaj do e njohë herët skenën…

Le ta prekë njëherë skenën, nuk është keq. Them se ndoshta mund të jetë një ogur për të ardhmen e tij. Unë do të isha shumë e lumtur nëse ai do të ishte artist, por le t‘ia lëmë kohës.

Kjo vepër nuk bën pjesë në repertorin e interpretuar deri më tani në opera. Në teknikën e të kërcyerit, cilat janë kërkesat që do të ngjisni në skenë për Evën?

Deri në këto momente unë kam punuar pikërisht për të sjellë gjuhën koreografike dhe anën teknike. Lëvizjet janë shumë të ndërthurura dhe thënë më shqip të ngatërruara. Ideja e prekjes së Evës me Adamin, dashuria mes tyre, ideja e gjarprit, kapja e mollës dhe rënia në mëkat është një ansambël lëvizjesh që duhet vënë në funksion të mesazhit të veprës. Candeloro më ka kërkuar që si në anën teknike, ashtu edhe në përcjelljen e emocioneve të mos jem si balerinë lirike. Ka kërkuar që të shfaqem në skenë sa më e natyrshme, me një ecje të lirshme, pa stilizime të lëvizjeve, mimikës. Duhet të jetë një botë e pastër, pa asnjë lloj stisje. Kjo mënyrë e kërcimit them se do të më sjellë mua në mënyrë të veçantë dhe ndryshe nga herët e tjera. Këtë herë kam arritur të mos e shoh as veten në pasqyrë, sepse duke qenë se lëvizjet janë shumë të ndërlikuara, kjo krijon probleme në skenë.

Sa keni punuar ju me botën e Evës, kësaj mëkatareje të zanafillës së njerëzimit?

Deri më tani nuk kam menduar për të. Prej sot e në vijim do të futem në interpretimin e botës së Evës. Por nisur nga historia, ardhja e saj në këtë botë, ku pranë saj ishte një njeri i vetëm, mendoj se do të jetë një femër tepër e brishtë, tepër delikate dhe vetëm në momentin që prek mollën do të dalin në pah karakteristikat e një femre, të trashëguara deri në ditët e sotme.

Do të ndihmojë ndjesia e nënës në këtë karakter?

Nuk e di, sepse nuk kemi të bëjmë me një marrëdhënie të mirëfilltë mëmësie. Prania e Roanit në skenë është një simbolikë për të treguar që jeta filloi nga Eva dhe Adami. Shpresoj të sjell një Evë interesante, por fjala i mbetet skenës. Ndjesitë që më mbushin janë të ndryshme nga njëra natë në tjetrën dhe këto përcaktojnë karakterin e personazhit që mund të shpërfaq.

Sa ka ndryshuar Enada si balerinë dhe si njeri pas lindjes së djalit?

Të tjerët thonë se më ka ndryshuar shumë, më ka bërë të ndjeshme. Unë kam qenë natyrë e ndjeshme edhe më parë, por ndoshta nuk e kam treguar kaq hapur. Tani prekem për çdo gjë, për çdo fëmijë që shoh, për çdo nënë apo çdo histori që dëgjoj.

A vazhdon bashkëveprimi i Evës dhe Adamit edhe në shtëpi?

Tashmë për baletin mendoj vetëm kur jam në opera. Nuk ndodh më si dikur që diskutimet mbi një rol, mendimet për të i rrihnim edhe në shtëpi. Në momentin që hyjmë në shtëpi, mendojmë për kënaqësinë që na jep djali, mendojmë se si do t‘i shfrytëzojmë ato pak momente që kemi mundësi të rrimë me të.

Burimi: Gazeta Shqip


bookmark



Tags: , , , , , ,