PD kerkon tri jave per te hetuar Ramen
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi dje në Kuvend zyrtarisht kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Komisioni hetimor do ta ushtrojë veprimtarinë për një periudhë 3-javore nga dita e krijimit të tij. Sipas mazhorancës, kjo periudhë konsiderohet e mjaftueshme për përfundimin e hetimeve dhe hartimin e raportit të komisionit. Komisioni do të përbëhet nga 9 anëtarë, 5 nga mazhoranca dhe 4 nga opozita. Kryetari i komisionit do t‘i përkasë grupimit politik nismëtar të kësaj kërkese, pra mazhorancës dhe nënkryetari, opozitës. Kërkesa për ngritjen e komisionit është firmosur nga 40 deputetë të PD-së dhe të partive aleate. Çështjet që do të hetohen, sipas asaj çka kërkohet, lidhen me praktikat dhe procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit, në mënyrë krejtësisht abuzive, klienteliste e në konflikt interesi në Bashkinë e Tiranës, në kundërshtim me ligjin, duke krijuar një kartel të paligjshme ndërtimi. Një tjetër element është bllokimi dhe mosdërgimi i planit të ri rregullues të Bashkisë së Tiranës për miratim sipas ligjit dhe abuzimet me dhënien e lejeve të ndërtimit në mungesë të këtij plani rregullues. Në vlerësimin e deputetëve të PD-së, Rama ka abuzuar me detyrën e kryetarit të bashkisë, duke treguar raste konkrete. Sipas tyre, “ditën e Pashkëve, në një ditë pushimi dhe feste zyrtare, më 12 prill 2009, kryetari i bashkisë dhe i KRRT-së së Tiranës ka thirrur një mbledhje tjetër të KRRT-së. Në këtë mbledhje, nga 18 leje për projekte pune publike, 14 prej tyre votoheshin dhe fitoheshin nga Alban Eftimiu dhe në po këtë mbledhje, nga 12 leje për projekte pune jopublike, 5 prej tyre votoheshin dhe fitoheshin nga Alban Aftemiu. Nga 30 leje ndërtimi që do jepeshin, 19 prej tyre i merrte karteli Rama-Eftimiu”. Në kërkesën e PD-së për hetim ndaj kryetarit të bashkisë, Edi Rama, të dorëzuar në Kuvend nga deputeti Ferdinand Xhaferri, thuhet se “lejet e dhëna nga KRRT nuk janë leje për qytetarët e Tiranës, por janë leje për kartelin Rama. KRRT e Bashkisë së Tiranës, nën drejtimin e Ramës është shndërruar në një monopol që i shërben një grushti njerëzish dhe që merr vendime në konflikt të hapur interesi. Në mënyrë të paprecedent, anëtari i KRRT-së voton dhe i jep vetes së tij shumë leje ndërtimi”. Deklaratën e parë për ngritjen e një komisioni hetimor ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, e bëri në Kuvend një javë më parë deputeti i PD-së, Edi Paloka. Dy ditë më pas ishte zëdhënësi i grupit të PD-së, Aldo Bumçi, i cili gjatë një konference për shtyp konfirmoi pranimin e kërkesës së bërë nga deputeti Paloka. Xhaferri po ashtu, në një komunikim me mediat, sqaroi modalitet e tjera, protokollimin e kërkesës, mbledhjen e 40 firmave dhe protokollimin e saj në Kuvend. Tashmë, pritet që në seancën e ditës së hënë të votohet ngritja e këtij komisioni për të nisur punë sa më shpejt, pasi koha në dispozicion është mjaft e pakët. Më 15 maj, Kuvendi mbyll punimet, duke ia lënë vendin një tjetër legjislature.
Burimi: Gazeta Shqip




