Ferguson vs. Venger, nje tjeter sfide brenda sfides
Mançester Junajtid-Arsenal është supersfida e dytë gjysmëfinale e Champions League. Derbi anglez do të zhvillohet sot në mbrëmje në “Old Trafford”. Dy skuadrat përballen për herë të parë në Evropë. Ndërkohë që kjo do të jetë ndeshja numër 205 në 115 vite histori, që nga 1894. Mançesteri ka fituar 82 ndeshje: 77 fitore për Arsenalin (përafërsisht njëlloj). Vetëm 45 ndeshje janë mbyllur në barazim. Numri i paktë i barazimeve tregon se në çdo sfidë mes tyre, njëra nga dy skuadrat dëshiron të fitojë. U desh mbërritja e Abramoviçit në Premier League, që sfida mes këtyre dy skuadrave të mos jetë më decizive. Në 2001-shin, Mançesteri e detyroi Vengerin t‘i nënshtrohet turpërimit më të madh në 13 vitet e tij tek Arsenali: e mundi 6-1, duke hapur kështu rrugën drejt titullit. Revanshi më i bukur erdhi në majin e vitit pasues. Sërish në “Old Trafford”, por këtë herë me një fitore Arsenali do të bëhej kampion. Mbi të gjitha kjo është edhe një sfidë mes Vengerit dhe Fergusonit: në avantazh është francezi në 37 takimet e luajtura. Ai ka fituar 14 ndeshje kundrejt 13 të skocezit. Tashmë Vengerit i është dhënë detyra e vështirë të ndërpresë serinë pozitive të Mançesterit në Champions. Serinë më të gjatë të të gjitha kohërave: 23 ndeshje, humbja e fundit daton në gjysmëfinalen kundër Milanit në 2007-ën. Për më shumë, nuk humbet në shtëpi 20 ndeshjesh. Një “Everest” për Vengerin, ngaqë në 96 ndeshje në “Old Trafford”, Arsenal ka fituar vetëm 17 herë. Pra, këto statistika tregojnë se sfida e sotme e ka spektaklin e garantuar.
Burimi: Gazeta Shqip



