Frenk Riberi zgjedh Barcelonen
Kapiteni i Bajernit të Mynihut, Mark van Bomel, ka këshilluar mesfushorin Frenk Riberi që të transferohet te Barcelona gjatë sezonit të ardhshëm. “Frenk dëshiron të luajë me fanellën e katalanëve”, deklaroi ai për radio “RAC-1″. Gjithsesi, komenti i Van Bomel rrezikon të shkaktojë pështjellim në bordin drejtues të klubit bavarez, që kërkon të mbajë me patjetër yllin transalpin, për të cilin interesohen klubet më të mëdha evropiane. “Përveç faktit se ai kërkon të transferohet në ‘Kamp Nou‘, mendoj se nëse Barça do ta blejë, kjo do të ishte një lëvizje mjaft e zgjuar. Riberi mund të përshtatet me lehtësi në skuadrën e Guardiolës dhe në La Liga”, shtoi holandezi, që ka luajtur me fanellën “blaugrana” në sezonin 2005-‘06. “Ai është padyshim lojtari më i mirë në Bundesligën gjermane, i fortë fizikisht dhe shumë teknik”. Deklaratat e Van Bomel janë bërë vetëm pak orë përpara ndeshjes së kthimit në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve ndërmjet Bajernit dhe Barcelonës. Skuadra e Klinsman ndodhet përpara detyrës së vështirë: përmbysja e dizavantazhit 4-0, ndërsa aventura e ish-teknikut të Kombëtares gjermane pritet të përfundojë në fund të sezonit. Duke folur për ndeshjen, Van Bomel tha: “Është normale që Barcelona ka shanset më të mëdha për të qenë gjysmëfinaliste. Gjithsesi, ne do të bëjmë të pamundurën që të fitojmë, edhe pse kjo nuk është koha e duhur për t‘u përballur. Ata janë në formë të jashtëzakonshme dhe kjo duket qartë në fushën e lojës. Besoj se Barça e këtij viti mund të fitojë shumë trofe. Janë një skuadër më e mirë se ajo e vitit 2006, pasi sulmuesit nuk kursehen, duke ndihmuar ekipin edhe në fazën difensive, ndërsa në kohën time, ata qëndronin vetëm në mesfushën kundërshtare. Besoj se ‘blaugranat‘ dhe Mançester Junajtid janë skuadrat favorite për të fituar Ligën e Kampioneve. Leo Mesi? Edhe pse është vetëm 21 vjeç, në këto momente e shoh si lojtarin më të mirë në botë. Por, edhe Ksavi dhe Iniesta janë fantastikë”. Në fund të ndeshjes me Bajernin, presidenti Johan Laporta nuk i kurseu lavdet për Riberin. “E pamë që është një futbollist shumë i shpejtë dhe sa herë që ka topin ai krijon panik për mbrojtjen kundërshtare”, tha drejtuesi më i lartë i klubit spanjoll. “Kemi biseduar (me menaxherët e Barcelonës) rreth të gjithë lojtarëve më të mirë dhe Bajerni e di që Frenk është në preferencat tona. Edhe ne e dimë se çfarë kërkon klubi gjerman”.
Burimi: Gazeta Shqip


(4 vota)
