Parid Xhihani nuk ndalet me
Parid Xhihani vazhdon të paraqitet në nivele të admirueshme te Zoria në kampionatin ukrainas. Sulmuesi kavajas, ka shënuar një tjetër gol shumë të rëndësishëm për skuadrën e tij, në fitoren 2-0 përballë FC Kharkiv. Ish-lojtari i përfaqësueses Shpresa, i cili është injoruar sistematikisht nga trajneri i Kombëtares, Ari Han, që nuk i ka dhënë asnjë shans me fanellën kuqezi, përshëndeti rrjetën në të 34-ën, duke kaluar Zorian në avantazh. Ky ishte goli i nëntë sezonal për Xhihanin, i cili po jep një kontribut mjaft të madh në luftën e skuadrës për mbijetesë në Vyscha Liga. Ai u zëvendësua në minutën e 59-të, vetëm pak minuta pas golit të dytë, që mbante firmën e Kurilov. Ish-kapiteni i Besës së Kavajës u largua mes duartrokitjeve, pasi përveç golit personal, kishte merita edhe në dyfishimin e rezultatit. Në këtë sezon, Xhihani është lojtari shqiptar që ka shënuar më shumë në kampionatet kontinentale dhe ndiqet nga Hamdi Salihi, 8 gola me austriakët e Ried (13 në total, së bashku me golat në Kupë). Në Ukrainë, paraqitje mjaft të mirë ka bërë edhe portieri i Kombëtares, Isli Hidi. Krivbasi fitoi 1-0 në fushën e Tavrija Simferopol dhe “gardiani” ishte heroi i miqve, me pritjet e tij vendimtare.
Burimi: Gazeta Shqip



