Reali, oferte 38 milione euro per Frenk Riberi
Prej kohësh Frenk Riberi, ylli 26-vjeçar i Bajernit të Mynihut dhe Kombëtares franceze, është shndërruar në objektivin kryesor të klubeve më të rëndësishme dhe të pasura evropiane. Nga grupi i “big”-ëve, i pari që ka bërë hapin zyrtar është Reali i Madridit: “merengues” i kanë ofruar bavarezëve 38 milionë euro për të siguruar shërbimet e mesfushorit transalpin. Sipas mediave ndërkombëtare, Bajerni, që shpenzoi 25 milionë euro për lojtarin, duke e blerë nga Olimpik Marseja, po e shqyrton ofertën e mbërritur nga kryeqyteti iberik. Gjithsesi, burime pranë klubit pohuan se kampionët në fuqi të Gjermanisë do të refuzojnë çdo lloj oferte që nuk kap kuotën 50 milionë euro. Menaxheri i përgjithshëm, Uli Hënes, theksoi se “Riberi ka edhe dy vjet kontratë me Bajernin” dhe nuk e përjashtoi mundësinë që termat financiarë në marrëveshjen aktuale të ndryshojnë, duke sjellë më shumë përfi time për francezin. Menaxheri i Riberi, Alan Miljaço, ka udhëtuar drejt Mynihut për të fi lluar bisedimet.
Burimi: Gazeta Shqip



