Shkumbini kerkon finalen e pare ne histori dhe debutimin ne Evrope
Edhe pse e gjithë vëmendja është përqendruar në duelin ndërmjet Tiranës dhe Vllaznisë, gjysmëfinalja tjetër Shkumbini-Flamurtari pritet të jetë një ndeshje mjaft interesante. Vlonjatët udhëtojnë drejt Peqinit me avantazhin minimal të siguruar në takimin e parë, të luajtur më 15 prill, falë golit të Halim Begajt. Gjithsesi, shanset për kualifikim mbeten të barabarta, pasi skuadra e drejtuar nga Gugash Magani është një “kockë e vështirë” përpara tifozëve të saj. Të gjitha energjitë e Shkumbinit janë të përqendruara në trofeun e dytë për nga rëndësia në vend. Ata kërkojnë të shkruajnë historinë e klubit, duke arritur për herë të parë finalen e Kupës së Shqipërisë. Kualifikimi i mëtejshëm do të ishte edhe shpërblimi i gjithë këtij sezoni: nëse luajnë në finale, pavarësisht rezultatit, peqinasit do të fitojnë një “biletë” evropiane. Kjo, sepse në çiftin tjetër, të dyja ekipet renditen në dy vendet e para në kampionat dhe e kanë siguruar pjesëmarrjen në aktivitetet ndërkombëtare (kampionia luan në Champions League, ndërsa ndjekësja në Europa Liga).
Por, edhe Flamurtari e sheh Kupën si mundësinë e vetme për ta quajtur të suksesshëm edicionin futbollistik. Bregdetarët, që renditen në “zonën e ftohtë” të Kategorisë Superiore, synojnë të kthehen në finale për herë të parë pas 12 vjetësh. Ishte viti 1997 kur kuqezinjtë shkuan një hap larg trofeut, por në fund u dorëzuan në gjuajtjen e penalltive me Partizanin (ndeshja përfundoi në barazim 2-2). Nëse për Shkumbinin kjo do të ishte finalja e parë, deri më tani Flamurtari ka luajtur në dhjetë finale, duke u shpallur dy herë fituese. Në kampin kuqezi të gjithë janë optimistë se nuk do të dalin të humbur nga ndeshja e kthimit, edhe sepse trajneri Eqerem Memushi do të ketë në dispozicion kontingjentin e plotë të lojtarëve. Ata nuk njohin humbje prej katër ndeshjeve radhazi (duke llogaritur edhe përballjen e parë gjysmëfinale me peqinasit).
Për të arritur deri në këtë fazë të Kupës së Shqipërisë, duke regjistruar pjesëmarrjen e 17-të në gjysmëfinale, vlonjatët nuk e kanë pasur aspak të lehtë. Në turin e parë ata eliminuan Naftëtarin, ndërsa më pas kaluan me sukses edhe Bylisin. Në çerekfinale ata mposhtën 1-0 Partizanin, në një ndeshje të vetme, pasi dy takimet e mëparshme u anuluan për shkak të shkeljes së rregullores. Në anën tjetër, Shkumbini ka kaluar Gramozin e Ersekës dhe Apoloninë në dy fazat e para, ndërsa në çerekfinale ata eliminuan Besën.
Burimi: Gazeta Shqip



