Aktualitet Arsimi Big Brother Bota Ekonomi Kulture Kuriozitete Politike Rajoni Shendeti Showbiz Sport Teknologji Video Lajme
Filma Shqiptar Humor Komedi Videoklipe Big Brother Albania 3
Chat Njohje Online Degjo Muzike Lojra Barcaleta Tekste Kengesh Shiko Tv Live Degjo Radio Live Poezi Fraza Dashurie
Parashikimi Motit Horoskopi Sot Horoskopi 2010 Kembimi Valutor Receta Gatimi Informatike
Web Messenger Google Shqip Testo Internetin Rezultate Futbolli
Fjale Te Urta Institucione Shteterore Personalitete Shqiptare Gazeta Shqiptare Televizione & Radio Foto nga Shqiperia Agjensi Turistike Hotele
Fjalor Anglisht-Shqip Fjalor Italisht-Shqip Fjalor Shqip-Gjermanisht Fjalor Interneti

Durres-Kukes fut shqiptaret ne borxhe

6 May 2009 nga admin  
Kategoria:  Ekonomi

Vleresimi: 12345(0 vota)
(231 shikime)

Qeveria shqiptare arrin të marrë kredi tregtare nga bankat në kohë krize, duke e konsideruar arritje më vete, por kur mëson interesin me të cilën do të paguhet shuma, kupton se “suksesi” do të na kushtojë tepër shtrenjtë. Katër banka do t‘i japin qeverisë një kredi prej 95 milionë euro, me interes rreth 11 për qind dhe afat shlyerjeje për tre vjet. Gazeta mëson faktin se është negociuar për të pasur një normë të lëvizshme interesi, kurse marzhi do të jetë 9.65 për qind, plus euribor, që aktualisht është nga 1.25 për qind deri në rreth 2 për qind. Kredia, me kushte tepër të shtrenjta, do të shërbejë për financimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, pjesë e Durrës-Kukës. Aksi rrugor që po ndërtohet nga “Bechtel&Enka” do të vijojë të mbetet “gropa” e financave të shtetit shqiptar. Përveçse gjysma e investimeve publike shkon për rrugën Rrëshen-Kalimash, tashmë edhe kreditë për financimin e projektit janë duke u marrë me interesa përtej normales. Qeveria është justifikuar me faktin se tregu bankar i huaj ka mungesë të theksuar parash, për rrjedhojë, kreditë që jepen kanë terma të forta tregtare.

Pakti

Marrëveshja e arritur dy ditë më parë me katër banka për të marrë hua 95 milionë, me interes rreth 11 për qind, tregon edhe një herë nevojën e qeverisë për para, edhe pse pretendon se i ka realizuar të ardhurat në buxhet në masën 100 për qind. Nga marrëveshja, gazeta zbulon të tjera detaje që nuk duken aspak në favorin tonë. Kështu, përveç interesit tepër të lartë në krahasim me tregun e brendshëm, bankat do t‘i mbajnë qeverisë 2 për qind mbi shumën, si menaxhim kredie, përfshi dhe 0.75 për qind tarifa sindikatë. Në total, janë rreth 2 milionë euro që i zbriten shumës 95 milionë, si pasojë e kushteve të vendosura nga bankat. Ministria e Financave argumenton se marrëveshja ka disa avantazhe lehtësuese në pagimin e kredisë, ndërsa i cilëson negociatat të suksesshme, në një kohë kur asnjë vend i rajonit nuk ka mundur të marrë kredi në terma tregtare.

Termat

Kredia është me maturim trevjeçar, por që i jep të drejtën Shqipërisë ta shlyejë para kohe, duke filluar pas një viti nga disbursimi. Interesi i kredisë është variabël dhe përbëhet nga indeksi euribor plus marzhi prej 9.65 për qind. Komisioni i menaxhimit të kredisë është 2 për qind e shumës së disbursuar dhe tarifa sindikale është 0.75 për qind. Ministria e Financave theksoi dje se “interesi është disi i lartë, por në përputhje me interesat e tregut dhe më i ulët sesa interesat që u ofrohen vendeve me profil risku të ngjashëm me të Shqipërisë”. Vetë Shehu sqaron se qeveria ka shmangur detyrimin për të paguar mbi 10 milionë euro kosto interesi nga shlyerja e parakohshme, krahasuar me standardet e tregut.

Kontrata

Kredia prej 95 milionë eurosh do të shlyhet brenda periudhës trevjeçare dhe garantohet brenda muajit maj

Interesi i kredisë është variabël dhe përbëhet nga indeksi euribor plus marzhi prej 9.65 për qind

Komisioni i menaxhimit të kredisë, 2 për qind e shumës së disbursuar dhe tarifa sindikale 0.75 për qind

E gjithë kredia që do të merret nga bankat është 250 milionë euro, proces që mbyllet brenda muajit qershor

Vijojnë negociatat për këstin e dytë

Bankat nuk plotësojnë

kërkesën e qeverisë

Ministria e Financave ka negociuar deri tani me dy banka, të cilat u shpallën fituese të tenderit që u zhvillua në muajin shkurt. Ofertat e “Alpha Bank” dhe “Deutsche Bank” nuk e përmbushnin nevojën e qeverisë për hua 300 milionë euro, duke rinegociuar për shumën 250 milionë euro. Edhe këtë shumë bankat nuk mund t‘ua garantonin qeverisë, ndikuar nga risqet e shumta të sistemit financiar. Por qeveria e kërkonte me ngulm borxhin, tepër i nevojshëm për të përfunduar brenda qershorit rrugën Rrëshen-Kalimash, e cila, deri tani, ka marrë nga buxheti i shtetit rreth 700 milionë euro. Në këtë situatë, u negociua që bankat të ftonin në garë të tjera subjekte, në mënyrë që shuma të garantohej dhe të ishte më e sigurt. Por, edhe në marrëveshjen e firmosur dy ditë më parë u kuptua që dy bankat e para, së bashku me dy të tjera, nuk mundën t‘i plotësonin kërkesën qeverisë, duke pranuar të jepnin 95 milionë euro kredi, nga 250 që ishte kërkuar. Në pjesën e parë të kredisë, prej 95 milionë euro, bankave rregulluese iu bashkua dhe Banka e Pireut (Tirana Bank) në rolin e Rregulluesit Kryesor të Bashkuar (Joint Lead Arranger) me një kontribut prej 20 milionë eurosh, si dhe Banka Kombëtare Tregtare me një kontribut prej 11 milionë eurosh.

Shehu: Kredia, arritëm të pamundurën

Ministria e Financave zbardh një pjesë të marrëveshjes me bankat tregtare për marrjen e kredisë 95 milionë euro, e cila do të akordohet brenda muajit maj. Zv/ministri i Financave, Sherefedin Shehu, i është përgjigjur interesimit të “Shqip” për të mësuar detaje të kredisë tregtare, e cila më së shumti do të përdoret për financimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, pjesë e Durrës-Kukës. Zv/ministri pranon se interesi i negociuar konsiderohet disi i lartë, por paraqet të tjera kushte lehtësuese, në mënyrë që detyrimi të rëndojë financat e shtetit shqiptar. “Megjithëse interesi është disi i lartë, ai është në përputhje me interesat e tregut dhe më i ulët se sa interesat që u ofrohen vendeve me profil risku të ngjashëm me të Shqipërisë”. Shehu thekson se është arritur e pamundura në këtë kohë krize dhe mungese likuiditeti në tregjet e huaja. “Është mjaft e rëndësishme të kuptohet se shumë vende të rajonit nuk po mundin dot të marrin asnjë lloj financimi nga tregu i kapitaleve dhe në një moment kur kriza ndërkombëtare dhe rajonale sa vjen e thellohet, Shqipëria arrin të financohet në mënyrë të suksesshme”, tha numri dy i Financave. E gjithë kredia që do të merret nga bankat është 250 milionë euro, por qeveria ka siguruar për momentin 95 milionë euro, të gatshme për këtë muaj, kurse diferenca do të jetë gati në qershor, nga ku pritet që banka të tjera t‘i bashkohen kërkesës për financim. Interesi i kredisë, edhe pse konsiderohet i lartë, zv/ministri Shehu nuk ngurron të japë avantazhet që rrjedhin nga marrëveshja. “Duhet mbajtur parasysh që në tregun aktual të kapitaleve, opsioni i parashlyerjes jepet me një komision të barabartë me interesin e plotë të kredisë deri në maturim. Kështu, në rastin e kredisë sonë, ne kemi shmangur detyrimin për të paguar mbi 10 milionë euro kosto interesi nga shlyerja e parakohshme, krahasuar me standardet e tregut”.

Cani: E pabesueshme,

e tmerrshme, e pakuptimtë

Interesi për kredinë konsiderohet absurd nga ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë

U deshën disa minuta që ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, të bindej se interesi i pranuar nga qeveria shqiptare për kredinë prej 95 milionë eurosh është 9.65 për qind plus euribor. “Nuk e besoj dot, nuk mund të jetë kaq i lartë, është i pakuptimtë, e tmerrshme, absurde”, tha Cani.

Kredia prej 95 milionë eurosh do të përdoret për rrugën Rrëshen-Kalimash, e cila duhet të përfundojë patjetër brenda datës 27 qershor për të ofruar një spektakël elektoral. Por ky spektakël elektoral pritet t‘u kushtojë ca shtrenjtë shqiptarëve. Në pjesën më të madhe, ajo është ndërtuar me kredi (të brendshme apo të huaj), kredi që do të duhet të shlyhet nga taksapaguesit shqiptarë gjatë viteve të ardhshme.

“Qeveria duhet të shpjegojë se çfarë e shtyn të pranojë interes kaq të lartë”, tha Cani. Përveç interesit të lartë, qeveria do të paguajë edhe komision administrimi, njësoj siç paguajnë shqiptarët kur marrin kredi konsumatore.

Interes i çuditshëm

Interesi euribor plus 9.65 për qind nuk është thjesht i lartë. Disa ekspertë të kontaktuar nga “Shqip” besojnë se ai është edhe “i çuditshëm”. Ekspertët, të cilët punojnë në banka, hedhin hije dyshimi, për shkak se interesi që do të paguhet për këtë kredi në euro, është shumë më i lartë sesa interesi i obligacioneve dyvjeçare në lekë. “Nuk ka kuptim të pranosh të paguash interesa kredie në euro më të larta sesa interesat që paguan për borxhin në lekë”, thonë ekspertët. “Kjo kontratë nuk përputhet me asnjë parim të vlerësimit të rrezikut”, u shprehën ata. Borxhi në lekë është më i shtrenjtë sesa borxhi në euro, për faktin e thjeshtë se leku është i rrezikuar nga nënçmimi. Në ankandin e fundit për obligacione dyvjeçare në lekë, interesi maksimal i pranuar ishte 9.46 për qind. Por për borxhin e ri të qeverisë, edhe pse është në euro dhe nuk mbart rreziqet e lekut, interesi real që do të paguhet është së paku 11.5 për qind. Një interes i tillë është “i çuditshëm”, edhe për faktin se shumica dërrmuese e kredive në euro që marrin kompanitë apo individët shqiptarë nëpër banka, kanë interesa më të ulëta. Teorikisht, një kredimarrës shqiptar ka normë rreziku më të lartë sesa qeveria e Republikës së Shqipërisë.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, interesi real i kredive të dhëna në euro gjatë muajit mars, për kreditë me afat maturimi 1-3 vjet, ishte vetëm 9.67 për qind. Për kreditë me afat 3 deri në 5 vjet, interesi mesatar i ponderuar ishte 7.46 për qind.

Kredia u mor në bankat vendase

Ministria e Financave pati deklaruar më parë se synonte të merrte kredi nga jashtë, me qëllim që të mos prekte likuiditetin e bankave të nivelit të dytë që veprojnë në Shqipëri. Por, në kontratën e nënshkruar, së paku 31 milionë euro u morën nga banka shqiptare. Në këto kushte, qeveria hoqi nga tregu 31 milionë euro që mund të kreditoheshin për publikun e gjerë dhe për më tepër, pranoi të paguajë një interes më të lartë nga sa kredimarrësit e zakonshëm shqiptarë pranojnë.

Kredi të shtrenjtë për shpenzime elektorale

Kompania e vlerësimit të kredive, “JCR Ratings”, ndryshoi perspektivën e borxhit shqiptar nga “i qëndrueshëm” në “negativ” në fillim të prillit, për shkak të “shpenzimeve paraelektorale të qeverisë”. Ministria e Financave e përgënjeshtroi indirekt vlerësimin e “JCR Ratings”, e cila gjithashtu vlerëson edhe rrezikun e njërës prej bankave që i dhanë kredi qeverisë, duke paraqitur një raport tjetër vlerësimi të hartuar nga kompania amerikane “Moody‘s”. Por, interesi i kredisë së fundit, duket se i jep të drejtë kompanisë JCR. Shpenzimet paraelektorale kanë shpërthyer nga të gjitha drejtimet dhe kostoja e tyre në buxhet vlerësohet se është e rëndë, por vetë Financat deklarojnë se asnjë problem i tillë nuk ekziston. Rritja e pagave dhe pensioneve në kushtet kur rritja ekonomike për këtë vit do të jetë zero, nënkupton që qeveria po u jep buxhetorëve dhe pensionistëve para borxh. Borxhe që së bashku me interesat stratosferike, do të shlyhen po nga shqiptarët gjatë viteve në vijim, qoftë në formë taksash, qoftë në formë inflacioni. Borxhi publik shqiptar pritet të shtohet me më shumë se gjysmë miliardi euro këtë vit, sipas kompanisë JCR.

Po deficiti buxhetor?

“Të ardhurat e buxhetit të shtetit janë realizuar 100 për qind. Nuk është e vërtetë se e kemi rritur borxhin e brendshëm”, deklaroi pak ditë më parë ministri i Financave, Ridvan Bode. Por në kushtet kur të ardhurat buxhetore janë realizuar kaq shumë, shpenzimet nuk janë tejkaluar dhe rritja ekonomike do të jetë e fortë, siç këmbëngul qeveria, nuk kuptohet se për çfarë arsye, qeveria pranon të marrë borxhin më të shtrenjtë në botë.

Burimi: Gazeta Shqip


bookmark



Tags: , , , , , , , , , , , , , , ,