Nafta, drejt 70 USD
Nafta në bursat botërore po shitet me çmim prej mbi 56 USD për një fuçi, pas publikimit në SHBA të situatës mjaft të dobët të bankave. Çmimi i naftës së “lehtë” amerikane për kontratat e muajit qershor në bursën e Nju Jorkut është rritur për 22 cent në 55,42 USD për një fuçi, nga 2,08 USD apo 4,1%, rritje të pësuar disa ditë më parë. Njëkohësisht, çmimi i “brentit” evropian nga Deti Verior në bursën ndërkombëtare për naftë në Londër është rritur për 35 cent në 56,02 USD. Këto janë çmimet më të larta të naftës në harkun kohor të 6 muajve të fundit. Analistët vlerësojnë se rritja e tillë e çmimit të naftës ka të bëjë me mendimin e përgjithshëm mes tregtarëve se ekonomia globale e ka arritur fundin dhe se tani po fillon të rimëkëmbet. Në favor të këtij mendimi është edhe fakti se prej 9 marsit, e deri sot vlera e indeksit të bursës së Nju Jorkut “Dau Xhons” është rritur për 25.4%, ndërsa indeksi “Standard end Purs 500″ për 29,7%. “Tregu në mënyrë optimiste shikon në parashikimet për ekonominë globale, e kjo reflektohet edhe në vlerën e aksionit dhe lëndëve të para, duke e përfshirë edhe naftën”, deklaroi analisti i bankës australiane “Komonvelt Bank”, Dejvid Mur. Organizata e vendeve eksportuese të naftës (OPEC) më 28 maj do të mbajë takim të ri, në të cilin do të bisedohet për mundësitë e uljes së kuotës ditore të prodhimtarisë. Karteli në gjysmën e dytë të vitit të kaluar në 3 raste ka bërë zvogëlimin e prodhimtarisë ditore të naftës për gjithsej 4,2 milionë fuçi, me qëllim që ta ndërpresë uljen e çmimit të saj.
Burimi: Gazeta Shqip



