Greta Koci takon Vace Zelen ne Zvicer
Kjo ishte nje kënaqësi e madhe për të, por jo vetëm. E kishte ëndërr dhe e realizoi, duke e konsideruar kështu një ngjarje historike në jetën e saj. Këngëtarja Greta Koçi pak ditë më parë ka udhëtuar drejt Zvicrës, me qëllimin e vetëm për të takuar të madhen Vaçe Zela. Kjo është hera e parë për zonjën Vaçe që pret në shtëpinë e saj, në Bazel, një këngëtare të re shqiptare, me të cilën bisedon shtruar nga afër dhe jep komentet dhe vlerësimet e saj mbi muzikën. Çfarë do të na thoshit në lidhje me këtë takim surprizë? Si e përjetuat atë? Nuk mund ta përshkruaj me fjalë! Një emocion i jashtëzakonshëm! E kisha ëndërr dhe dëshirë të madhe që një ditë ta takoja këngëtaren më të madhe shqiptare! Jam informuar për gjithçka rreth saj, pasi për fatin tim të keq, unë nuk kam arritur ta ndjek në atë kohë kur e madhja Vaçe këndonte dhe “trondiste” skenat shqiptQë e vogël jam rritur me këtë frymë, prindërit e mi më tregonin për Vaçe Zelën dhe kam krijuar një admirim që e kam akumuluar prej Vitesh, deri në këtë ditë ku unë arrita ta takoj personalisht idhullin tim, Vaçe Zela. Jam informuar për 11 çmimet e para të saj, një thyerje rekord çmimesh që deri më sot asnjë këngëtar nuk ka arritur t’i ketë. Përpara 3 vitesh unë kam qenë spektatore në një nga festivalet e fundvitit dhe mbaj mend që, i mrekullueshmi Adi Krasta ka përmendur emrin e Vaçe Zelës, i gjithë publiku i Pallatit të Kongreseve është ngritur në këmbë në shenjë respekti dhe ka duartrokitur rreth 2 minuta pa ndalesë këtë këngëtare të jashtëzakonshme. Ishte një moment shumë emocionues dhe mbaj mend që aq shumë e kam përjetuar, saqë nisa të qaj dhe jam e bindur që nuk isha e vetmja. Jam informuar së Vaçe Zela, përveçse një këngëtare e pazëvendësueshme, ka qenë dhe një grua me karakter të fortë dhe gjithë këto fjalë për të, vepra të sajat, zëri i saj i mrekullueshëm, kanë krijuar tek mua një “mit” që mban emrin Vaçe Zela. Një pasdite, teksa isha duke pirë një kafe më profesorin e madh Profesor Robert Radojën, diskutonim rreth muzikës dhe një moment, e gjithë biseda jonë u përqendrua në një pikë, tek një njeri që vërtet ka lënë gjurmë të jashtëzakonshme në muzikën shqiptare, Vaçe Zela. U çudita dhe u lumturova, dhe vetëm dëgjoja fjalët e profesor Radojës, me sa admirim dhe respekt fliste për Legjendën Vaçe Zela. Më bëri përshtypje fakti sesi një njeri bëhet “Hero” për të gjithë njerëzit e tij dhe kombin e tij, nga vlerat e mëdha që mban. Një zotëri në moshë si profesor Radoja më fliste me fjalët më të bukura për këngëtaren e madhe Vaçe Zela, dhe ajo bisedë vërtet më ka lënë mbresa. Si e gjetët zonjën Vaçe, cila ishte biseda e zhvilluar mes jush? Udhëtova drejt Zvicrës së bashku me motrën time, Enin dhe mamanë time. Shtëpia e znj.Vaçe ndodhej në Bazel. Atë ditë që mbërrita në Zvicër ishte dita me e lumtur që kam përjetuar ndonjëherë. Do të takoja një “Perlë”, një Legjendë të muzikës shqiptare. Ishte nder, kënaqësi dhe emocion i pamasë. Mbërrita tek shtëpia e znj. Vaçe dhe në fillim na priti z.Pjetri, bashkëshorti i znj. Vaçe, së bashku me Irmën, vajzën e tyre. Një familje e mrekullueshme! Kur u drejtova drejt dhomës së pritjes ku gjendej Vaçe Zela, nisa të qaja dhe fluturova për tek kolltuku ku ishte e ulur. E përqafova dhe në atë moment ndjeva se kisha realizuar tashmë një dëshirë që e kisha me vite. U ulëm pranë saj, unë dhe Eni dhe kemi biseduar rreth 1 orë e gjysmë me të dhe familjen e saj. Unë i tregova gjithçka që dija rreth saj, i tregova se i dija të gjitha këngët e saj dhe i këndoja shpesh. I përcolla urimet e të gjithë shqiptarëve. Ç’do informacion që unë kisha dëgjuar rreth saj ia tregova. Teksa i thosha se për Shqipërinë jeni e pazëvendësueshme dhe se të gjithë këngëtarët e brezit të ri i këndojnë ato këngë të mrekullueshme, i tregova sesi kur përmendej emri Vaçe Zela, i gjithë publiku në mënyrë instiktive ngrihet në këmbë dhe teksa i thosha këto fjalë, znj.Vaçe vendoste duart në fytyrë dhe mallëngjehej. Ndjente mall dhe nuk e besonte që ende e kujtonin dhe për të gjithë ajo ka qenë dhe do të mbetet e pazëvendësueshme. Unë do të ndalem në një pikë. Sa gjë e bukur është kur një shqiptar kujton dhe përulet para një personaliteti aq të madh sa Vaçe Zela! Unë vërtet shkova ta takoja sepse ishte dëshira ime më e madhe që më në fund u realizua, por unë e di që edhe të tjerë janë kujtuar, qoftë edhe me një dhuratë simbolike në shenjë respekti dhe dashurie për një zonjë kaq të nderuar. Unë do të doja të përmendja këtu artistin e madh. z.Agron Llakaj dhe kompania “DigitAlB”, pasi i kanë dhuruar znj.Vaçe një ‘DigitAlb’ dhe ia rimbushin çdo vit, duke treguar një shenjë kujtese dhe respekti, në mënyrë që ajo të ndjehet si në vendin e saj duke u informuar nëpërmjet kanaleve televizive shqiptare. Kënaqësia më e madhe e saj ishte të shihte Shqipërinë, të paktën nëpërmjet TV, të çmallej me të gjitha kujtimet që ajo ka në vendin e saj. Kjo është një gjë e jashtëzakonshme dhe një gjest shumë bujar… Ju njihte zonja Vaçe? Çfarë ju tha? Biseduam rreth muzikës. Më tregoi disa gjëra rreth Profesionit, të cilat unë kisha dëshire t’i mësoja vetëm prej saj. Çudia më e madhe për mua ishte se znj.Vaçe Zela kishte dëgjuar për mua dhe më njihte si këngëtare. Përpara një viti, kur unë publikova një kolazh Jugu, ishte fati im që kjo këngë t’i binte në vesh znj.Vaçe dhe teksa më tregonte, më tha se e kishte pëlqyer aq shumë atë këngë, saqë i kishte kërkuar vajzës së saj, Irmës që të kërkonte më shumë rreth meje, të gjente sesi quhesha dhe pasi Irma ishte informuar dhe i kishte thënë se kjo vajzë quhet Greta Koçi, që nga ajo ditë znj.Vaçe nuk e kishte harruar emrin tim. Ky fakt më mrekulloi dhe më bëri të ndihesha me krahë. Kemi bërë fotografi dhe kemi qeshur e kemi kaluar ato pak orë, në mënyrë të mrekullueshme. Si do ta përshkruanit gjendjen e saj? Znj.Vaçe personalisht mua m’u duk si 20-vjeçare. E qeshur, e dashur dhe plot energji! U ngrit nga dhoma e pritjes, ku fillimisht u akomoduam dhe u tregua e gatshme që të ngriheshim dhe të qëndronim pak edhe në verandën e mrekullueshme që kishin në shtëpi. Shkuam në verandë dhe nisëm të këndonim dhe të kujtonim këngët më të bukura shqiptare. U kënaqëm pamasë dhe u larguam me impresionet më të mira. Tashmë unë komunikoj pothuajse çdo ditë me znj.Vaçe dhe me familjen e saj. Më kanë thënë se herën tjetër duhet të qëndroj më shumë tek shtëpia e tyre dhe t’ju them të drejtën, u ndjeva mirë që më mirëpritën me aq dashamirësi. Unë mund të them me plot gojë se unë dhe Eni kemi marrë tashmë bekimin e zonjës Vaçe Zela! Flasim pak për projektet e tua. Aktualisht je me xhirime. Për çfarë klipi bëhet fjalë? Po, sapo përfunduan xhirimet. Në fakt, pas bashkëpunimit me Stinen, pyetjet që kanë vijuar nga media dhe nga dashamirës kanë qenë: Greta, me kë do të jetë bashkëpunimi që do të kesh në të ardhmen? Unë jam përgjigjur se kam realizuar shumë bashkëpunime dhe gjithashtu kam thënë se nëse do të më shihni me një bashkëpunim, ai do të jetë tashmë me motrën time, Enin. Kjo do të thotë se kënga e radhës do të jetë një bashkëpunim me motrën time. Kënga është R’n’B, ritmike, verore dhe ajo që është më e rëndësishme, është një këngë që i kushtohet fansave. Më mirë të mos flas shumë. Të presim edhe pak, në mënyrë që publiku ta shohë dhe të japë vlerësimin. Veç kësaj, ka ndonjë surprizë tjetër për sezonin e verës? Surpriza për të gjithë besoj është bashkëpunimi me Enin. Besoj disi i papritur për publikun, por të jeni të sigurt që do të jetë një surprizë vërtet e bukur! Cila është dëshira që do doje të realizoje shpejt? Gjërat po më shkojnë mirë. Jam e kënaqur, por sigurisht kam shumë synime për t’i realizuar. Asnjëherë s’duhet të mjaftohemi me pak. E mira nuk ka fund. Por, gjithsesi, unë mendoj se e rëndësishme është të kemi shëndetin mbi të gjitha. Ju do të jeni të informuar për çdo gjë të re nga unë dhe nga Eni, por jo me shpejtësi, sepse punët e mira nuk mund t’i bësh dot shpejt e shpejt. Kështu që, gradualisht do t’juzbuloj të rejat e tjera!
Burimi: Revista Bluetooth



