Milionat e sheikeve joshin Ivankovicin
Oferta nga Irani, Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të marra së fundmi, duket se kanë joshur Branko Ivankoviçin, kandidatin më të fortë për të marrë pankinën e Kombëtares së Shqipërisë. Ky fakt ka ndikuar edhe në vonesën e përgjigjes përfundimtare të tij për FSHF-në, duke i lidhur kështu duart kësaj të fundit, që e pret prej rreth një jave.
“Kam qenë në Maqedoni dhe në Shqipëri, ku kam folur me presidentët e federatave përkatëse në Shkup dhe në Tiranë. Ato ishin shumë të qarta në atë që kërkonin, më kanë prezantuar projektet për Kombëtaret e tyre dhe më kanë bërë të njohur dëshirën për të marrë pjesë në një kompeticion ndërkombëtar. Të dyja ofertat janë shumë interesante”, tha Ivankoviç, i cili ka marrë edhe oferta të tjera. Me tej, ai shtoi se “këto ditë, kanë qenë të shumta spekulimet, sipas të cilave unë kam refuzuar një ofertë prej 300 mijë eurosh nga Shqipëria, por kjo nuk është e vërtetë, pasi ende nuk kam vendosur”. Ivankoviç sqaroi dje edhe detaje të kohës së qëndrimit të tij në kryeqytetin tonë. “Përpara se të bisedoja me drejtuesit shqiptarë, ndoqa në stadium një ndeshje të Kupës së Shqipërisë, mes dy skuadrave më të mira të këtij vendi, Tirana-Vllaznia. Ata zhvilluan një lojë të bukur, por nuk ishin në nivelet e Dinamo Zagrebit apo Hajdukut”.
Të mërkurën do të kenë një mbledhje të bordit drejtues të Federatës Maqedonase, ku do të vendoset se cila do të jetë rruga që do të zgjedhin për Kombëtaren. Prioriteti i tyre është trajner i huaj. Por Ivankoviç po mendohet për të bërë zgjedhjen e duhur, të cilën beson se do ta bëjë publike deri në mes të muajit maj. Beson se deri në mesin e majit do të ketë zgjedhur. “Natyrisht që koha nuk pret, shton Ivankoviç. Zgjedhja për momentin rezulton shumë delikate, por besoj se do të vendos deri në mes të majit”.
Siç ka theksuar edhe në ditët e kaluara, dëshira kryesore e Ivankoviç mbetet drejtimi i një klubi. “Besoj se klubi mund të japë më shumë”, sqaron ai. Përveçse nga Shqipëria e Maqedonia, por edhe nga disa klube gjermane, ruse apo greke, në drejtim të trajnerit kroat kanë mbërritur oferta edhe nga skuadra të Iranit, Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Madje drejtuesit e këtyre të fundit janë shprehur të gatshëm për ta “mbuluar me ar” Ivankoviçin. Për momentin ai ndihet i joshur nga këto oferta, por ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. “Jam duke marrë në konsideratë të gjitha ofertat, pasi dëshiroj të marr vendimin më të mirë, për të cilin të mos pendohem më pas. Por do të vendos në ditët e ardhshme”.
Shqipëria ka ngelur kështu peng e Ivankoviç. Shefi i zyrës së shtypit në FSHF, Tritan Kokona, thekson se vetëm pas finales së Kupës mund të ketë të reja rreth trajnerit të ri të kuqezinjve. Burime pranë Komitetit Ekzekutiv pohojnë se sot ose nesër pritet të ketë një mbledhje të anëtarëve të këtij komiteti, i cili do të përzgjedhë emrin e teknikut. Kandidat i fortë është edhe Josip Kuzhe, i rekomanduar nga Oto Bariç.
Burimi: Gazeta Shqip



