Mes brezit te internetit, telefonit dhe televizionit
Fjala “kafe” duket se i tërheq shumë të rinjtë. Madje të gjitha aktivitetet që kanë një emërues të tillë tërheqin shumë e më shumë adoleshentë, duke i ftuar të kalojnë kohën çdo ditë për t‘u njohur dhe për t‘i kushtuar vëmendje shpikjes së fundit…
Pas “kulturo-kafesë”, në vend të dytë sot qëndrojnë internet-kafetë. Këto dy vende janë më të preferuarit për adoleshentët, të rinjtë. Vala e internetit e ofertave të kësaj industrie, të rejave që sjell, i bën për vete, madje i mban “peng” çdo ditë e më shumë. Ashtu si baret, kafetë, klubet, po shtohen me shpejtësi edhe internet-kafetë. Sipas drejtuesve të këtyre qendrave ku ofrohet botë virtuale, të rinjtë qëndrojnë nga një orë e gjysmë deri në dy apo tri orë, në varësi edhe të parave që kanë me vete. Në këto ambiente gjendet muzikë, shoqëri, ngjyra dhe mbi të gjitha “ushqimet” shpirtërore më të ndjekura dhe më të dashura:
chat, lojëra virtuale, shifra parash me vlera marramendëse, të gjitha virtuale, faqe interneti ku mund të njohësh shok/shoqe, ku mund të marrësh informacione, të shohësh foto të djemve apo të vajzave më të bukura të shkollës. Chat me shokët, lojëra nga më të ndryshmet, madje edhe poker, të gjitha mund t‘i luash, pa shpenzuar paratë që ke në xhep, thjesht duke paguar në fund faturën e minutave që ke qëndruar në internet.
Internet-kafetë
Çmimet për një orë në internet-kafe nisin nga 60 lekë të reja deri në 100 lekë. Kjo në varësi të zonës ku ndodhet ambienti që ofron internet. Këto qendra janë të hapura duke nisur nga paraditja deri në orët e vona të mbrëmjes. Madje ka nga ato qendra interneti që qëndrojnë deri në orët e para të mëngjesit.
Brezi që i frekuentojnë mw shumw kwto mjedise, janë kryesisht mosha të reja, adoleshentë, studentë. Pak prej tyre janë moshë e madhe, veç rasteve kur prindërit shqiptarë flasin me fëmijët të cilët ndodhen jashtë vendit. Kjo, për të folur më gjatë dhe për të mos konsumuar aq shumë para sa duhet për të folur me telefon.
Ata që e teprojnë me internetin janë të rinjtë, të cilët nuk mund të qëndrojnë asnjë ditë pa luajtur me lojërat e internetit. “Të behët sëmundje, nuk mund t‘i rezistosh dot, zakonisht pasditeve vijmë në qendër interneti për të hapur faqet kryesore, për të komunikuar në chat dhe më shumë për të luajtur. Kemi lekë plot, në internet është si të kesh një jetë të dytë”, thotë Fatjoni, një gjimnazist. Ai, duke pasur shtëpinë afër qendrës, mund t‘ia lejojë vetes të qëndrojnë në internet edhe në orët pak të vona, sidomos në fundjavë.
Mësimet
Pjesa më e madhe e prindërve e dinë që shkojnë në kafe, që mund të pinë duhan, që fëmijët e tyre rrinë në internet duke luajtur. Po jo të gjithë prindërit arrijnë të kuptojnë avantazhet dhe dizavantazhet e internetit, botën virtuale dhe problemet që krijohen në formimin e kulturës së përgjithshme te fëmijët e tyre, si pasojë e orëve të hedhura poshtë me poker, chat apo “Facebook”. “Interneti është një botë e tërë, të rinjtë sot kanë mundësi të marrin informacion më shpejt, në një kohë të shkurtër dhe të përzgjedhin mes tyre. Rëndësi ka që të mos lënë pas dore mësimet, studimin, që ta përdorin internetin si ndihmë. Nuk duhet humbur kohë e gjatë me argëtime, të cilat shërbejnë thjesht për të mbushur kohën dhe nuk kanë asnjë benefit”, shprehet mësuesja e gjimnazit “Andon Zako Çajupi”, Ina Kasimati. Sipas saj, brezat e rinj po rriten mes internetit, telefonit, televizionit dhe një bote të zhvilluar të komunikimit. Sakaq, koha jo e kufizuar në internet, përballë ekranit të televizionit apo orët e çuara dëm me chat, komunikim virtual apo këmbimi i kohës së detyrave me shkrime komentesh on line janë faktori kryesor i krijimit të vakumeve, boshllëqeve dhe mungesës së formimit të përgjithshëm te moshat e reja.
Përdoruesit
Rreth 18 për qind e shqiptarëve përdorin internetin. Bëhet fjalë për ata që e kanë të instaluar në shtëpi, në ambientet e punës, apo kontrollojnë postën elektronike të paktën një herë në ditë. Shifrat u bënë publike pak kohë më parë nga Indeksi Botëror i Zhvillimit Teknologjik. Sipas këtij indeksi, Shqipëria ka 18.5 për qind të popullatës lundruese në internet, kjo sipas të dhënave të vitit 2007, kurse pesë vite më parë kishte vetëm 0.34 për qind të popullatës. Rreth 9.5 për qind e familjeve shqiptare kanë nga një kompjuter, ndërsa 75 për qind e popullatës zotëron një celular. Ekspertët thonë se shqiptarët janë më së shumti thjesht konsumatorë në botën e internetit. Faqet që publikojnë rezultatet e basteve sportive konkurrojnë për nga numri i vizitorëve faqet e postës elektronike.
Një modë e re që është bërë pjesë e tregut kohët e fundit është edhe marrja e linjës së banorëve të lagjeve nga qendrat e internetit, pranë shtëpive të tyre. Kjo në këmbim të një pagese të vendosur sipas një marrëveshjeje jozyrtare mes të dyja palëve, dhënësi dhe marrësi. Sipas deklaratave të kryera vitet e fundit, interneti pritet të instalohet në të gjitha shkollat e vendit, në Veri, Jug, qytet dhe fshat.
Televizioni
Shëndeti Publik: Të rinjtë
rrinë 3-5 orë para ekranit
Një tjetër problem i të rinjve sot, nxënësve, adoleshentëve mbetet edhe shikimi i tepruar i emisioneve televizive, duke sjellë vakume dhe boshllëqe në formimin e tyre të përgjithshëm si dhe duke lënë pas botën e librave, studimit apo angazhimit me aktivitet sportiv. Sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik, të rinjtë qëndrojnë përpara televizorit më shumë se tri orë në ditë. Sipas anketave të plotësuara nga vetë të rinjtë, 50 për qind e tyre kanë pohuar se shohin televizor tre ose më shumë orë në ditë. 11% e tyre qëndrojnë para televizionit më shumë se pesë orë në ditë. Kjo kohë tregon se studimit dhe sportit nuk i kushtohet shumë rëndësi. Emisionet më të ndjekura janë ato me në qendër të rinjtë, filmat, si dhe garat me makina, emisione për teknologjinë e fundit, për pajisje apo transmetime ku në qendër janë futbollistët, personat e famshëm apo modë…
Kinemaja nuk është shumë e frekuentuar nga të rinjtë, pasi shpenzimet që duhen për një aktivitet të tillë mund të përdoren për të kryer aktivitete të tjera me “përfitime” më të mëdha. Këtu rendisim internetin, bastet sportive, apo edhe shikimin e ndeshjeve me një pije freskuese apo jo dhe shumë “freskuese”.
Burimi: Gazeta Shqip


(3 vota)
