Johnny Depp behet Dillinger
Aktori jeton me familjen në një ishull të Tailandës, që është pronë e tij. “Parisi po bëhej shumë i zhurmshëm. Ishulli më jep qetësinë për të cilën kisha nevojë”.
Johnny Depp në rolin e John Dillinger, gangsteri më i famshëm i Amerikës, ndoshta banditi i parë i shekullit njëzet (bëri bujë në vitet ‘30 gjatë Depresionit të Madh), që duke kryer rrëmbime spektakolare, u shndërrua në një lloj heroi popullor.
Regjisori Michael Mann ka zgjedhur aktorin Johnny Depp për të qenë protagonist i “Public Enemies” (filmi do të shfaqet në kinematë amerikane më 1 korrik). Për shumë kritikë gjeniu është novatori i trillerit bashkëkohor. Përkrah Johnny Depp interpreton edhe Christian Bale, “Batman”-i i ri (tani te “Terminator Salvation”), në rolin e agjentit të FBI-së Melvin Purvis, i cili përpiqet të kapë Dillinger. Filmi nuk është vetëm biografia e një banditi, por edhe historia e kapjes së një njeriu të rrezikshëm. Ja si shprehet Depp në lidhje me filmin.
Dillinger ishte personi më i kërkuar nga FBI-ja dhe në të njëjtën kohë një figurë shumë e dashur për njerëzit. Ç‘mund të thoni për këtë?
Më ka pëlqyer që kur isha fëmijë. E adhuroja ashtu si Charlie Chaplin apo Buster Keaton. Ndoshta ka ndikuar edhe në edukimin tim. Gjyshi im ishte kontrabandist në Kentucky dhe kumbari im, një xhambaz i vërtetë, i cili përfundoi për një periudhë kohe në burg. Duhet të ketë diçka në ADN-në time që më lidh me Dillinger.
Si punuat për ta interpretuar?
Regjisori Michael Mann na dha të gjitha gjërat për të cilat një artist ka nevojë. Rindërtimin e detajuar të ngjarjes mbi vdekjen e Dillinger në Çikago më 1934-ën. Rrëmbimet në ‘33-‘34 në Indiana e Ohajo. Kam vizituar burgun nga ku u arratis dhe zbulova atë që bëri ekzaktësisht, si shpëtoi dhe makinën që vodhi. Mora në muzeun “Dillinger” çantën që e kishte në dorë gjatë momentit të vrasjes, këmishën dhe pantallonat. Për gjithçka i detyrohem regjisorit Mann, manisë së tij për kapur çdo detaj të rindërtimit të ngjarjes dhe zgjedhjen e vendeve të duhura.
E pëlqeni Dillinger?
Ishte i shkujdesur dhe karizmatik, mundohej të shmangte medoemos dhunën. Vidhte bankat e korruptuara, armiket e vërteta të popullit, i cili jetonte në mjerim. U bë një Robin Hood, një legjendë e gjallë. I donte njerëzit e thjeshtë, i urrente të pasurit dhe autoritarizmin.
Ishte një burrë që nuk binte pre e kompromiseve. Ju jeni i tillë?
Do të më pëlqente, por atëherë ishin kohëra të tjera. Vitet ‘30 u dhanë mundësi burrave të ishin individë autonomë, vlerë e cila sot nuk ekziston.
Si e shpjegoni faktin që publikut i pëlqejnë më shumë personazhet “e këqij” se sa të mirët?
Ndoshta u pëlqen ideja që dalin pa u lagur, që kryejnë një krim dhe nuk dënohen. Pra krim pa ndëshkim. A nuk është një ide që na ekzalton të gjithëve?
Në film keni përkrah Christian Bale. Si ju duket?
Është shumë i zoti në profesionin e tij, një burrë plot energji dhe shumë i vendosur, një baba i mrekullueshëm, me pak fjalë një artist i kompletuar. Më pëlqen.
Dillinger ka thënë: “Nuk pi duhan, konsumoj pak alkool, mania ime është të vjedh banka”. Cili është vesi juaj?
Edhe unë vjedh banka… Bëj shaka. As unë nuk pi më duhan, goxha arritje apo jo? Nuk kam ndonjë ves të keq.
Ju keni dy fëmijë të vegjël. A i shohin filmat tuaj? Për çfarë ju pyesin?
Unë interpretoj shumë prej personazheve të mi para tyre dhe ata më përgjigjen duke më dhënë opinionin e tyre. Vajza, që nuk ka mbushur ende 10 vjeçe, sa herë që punoj për ndonjë film më pyet gjithmonë: “Babi, mendon se mund ta shoh?” Natyrisht që nuk do të mund të shohë “The Libertine”, të paktën derisa të mbushë 16 vjeçe. As filmin që flet për Dillinger nuk do ta shohë, kjo është logjike. Ndërsa djali, Jack, nuk ka shumë kohë që ka parë filmin “Edward Scissor hands” dhe filloi të qante.
Cila është pasuria që dëshironi të lini?
Që fëmijët e mi të jenë të lumtur dhe krenarë për babanë e tyre. Nëse do më pyesni se çfarë pasurie dua t‘i lë botës, po ju them që për momentin nuk më vjen asgjë ndërmend. Jam aktor. Ajo që dua është të lë pas diçka të mirë, për të cilën fëmijët e mi të ndihen krenarë.
Pse vendosët të transferoheshit me gruan dhe fëmijët në një ishull?
Pas xhirimeve të filmit “The Secret Window” morëm disa ditë pushime dhe shkuam në një ishull të Tajlandës. Ishte dashuri me shikim të parë. Nuk mund ta lija ta merrte dikush tjetër, kështu që e bleva menjëherë. Parisi ka filluar të më mërzitet. Jeta në ishull më jep qetësinë për të cilën kisha nevojë. Fatmirësisht nuk ka lodra. Fëmijët e mi kënaqen duke e soditur. Frika ime e vetme është se mos fëmijët e mi zgjedhin të bëhen aktorë.
Burimi: Gazeta Shqip



