Merkel-Obama, “dashuri” ne kohen e krizes
Gjatë vizitës së Kancelares Angela Merkel në Shtëpinë e Bardhë, u duk qartë një element që dominonte çdo pikë të axhendës: spektakli ku spikaste vullneti i të dyve për të ekspozuar miqësinë. Presidenti Barak Obama e ngriti në qiell Kancelaren gjermane, ndërkohë që ajo ia ktheu komplimentet po aq ngrohtë. Politika u la në plan të dytë.
Të dy qëndruan përkrah njëri-tjetrit në podium - Kancelarja dhe Presidenti. Lideri amerikan mbajti fjalën dhe më pas iu përgjigj pyetjeve të një reporteri. Merkel dëgjonte me vëmendje, por kur po i njëjti reporter amerikan i drejtoi një pyetje, Obama e ndërpreu në çast. “Duam të sigurohemi që edhe gazetarët e tjerë të kenë mundësi të bëjnë pyetje”, vërejti Presidenti amerikan, duke e hedhur vështrimin nga vendi ku qenë vendosur gazetarët gjermanë. Kancelarja i dha menjëherë fytyrës një shprehje habie, të përzier me miratim, si të donte t‘u thoshte gazetarëve që e kishin shoqëruar në Amerikë: e shihni çfarë kujdesi tregon për ju vetë Presidenti i Shteteve të Bashkuara!
Ajo skenë i reflektoi më së miri tonet e ngrohta që karakterizuan atë shfaqje të të dy liderëve në sallën lindore të Shtëpisë së Bardhë. Vendimi për ta zhvendosur aty konferencën e shtypit ishte marrë në çastin e fundit, për shkak të të dhënave meteorologjike që flisnin për afrimin e një stuhie. Fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej në Bahçen e Trëndafilave, ku atmosfera festive ishte vlerësuar si gjest mjaft domethënës për vizitoren e rëndësishme nga Gjermania.
Gjithsesi, asnjë kryetar tjetër qeverie nuk ishte shfaqur përkrah Obamës në sallën lindore dhe dukej sikur atmosferën e shkëlqyer nuk mund ta dëmtonte asgjë dhe askush, brenda dhe jashtë dyerve të Shtëpisë së Bardhë. Kësaj here axhenda amerikano-gjermane ishte e qartë deri në detaje: do të ishte një spektakël miqësie. Pas së gjithash, raportet e shkëlqyera mes Obamës e Angela Merkel së fundmi kanë nisur edhe në faqet e para të shtypit amerikan, ashtu siç ndodh prej kohësh në mediat gjermane. Vetëm pak përpara se Kancelarja dhe Presidenti të shfaqeshin në sallën lindore, një reporter televiziv amerikan po fliste drejtpërsëdrejti përpara kamerës mbi dasitë e mundshme mes krerëve të dy shteteve me më shumë peshë në arenën ndërkombëtare.
Gjithsesi, Obama siguroi me shpejtësi se këto dasi të supozuara nuk përfshiheshin në axhendën e vizitës së Merkel në Uashington. Ai e çeli konferencën e shtypit me urimin “Wilkommen” në gjermanisht dhe me shpejtësi zuri në gojë “mençurinë” dhe “sinqeritetin” e numrit një të shtetit gjerman. Gjithashtu zuri në gojë vizitën në kishën Fraunkirshe në Dresden në fillim të qershorit, restaurimi i së cilës i kishte treguar gjithë botës atë që mund të arrihej kur shtete dhe miq punojnë së bashku. “Mikja ime Kancelarja Merkel”, tha Barak Obama kur iu referua për herë të parë Kancelares gjermane. Ndërsa shtoi se Gjermania gëzonte një hapësirë të ngrohtë brenda zemrës së tij, veçanërisht për shkak të pritjes së mrekullueshme që i kishin rezervuar 220 mijë të pranishmit gjatë fjalimit të mbajtur në kryeqytetin gjerman në korrik të vitit 2008, kur ishte ende veç kandidat presidencial. “Çfarë pritjeje e mrekullueshme në Berlin”, vërejti Presidenti amerikan.
“Një det ndryshimesh”
Fakti që Merkel nuk e kishte lejuar Obamën t‘ua drejtonte fjalën berlinezëve nga Porta e Brandenburgut, një vend me domethënie të veçantë simbolike, tashmë dukej se ishte harruar tërësisht. Po kështu kishte ndodhur edhe me faktin që skuadra e Obamës ishte treguar disi arrogante gjatë vizitës së tij në Dresden dhe për shumë orë të gjata kishte refuzuar idenë e vizitës në kishën Fraunkirshe, tashmë edhe ky incident i vogël i përkiste historisë. Atje Presidenti amerikan gjeti me vend të vërente se tani kishte rastin të takohej me shumë liderë botërorë dhe se Merkel “është pikërisht ajo që dikush mund të dëshirojë nga një partner ndërkombëtar”.
Sigurisht, natyra tepër e rezervuar e Kancelares ndoshta nuk e lejoi t‘ia kthente me të njëjtën monedhë. Por edhe ajo nuk i kurseu fjalët e bukura. E falënderoi për mirëpritjen dhe zuri në gojë vizitën e motrës së Obamës në Hidelberg, duke i bërë kështu të qartë se e kishte lexuar librin e tij autobiografik. Kancelarja vazhdoi duke lëvduar progreset amerikane në kuadrin e mbrojtjes së ambientit dhe e mirëpriti faktin që Kongresi po punonte për një kuadër të ri ligjor mbi mbrojtjen e mjedisit. “Ky është një det ndryshimesh”, nënvizoi Merkel, duke treguar se priste shumë vështirësi mbi negociatat në kuadrin e ndryshimeve klimaterike.
Që të dy liderët folën mbi Iranin. Obama i bëri thirrje Teheranit të hynte në rrugën e respektimit të normave ndërkombëtare, ndërsa Merkel nënvizoi sërish vendosmërinë e saj për t‘i gjetur zgjidhje problemit nuklear të këtij shteti, duke vërejtur se tani është më e rëndësishme se kurrë që Irani të mos lejohet të prodhojë e të zotërojë një armë nukleare. Ndërsa shtoi se gjermanët dhe amerikanët kishin ndër mend të punonin krah për krah për të përfshirë Rusinë në negociatat me Iranin. Obama do të niset për në Moskë muajin e ardhshëm dhe pritet që Gjermania të luajë rol të dorës së parë në përmirësimin e marrëdhënieve mes këtyre dy superfuqive.
Çështja që më parë ka shkaktuar acarimin e toneve mes dy liderëve u zu shumë pak në gojë - reagimi ndaj krizës financiare globale dhe skepticizmi gjerman mbi shpenzimet masive shtetërore në SHBA gazetarëve u ishte bërë e qartë që më parë se kjo çështje qe diskutuar në Dresden gjatë vizitës së Obamës.
Dhe kjo bëri që në sallën lindore të mbizotëronte fuqiplotë harmonia. Kancelarja e mohoi supozimin, sipas të cilit ekzistonin diferencime mes saj dhe Presidentit amerikan. Madje e çmoi së tepërmi faktin që Obama ishte tepër i informuar dhe nuk bënte premtime, të cilat nuk mund të përmbusheshin.
Ndërkaq, të premten në mëngjes kryetarja e grupit parlamentar të demokratëve, gjatë një takimi e kishte ftuar Kancelaren gjermane të mbante një fjalim përpara Kongresit Amerikan gjatë vizitës së ardhshme, gjë që konsiderohet nder i veçantë dhe i rezervohet vetëm një numri tepër të kufizuar liderësh botërorë. Ka shumë të ngjarë që kërkesa të jetë aprovuar fillimisht nga skuadra e Obamës. Sigurisht për këtë nuk u caktua asnjë datë, pasi Merkel së pari duhet të rizgjidhet gjatë zgjedhjeve që do të mbahen në Gjermani në muajin shtator.
Burimi: Gazeta Shqip



