Bomba mbi makinat e konsullates shqiptare ne Selanik
Dy automjete të konsullatës shqiptare në Selanik janë hedhur në erë në orët e para të ditës së djeshme, si pasojë e vendosjes së lëndës plasëse, nga persona që sipas policisë greke nuk janë identifikuar ende. Ngjarja ka ndodhur në orën 03:20 në rrugën “Vermiu” pranë kryqëzimit me rrugën “Agrafon”, ku ndodhet Konsullata Shqiptare në Selanik, të Greqisë. Në rrethana ende të paqarta, dy makinat që gjendeshin në vendparkimin e konsullatës shqiptare u përfshinë nga flakët që erdhën menjëherë pas shpërthimit të njëkohshëm të disa bombave me fuqi të ulët veprimi. Në vendngjarje mbërritën dy automjete dhe gjashtë zjarrfikës të shërbimit zjarrfikës, të cilët bënë të mundur lokalizimin e flakëve vetëm në dy makinat e përfshira nga zjarri, duke shmangur rrezikun e zgjerimit të vatrës së rrezikut. Policia e mbërritur me shpejtësi në vendin e ngjarjes, deklaroi se gjeti shtatë shishe të mbushura me benzinë, të sajuara për të provokuar shpërthime me rreze të shkurtër veprimi. Në total, ishin hedhur përreth makinave, dhjetë të tilla. Lëndë plasëse si këto që u përdorën ndaj makinave të konsullatës shqiptare në Selanik, janë përdorur gjerësisht nga anarkistët në Athinë dhe Selanik, gjatë trazirave që përfshinë vendin fqinjë muajt e kaluar. Mësohet se hetimin e ngjarjes e ka marrë përsipër Shërbimi i Sigurisë së Selanikut dhe Sektori i Antiterrorit, duke mbledhur dëshmi nga personeli i konsullatës dhe banorë të zonës.
Burimi: Gazeta Albania



