Pese nete teater ne skenen e Butrintit antik
Në datat 12-16 korrik do të zhvillohet në amfiteatrin antik të Butrintit festivali ndërkombëtar i teatrove “Butrinti”, i cili këtë vit do të sjellë pesë shfaqje të huaja në skenën shqiptare.
Sa i përket repertorit, sipas organizatorëve mendohet që të jetë antik, klasik dhe modern, ndërkohë që çeljes së festivalit të Butrintit do t’i paraprijë më 11 korrik një mbrëmje festive, gjatë së cilës do të shfaqet edhe një dokumentar mbi përvojën 10-vjeçare të këtij festivali. Muzika e dokumentarit i përket grupit “Imperial Kuintet” nga Korfuzi, në bashkëpunim me kompozitorin shqiptar Vladimir Kotani. Pjesa që do të ngjitet e para në skenën e Butrintit antik vjen nga Leçja e Italisë dhe titullohet “Pasioni i grave trojane”. Kemi të bëjmë me një variant ndryshe të Euripidit, i cili do të çelë dhe edicionin e dhjetë të festivalit të teatrove të ideuar dhe organizuar nga Alfred Bualoti. Shfaqja e ditës së dytë është “Elektra”, një produksion i “Politistiko Somateio Roes” nga Athina. Ndërkaq, regjisori Fadil Hysa dhe trupa e teatrit të Kosovës sjellin “Fedrën” e Rasinit, për të kaluar kështu në mbrëmjen tjetër, ku në skenë do të ngjitet trupa turke me veprën “Dervishi dhe vdekja”, një dramatizim i Nebojsa Bradiç, nën regjinë e Nurullah Tuncer. Shfaqja e fundit, përmban veç aktrimit muzikë dhe kërcim dhe i përket teatrit të të Francës e të Rumanisë që bashkëpunojnë për të realizuar “Hymni i hymneve” me regji të Catalina Buzoianu.
Më parë, në planet e Bualotit ka qenë mes të tjerash dhe një kompani nga Kuvajti, e cila do të sillte kulturën e munguar arabe në skenën shqiptare me shfaqjen “Rikardi III dhe tragjedia arabe”, shkruar për Rikardin III nga një djalosh 40-vjeçar me mbiemrin Albsam. Siç duket, nuk është mundësuar të gjendet kompromisi për shkak se trupa nga Kuvajti ka nisur ndërkohë turnetë në Kinë, ShBA dhe Europë.
Burimi: Gazeta Albania



