Aktualitet Arsimi Big Brother Bota Ekonomi Kulture Kuriozitete Politike Rajoni Shendeti Showbiz Sport Teknologji Video Lajme
Humor Videoklipe Big Brother Albania 3
Chat Njohje Online Degjo Muzike Lojra Barcaleta Tekste Kengesh Shiko Tv Live Degjo Radio Live Poezi Fraza Dashurie
Parashikimi Motit Horoskopi Sot Horoskopi 2010 Kembimi Valutor Receta Gatimi Informatike
Web Messenger Google Shqip Testo Internetin Rezultate Futbolli
Fjale Te Urta Institucione Shteterore Personalitete Shqiptare Gazeta Shqiptare Televizione & Radio Foto nga Shqiperia Agjensi Turistike Hotele
Fjalor Anglisht-Shqip Fjalor Italisht-Shqip Fjalor Shqip-Gjermanisht Fjalor Interneti

Teodor Laco: Ju rrefej amanetin e Viktor Gjikes

2 July 2009 nga admin  
Kategoria:  Kulture

Vleresimi: 12345(0 vota)
(233 shikime)

Sot paradite, në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit pritet të bëhet promovimi i librit me kujtime të regjisorit të madh shqiptar që u nda nga jeta kohët e fundit, Viktor Gjika. Duke parë sëmundjen e tij të pashërueshme, shokët, miqtë, kolegët dhe të afërmit e tij, e nxitën regjisorin Gjika që të shkruante kujtimet për t’ia botuar, gjë të cilën Viktori e bëri me zell por që nuk arriti ta përfundonte përsëgjalli. Ashtu siç tregon dhe miku i tij, redaktori letrar i këtij libri, shkrimtari dhe dramaturgu Teodor Laço, Viktor Gjika i hodhi kujtimet e veta nga fëmijëria e deri në vitin 1991 dhe koha nuk premtoi që ai të shkruante me detaje mbi jetën, punën, kontaktet me njerëzit dhe ndjesitë e përjetimet e gati dy dekadave të tranzicionit. Libri përmban përveç kujtimeve të Gjikës edhe vlerësimet e miqve të tij kineastë e artistë të cilat japin një panoramë më të plotë të dimensioneve të kësaj figure dhe marrëdhënieve profesionale e njerëzore të të ndjerit Viktor Gjika me komunitetin e artistëve.
Ja si do të shprehej mes të tjerash, shkrimtari Teodor Laço, në përcjelljen e vendosur në faqet e para të librit “Viktor Gjika, vit pas viti”: “Mëngjesi i 7 shkurtit ishte i ngrysur, i zymtë. Natën e shkuar kishte rënë shi me erë. Ra zilja e telefonit. Zërin e Floras nuk e njoha menjëherë, si ndodhte zakonisht. Ishte një zë i veshur nga ngashërimi. ‘Todo! Viktori të kërkon pak. Ka një amanet për ty!’ Fjala ‘amanet’ se pse të zgjon asociacionin e një fundi. Të thirrjes së njeriut para se të shuhet kandili i tij. Fjalë që të shkakton dhimbje në çdo rrokje. U nisëm me time shoqe, në një heshtje alarmi. Te trotuari i agjencive të udhëtimit, Mirjana bleu disa karafila të kuq. Tek vija këmbën në shkallaren e parë të pallatit, s’di pse, një nga ato shkrepjet që na vijnë nga pavetëdija, më vuri t’i numëroj deri në katin ku banonin ata të dy. Ishin… 72! Aq shkallë-vite, kishte ngjitur dhe miku im i vyer deri atë ditë. Pastaj vinte…sheshi. Nuk ka supersticione më të çuditshme, sesa ato që të buisin teksa shkon të shohësh njeriun që e do, shtrirë në shtrat, duke pritur çastin e misterit që vjen pas frymës së fundit. Dhe ai e ndiente, e dinte se ky çast po nxitonte drejt tij. E kishte pranuar me një qetësi të rrallë. Trimërisht! Për Krishtilndje, kur bëmë vizitën e fundvitit, ende reshperonte nëpër dhomë, me një gjallëri që s’di ku e gjente, sepse Flora ishte shtruar me krizë në spital. ‘Todo, unë eci tani në një fushë me mina, kam vetëm hallin e Florës!’ E qetësuam sa mundëm të bëhej zap. Pastaj bëra pak humor. Pas kimioterapisë së fundit, flokët po i rriteshin prapë. Dhe për çudi tani dukeshin jo të bardha, por të zeza. Duhej të dukesha i zbehtë, sepse Flora nxitoi të më sillte një gotë raki. U ula te stoli përbri shtratit. Ai dukej i qetë. E vetmja shenjë që e tradhtonte gjendjen, ishte zëri i mekur. Nga dritarja dukej Dajti. Dëbora kishte zbritur poshtë. Ai e donte borën, si edhe unë. Ishim rritur në stanin e saj, në Korçë. ‘E shikon dëborën? Dy filma që kam xhiruar me dëborë, janë për fajin e Vathit dhe tëndin’, nënqeshi. ‘Ca më shumë për fajin tënd që i zgjodhe skenarët’, i thashë. ‘Kam lënë në kompjuter një libër. Janë kujtimet, jeta ime. Arrita deri në vitin ’91. Si duket nuk i llogarita forcat mirë. A do të marrësh përsipër redaktimin e tij?’ më tha.

Dritëro Agolli: “Një regjisor i madh në Shqipërinë e vogël”

Ja si do të shprehej shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, për njohjen e tij me Viktor Gjikën, në faqet e pjesës së dytë të librit “Viktor Gjika, vit pas viti”:
“Ka më shumë se katër dekada që e njoh Viktor Gjikën. Ishte një miqësi e vazhdueshme, sepse ura e saj ka qenë shenjtëria e artit. Në fillim të viteve ’60, Viktor Gjika tërhoqi menjëherë vëmendjen e shkrimtarëve dhe artistëve, gazetarëve dhe kritikëve të artit për frymën e re që po sillte në krijimtarinë e filmave dokumentarë. Unë atëherë isha gazetar dhe lidhesha shumë me këtë gjini, pasi ka diçka të përbashkët me gazetarinë. Dëshiroja të shkruaja ndonjë skenar të kësaj gjinie dhe synoja të lidhesha me Viktor Gjikën, por nuk munda. Ndofta kjo vinte ngaqë ne, fshatarëve të Devollit, qytetarët korçarë na dukeshin pak mendjemëdhenj, aq më shumë kur vinin nga jashtë shtetit. Më vonë, nga viti 1966, kur Viktor Gjika së bashku me Dhimitër Anagnostin bëjnë filmin artistik “Komisari i Dritës”, që ishte arritja më e madhe e kinematografisë sonë të re dhe që tregonte se kjo fushë e artit filloi të dilte nga diletantizmi, u njoha me Viktorin. Dhe shkak u bë reportazhi im për Adem Rekën, që u vra në bigën e portit të Durrësit. Ky reportazh i vitit 1966 i tërhoqi vëmendjen Viktor Gjikës që më propozoi të shkruaja një skenar. Kështu lindi filmi “Horizonte të hapura” që Viktor Gjika i dha një drejtim të papritur, ku heroi dhe ngjarjet nuk himnizoheshin, por zhvilloheshin brenda konflikteve, veçanërisht në luftë me burokracinë dhe mendjemadhësinë. Ky ishte fillimi i një rruge të gjatë bashkëpunimi që vazhdoi me filmat “I teti në bronz” dhe “Njeriu me top”, madje do të thosha edhe me filmin artistik “Yjet e netëve të gjata”, i cili u bazua mbi një reportazh timin, “Nënë Pashakua dhe bijtë e saj”, me skenar të shkruar nga vetë Viktori. Pasionin për të shkruar e kisha shprehur në romane dhe mendoja që në skenarë nuk do të thosha ndonjë gjë të re, ndërsa Viktori i shihte veprat me syrin e kineastit dhe zbulonte elementë të rinj. Kështu, në të gjithë filmat e tij me subjekt nga romanet, ai është zbulues i vërtetë i situatave, i detajeve dhe i karaktereve, duke mos përsëritur në mënyrë skolastike elementët e veprave letrare. Viktor Gjika është një mjeshtër i vërtetë i skalistjes së karaktereve, që mbeten si tipa të veçantë, ku të mençur dhe trima dhe ku tuhafë e të krisur. Duke qenë të tillë, disa sjellje dhe thënie të tyre kujtohen dhe në ditët tona dhe përdoren nga politikanët, gazetarët dhe nga njerëzit e thjeshtë. Fjala vjen, për ndonjë zyrtar që tund zinxhirin e s’bën punë thonë se “Je bërë si Robert Çamçakizi”, ndonjërin me mendime të vjetëruara e thërrasin Plaku Mere, një tjetri zhurmëmadh dhe mburravec ia venë epitetin Sali Protopapa, ose shpesh përdoret shprehja nga filmi “Përballimi”: “Gërmo, Tare gërmo,”, e plot të tjera. Kjo tregon që filmat e Viktor Gjikës mbeten në lëvizje të përhershme dhe u vijnë në ndihmë njerëzve për të njohur edhe realitetin e sotëm. Orët e dikurshme kishin një zemberek që kur dobësohej nuk e shtynin kohën përpara, koha mbetej. Edhe sot, orët, kur u dobësohen bateritë, mbeten. Filmave të Viktor Gjikës as zembereku nuk u dobësohet, as bateria nuk u mbaron. Me këtë dua të them që ngjarjet në këto filma janë gjithmonë në dinamikë. Ky dinamizëm është veti i filmave modernë pas Luftës II Botërore, që kanë luajtur një rol të rëndësishëm edhe në transformimin e prozës, e veçanërisht të romanit. Me veprën e tij, Viktor Gjika mbetet në thesarin e artit të kinematografisë si një diamant që do të shkëlqejë përherë. Brezat e rinj, që do të vijnë në këtë fushë të artit, gjithmonë do t’i drejtohen këtij diamanti.”

Burimi: Gazeta Albania


bookmark



Tags: