Zbardhen pasurite e krereve te Policise
Pavarësisht se kanë shërbyer në polici për një kohë të gjatë duket se fitimet e tyre nuk kanë qenë aq të shumta sa për të vënë pasuri mënjanë. Bëhet fjalë për gjashtë krerët e Policisë së Shtetit, të cilët në deklaratat e tyre të pasurisë tregojnë sesa është pasuria e tyre aktuale dhe si e kanë vënë atë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe pesë zëvendësit e tij janë edhe më të varfër se disa prej vartësve të tyre. Por, duke i krahasuar me njëri-tjetrin, rezulton se Agron Kuliçaj, ish-truproja e Kryeministrit Berisha është më i pasuri mes tyre. Por, nuk mbetet mbrapa as Rasim Borishi, i cili rezulton se në pronësi të tij dhe prindërve ka dy banesa dhe disa llogari bankare. Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, dhe tre zëvendësdrejtorët e tjerë, Ahmet Haxhia, Hamdi Fjora dhe Pëllumb Nako kanë deklaruar më pak pasuri.
Hysni Burgaj
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në deklaratën e tij të pasurisë ka shpjeguar se ka vetëm një apartament në pronësi. Pikërisht në deklaratën e parë, më datë 11 mars të vitit 2005, kur ishte shef poste policie në Qytetin Studenti, ai ka deklaruar se si pasuri të paluajtshme ka një apartament, që e ka përfituar nga privatizimi dhe një automjet “BMW 324″, që e ka blerë 300 mijë lekë. Në atë kohë, të ardhurat e tij ishin 40 mijë e 500 lekë në vit, ndërsa të bashkëshortes, që punon në Gjykatën e Lartë, ishin 35 mijë lekë në vit.
Ndërsa një vit më vonë, pikërisht më 27 mars të vitit 2006, kur ishte emëruar drejtor i Policisë në Kukës, Hysni Burgaj, ka deklaruar të njëjtin apartament, por me ndarje 2+1, rreth 55 metër katrorë dhe një shtesë rreth 32 metra katrorë. Për shtesën, ai shpjegon se është pa hipotekë. Gjithashtu, ai ka deklaruar edhe një garazh, sërish pa hipotekë, rreth 15 metra katrorë, që e ka në pronësi të bashkëshortes në Laprakë. Veç këtyre, në deklaratën e vitit 2006, ai ka shtuar edhe një makinë “BMW 318″, për të cilën shpjegon se e ka blerë që në vitin 1996 me një çmim prej 300 mijë lekësh. Veç tyre, Burgaj ka shtuar si pasuri të paluajtshme edhe një depozitë në një nga bankat. Sipas shpjegimit të tij, ai ka depozituar këto para që në vitet 1997-1998 dhe tashmë depozita ka arritur vlerën 980 mijë lekë. Ai ka përmendur edhe shpërblimet dhe kursimet që për një vit arrijnë një vlerë modeste prej 200 mijë lekësh. Ndërsa në vitin 2007, nga kursimet e një viti më parë, Burgaj ka shtuar në kursimet e tij edhe një vlerë prej 550 mijë lekësh, që sipas shpjegimit, i ka përfituar nga paga e patërhequr. Po nga kursimet ka deklaruar edhe 300 mijë lekë kesh. Në këtë kohë, paga e tij vjetore arrinte në 1 milion e 114 mijë lekë dhe paga e bashkëshortes në 444 mijë lekë. Ndërsa për vitin 2007, siç shpjegon në deklaratën e vitit 2008, ai nuk ka pasur kursime nga të ardhurat e tij që kanë ndryshuar me një nivel të vogël. Por ashtu, edhe gjatë viteve 2008-2009, nuk kanë ndryshuar pasuritë e tij, pavarësisht se të ardhurat kanë ardhur në rritje.
Agron Kuliçaj
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për Hetimin e Krimeve, i cili më parë ka qenë truproja e kreut të PD-së, Kryeministrit aktual, Sali Berisha, duket se është personi më i pasur ndër krerët e policisë. Në deklaratën e tij të pasurisë, kur u emërua drejtor i luftës kundër akteve terroriste dhe krimeve të hapura, Agron Kuliçaj, më 13 dhjetor të vitit 2005 ka deklaruar jo pak në krahasim me kolegët e tij. Në deklaratën e tij, ai numëron një sërë pasurish të paluajtshme. Sipas të dhënave zyrtare nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, ai ka një apartament banimi rreth 105 metra katrorë, pas “Shallvareve”, e blerë që në vitin 1999, me një vlerë prej 42 mijë dollarësh. Ndërsa në bankë ka deklaruar dy llogari, përkatësisht me vlerë 41 mijë euro dhe 22 mijë dollarë. Veç këtyre, ai ka deklaruar një makinë “Mercedes Benz”, të shitur me një vlerë prej tetë mijë eurosh. Gjithashtu, në deklaratën e tij, si pasuri të paluajtshme ka përmendur edhe një apartament 50 metra katrorë, të cilin e kishte marrë nga Ministria e Brendshme, sipas planit për punonjësit e saj dhe e kishte privatizuar në vitin 1995. Këtë apartament e ka shitur në vitin 2000. Në momentin e marrjes së detyrës, Kuliçaj kishte një pagë vjetore prej 972 mijë lekësh, ndërsa nga shpërblimet kishte të ardhura rreth 243 mijë lekë në vit. Ndërsa paga e bashkëshortes, e cila ishte mësuese, arrinte në 247 mijë lekë.
Në vitin 2007, pikërisht më 20 mars, Kuliçaj nuk ka shtuar asgjë për pasuritë e tij të paluajtshme, duke kaluar në nivelin zero edhe kursimet e tij. Ai ka deklaruar pagën e tij që arrinte në 1 milion e 822 mijë lekë në vit, bashkë me shpërblimet, pagën e bashkëshortes në vlerën 299 mijë lekë, si dhe pensionin e nënës, në vlerën 102 mijë lekë. Po ashtu edhe në deklaratën e vitit 2008, Kuliçaj nuk ka pasur asnjë shtesë pasurie të paluajtshme. Ndërsa në vitin 2009, ai ka deklaruar se gjendja e tij ka ndryshuar. Sipas deklaratës së pasurisë, në pasuritë e paluajtshme janë shtuar gjendje kesh, me vlerë 1 milion lekë. Burimi i krijimit ka qenë vendimi i gjyqësor datë 26.01. 2007, në emër të Kade Kuliçajt në shumën 9 milionë e 176 mijë lekë, e përpjesëtuar sipas numrit të përfituesve. Ai ka deklaruar edhe dy llogari bankare në emrat e djemve të tij, me vlerë secila nga 7000 mijë euro.
Burimi: Gazeta Shqip



