Gruevski kunder OSBE-se per gjuhen shqipe
Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, ka kundërshtuar OSBE-në, e cila ka kërkuar që nxënësit shqiptarë duhet të mësojnë gjuhën e tyre amtare në shkollat fillore dhe jo maqedonishten.
Kabineti i Kryeministrit maqedonas, nëpërmjet një komunikate, bëri të ditur se nuk e kanë pranuar letrën e komisarit të lartë të OSBE-së për pakicat nacionale, Knut Volebek, në të cilën rekomandohet tërheqja e vendimit për mësimin e gjuhës maqedonase nga nxënësit shqiptarë. Në komunikatën e qeverisë, theksohet se letrën me përmbajtje të tillë e kanë pranuar zëvendëskryeministrat Abdulaqim Ademi dhe Zoran Naumovski, si dhe ministri i Arsimit, Nikolla Todorov. Mirëpo në mënyrë ekspresive ka ardhur reagimi nga kabineti i zëvendëskryeministrit Ademi, ku është mohuar pranimi i një letre të tillë rekomanduese nga ana e OSBE-së. Nga kabineti i zëvendëskryeministrit Ademi kanë paralajmëruar se do të japin hollësi për të sqaruar situatën përbrenda qeverisë.
Por kabineti i Kryeministrit Gruevski bëri të ditur gjithashtu dje, se në një takim pune të mbajtur në gusht të vitit të kaluar, për të analizuar zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, në praninë e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe të OSBE-së, pikërisht ishte dhënë sugjerimi nga OSBE siç thuhet që të fillohet me mësimin e gjuhës maqedonase nga ana e filloristëve të komuniteteve jomaqedonase. “Mirëpo pas gjashtë muajve, vetëm dy ditë para fillimit të zbatimit të vendimit, morën rekomandimin se duhet të përgatitet terreni dhe se ky projekt është shumë i hershëm për t’u realizuar, edhe pse ishin dhënë sugjerimet paraprake”, theksohet në letrën e Gruevskit. Ndërkaq, ministri i Arsimit, Nikolla Todorov, deklaroi dje sërish se nuk do të heqë dorë nga vendimi qeveritar, që nxënësit shqiptarë të mësojnë maqedonishten nga klasa e parë. Todorov theksoi se do t’i bindë ata të cilët nuk e zbatojnë vendimin dhe tha se ky vendim është në dobi të të gjithë qytetarëve të vendit. “Planifikoj që këtë vendim të mos e realizoj me zbatimin e masave radikale. Nuk planifikoj të heq dorë nga ky vendim. Planifikoj t’i bind të gjithë ata që duhet ta zbatojnë, se zbatimi i këtij vendimi është në dobi të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Maqedoni dhe është në funksion të integrimit të plotë të shoqërisë maqedonase, në pajtim me përvojat bashkëkohore demokratike”, theksoi Dimitrov. Ai tha se përmes një debati me ekspertët do të mundohet të vërtetojë dhe dëshmojë se vendimi është i drejtë dhe ligjor. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) ka tërhequr kërkesën që gjuha maqedonase për nxënësit shqiptarë të mësohet nga klasa e parë. Komisari i lartë për pakica nacionale, Knut Volebek, në një letër dërguar Kryeministrit Gruevski, i tërheq vëmendjen se nëse shpejton me zbatimin e vendimit qeveritar, mund të shkaktojë pakënaqësi. Volebek ia ka shprehur shqetësimin e tij Gruevskit në letrën dërguar më 18 janar, dy ditë para se vendimi hyjë në fuqi.
“Zbatimi i strategjisë së OSBE-së i ashtuquajtur ‘Hapa drejt integrimit të sistemit arsimor’ është çështje shumë e ndjeshme dhe kërkon përgatitje të shumta”, porosit Volebek.
Burimi: Gazeta Shqip



