Besim Karaj ekzekutoi ne mes te fshatit tre vellezerit
Rreth 10 ditë më parë, 45-vjeçari Besim Karaj ekzekutoi tre vëllezërit Mulliri në mes të fshatit Vidohovë, të Devollit. Xhiljan dhe Taulant Mulliri kanë mbetur të vdekur në vend, ndërsa vëllai i vogël Edlevani vdiq disa orë më parë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Konfliktet mes tre vëllezërve Mulliri dhe 45-vjeçarit nga Thumana, dhëndër në fshatin Vidohovë, kishin kohë që ishin ndezur. Gjithçka nisi kur Besimi mësoi lidhjen e gruas së tij 33-vjeçare me Taulant Mullirin, njërin prej viktimave. Sipas banorëve të fshatit, historia e tyre ishte shumë e njohur. Besimi e kishte kapur çiftin në flagrancë në shtëpinë e tij tre muaj më parë. Por ndonëse ai e fali të shoqen për tradhtinë, nuk përtypi dot faktin që e shoqja ishte shtatzënë. Ai dyshonte se babai i foshnjës që bashkëshortja kishte në bark të ishte i dashuri i saj, Taulanti. Gruaja e dështoi fëmijën, por debatet mes Besimit dhe Taulantit zgjatën disa muaj. Derisa pak pas mesditës të 29 janarit, Besim Karaj ekzekutoi tre vëllezërit Mulliri në mes të fshatit Vidohovë. Më pas ai u arratis nga fshati dhe mundi t’i fshihej policisë për tri ditë. Kërkimet për gjetjen e tij u shtrinë deri në tokën greke, por 45-vjeçari Karaj mundi t’i shpëtonte policisë dhe të shkonte në shtëpinë e vëllait të tij në fshatin Thumanë, ku dhe më pas iu dorëzua uniformave blu.
Burimi: Gazeta Shqip



