Kerkon per eshtrat e babait, zbulon varrin masiv te komunizmit

Ndërsa ekskavatori hoqi kovën e parë me dhé në shtegun e ngushtë të një lugine të rrethuar nga pishat dhe barakat ushtarake në rrëzë të malit të Dajtit, mbetjet e para njerëzore u zbuluan në një varr të cekët. Peliçja e të burgosurit tregonte se viktima qe ekzekutuar në dimër. Nga dhëmbët dhe kafka dukej se qe ekzekutuar në moshë të re. U gjet nën një monopat, ku duhej të kenë kaluar qindra njerëz, përfshirë edhe ata që nuk u kthyen më. Agroni, një tregtar i vogël që ka njëzet vjet që kërkon eshtrat e të atit të ekzekutuar nga regjimi komunist, e dinte se shumë të tjerë gjenden në nëntokë.
“Skeleti i dytë që zbuluam ishte dy metra më tutje. E pastaj doli një i tretë, që ka shumë gjasa të jetë rivarrosur, sepse kockat që gjetëm qenë të tretura dhe të futura në një qese plastmasi, ku gjendeshin edhe disa sende personale, si proteza e një orë xhepi”, thotë ai. “Pastaj disa që qenë varrosur në një vend”.
Në tetor-nëntorin e vitit 2009, Agroni gërmoi pranë një baze ushtarake të njohur si reparti 313 pranë fshatit Linzë në Dajt, ku zbuloi mbetjet e nëntëmbëdhjetë njerëzve.
Shqipëria është vendi i fundit në Europën Lindore që nuk i ka hapur ende arkivat e shërbimit sekret të kohës së komunizmit. Për pasojë, të dhëna të sakta mbi të burgosurit politik të vrarë nga regjimi nuk janë përpiluar ende.
Shoqatat e ish të burgosurve politikë besojnë se 5577 burra dhe 450 gra u ekzekutuan gjatë regjimit komunist nga viti 1946 deri në vitin 1991. Dy dekada pas rënies së komunizmit, mijëra familjarë të të burgosurve politikë të ekzekutuar si Agroni, ende po kërkojnë se ku prehen të afërmit e tyre.
Një debat vijon prej shumë vitesh nëse duhet apo jo të hapen arkivat e shërbimeve sekrete. Ndërkohë, autoritetet shtetërore nuk kanë bërë asgjë për të ndihmuar familjarët e viktimave të gjejnë eshtrat e të ekzekutuarve.
Shumë ish të burgosur politikë dhe familjarë të viktimave besojnë se bashkëfajësia e elitës politike dhe intelektuale të ditëve tona dhe ish-udhëheqësisë komuniste do të thotë se vështirë se do të ketë ndonjëherë një proces të pavarur për të hedhur dritë mbi krimet e një prej diktaturave më brutale në botë.
Zëri i babait
Agroni filloi të kërkojë për eshtrat e të atit më 1994-n, kur ishte një student në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës. I ati u ekzekutua në vitin 1976, pasi regjimi e akuzoi atë se ishte pjesë e një komploti sabotatorësh e spiunësh sovjetikë në industri, si dhe se kishte synuar të rrëzonte regjimin përmes propagandës kundër qeverisë.
Agroni shkoi shumë herë te Ministria e Brendshme, ku qe krijuar një zyrë që trajtonte kërkesat e familjarëve të viktimave për kthimin e eshtrave të të ekzekutuarve.
“Shpresoja se përkundrejt një ryshfeti të vogël, apo për shkak të dhembshurisë, dikush do të më jepte dokumente për të më treguar se ku gjendej varri”, rikujton Agroni.
“Prisja me orë të tëra për një përgjigje, por më thoshin po të njëjtën gjë: nuk ekzistojnë dokumente”.
Pavarësisht indiferencës së qeverisë, Agroni nuk u dorëzua. Përgjatë shumë vitesh krijoi lidhje me zyrtarë të ndryshëm dhe me ish-oficerë të shërbimit sekret, deri sa zbuloi emrat e një pjese të madhe të togës së shoqërimit, forcës policore që e kishin dërguar të atin drejt vendit të groposjes. Urdhri i ekzekutimit ishte firmosur nga ministri i kohës, Kadri Hazbiu, i cili disa vite më vonë u bë pjesë e procesionit që kishin pësuar viktimat e tij. Përmes kërkimeve dhe intervistave, Agroni shtiu në dorë procesverbalin e ekzekutimit të të atit. Aty kishte katër emra: i pari qe mjeku ligjor që nuk kishte marrë pjesë në ekzekutim, por kishte firmosur dokumentet. I dyti ishte prokurori, i treti qe kryetari i grupit hetimor dhe i katërti ishte drejtor i Sigurimit të Shtetit, i cili më vonë u internua si pjesë e grupit armiqësor të Kadri Hazbiut. Dy prej tyre kishin vdekur.
Një nga personat që erdhën të më tregonin vendin e groposjes, qe njeriu që kishte tërhequr këmbëzën, nga të paktit të mbetur gjallë. Pranoi të takohej me Agronin vetëm pasi ish-shefi i tij e bindi.
Agroni rikujton rrethanat acaruese të takimit me njeriun që i kishte vrarë të atin. “Ishte rreth të tetëdhjetave, i veshur me kostum”, thotë ai. “Më tha se e mbante mend turbullt se ku e kishin groposur babanë tim”. Agroni zbuloi më vonë se ekzekutuesi i të atit kishte qenë një person të cilit i pëlqente të gjymtonte me lopatë të mjerit duke i shtyrë në gropë”.
Më në fund, disa vite më parë, Agroni arriti të shtijë në dorë rreth 20 volume dokumentesh të konsideruara sekret, të cilat qenë dosja e të atit. Përveç dokumenteve, dosja mbante kasetat e regjistrimit të gjyqit, si edhe kasetat e regjistrimit, gjithsej pesëmbëdhjetë, ku ishte i regjistruar edhe përgjimi në qeli gjatë kohës që gjendej nën hetime. Te shiriti numër 4 ai dëgjoi për herë të parë zërin e të atit. “Im atë u deklarua i pafajshëm para gjykatës për akuzat për tradhti ndaj atdheut”, thotë Agroni. “Refuzoi të bashkëpunonte me Sigurimin për të shpëtuar jetën e vet. Ndoshta kjo ishte arsyeja se pse e vranë”.
Heshtje kolektive
Megjithëse Parlamenti i Shqipërisë miratoi vitin e kaluar një ligj që synon të ndalojë ish-zyrtarët e lartë të komunizmit, si edhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, kritikët thonë se ai ligj, përveç faktit që nuk i hapte dosjet për publikun e gjerë, u hartua qëllimisht keq, në mënyrë që të dështonte në Gjykatën Kushtetuese.
Ligji vetëm sa hapi një valë të re akuzash, kundërakuzash dhe thashethemesh, se kush nga politikanët e sotëm ka qenë spiun e kush jo, por nuk solli asgjë me vlerë në zbulimin e së vërtetës mbi të shkuarën.
Një ligj tjetër i ngjashëm i miratuar në vitin 1995, u konsiderua gjithashtu i pavlerë dhe u hodh poshtë. Gjykata Kushtetuese e anuloi ligjin e fundit të lustracionit vitin e kaluar. Pavarësisht kësaj, asnjë deputet i Parlamentit të Shqipërisë, përfshi edhe disa deputetë që kanë qenë të burgosur politikë, nuk propozoi kurrë një ligj për t’i ngarkuar qeverisë detyrën e gjetjes dhe identifikimit të eshtrave të të pushkatuarve.
Ligji i fundit i lustracionit, i hartuar nga qeveria e djathtë e Kryeministrit Sali Berisha, ka marrë edhe kritika nga Këshilli i Europës, i cili e konsideroi atë si jashtë standardeve.
“Jo vetëm që ka pasur mungesë vullneti për të hapur arkivat, por ka pasur edhe vullnet për t’i manipuluar ato”, thotë shkrimtari Fatos Lubonja, ish i burgosur politik “Kjo ka ardhur për arsye se elita e sotme politike dhe intelektuale është skllave e të shkuarës së vet”, thotë ai. “Një pjesë e elitës kanë qenë informatorë, ndërsa një pjesë tjetër i shërbyen regjimit në shumë mënyra, gjë që ka krijuar një lloj solidariteti mes tyre mbi këtë çështje”
Përveç të shkuarës së elitës së sotme, arkivat ruajnë edhe sekretin e vendvarrosjes së viktimave të komunizmit.
Varre të cekëta, plagë të thella
Megjithëse Agroni ia doli të marrë një numër të madh dokumentesh të konsideruara si sekret dhe që lidheshin me gjyqin e të atit e që qenë përgatitur nga Sigurimi, ato dokumente nuk i dhanë mundësi të zbulonte se ku ishte varrosur i ati. Dëshmitarët nga grupi i shoqërimit i patën treguar se mund të qe varrosur në një vend të quajtur “Përroi i Peshkut” pranë Shishtufinës, por ai nuk qe i bindur. Pasi kërkoi fillimisht te “Përroi i Peshkut”, Agroni zbuloi se shumë njerëz të tjerë bënin të njëjtën gjë, kërkonin eshtrat e familjarëve të tyre. Ndërsa fjala për kërkimet përhapej, një ish-sigurims u tha disa emra të oficerëve të Sigurimit që patën punuar në vite në zonën ku ishte groposur i ati.
Pasi kontaktoi me njërin prej tyre, Agroni bëri një zbulim të madh kur mësoi emrin e komandantit të togës së shoqërimit, që e patën dërguar të atin në udhëtimin e fundit. “Megjithëse në fillim qe i frikësuar, ai më tregoi se e mbante mend rastin e babait tim dhe në fund pranoi të më ndihmonte të gjenim varrin”, kujton Agroni.
Kështu u mësua se njerëzit e angazhuar në ekzekutim ishin rreth 40 vetë, disa kishin rrethuar zonën dhe disa të tjerë kishin hapur gropën. Ish-komandanti i tha atij se gropa qe hapur në mesditë ndërsa ekzekutimi qe kryer pas mesnatës. Pasi verifikoi këto detaje, Agroni i zhvendosi operacionet e kërkimit nga Shishtufina për në grumbullin e vogël të barakave në Repartin 313. Mbi barakat e dërrasës sot kalon teleferiku i Dajtit. Me ndihmën e ish-komandantit të Grupit të Shoqërimit, si dhe me ndihmën e një anëtari të saj, në tetor Agroni filloi gërmimet dhe brenda pak ditës zbuloi mbetjet e nëntëmbëdhjetë njerëzve të varrosur në atë zonë.
Fillimisht mendoi se njëra prej eshtrave qe e të atit dhe e dërgoi në morg për ekzaminim. Për fat të keq, nuk doli kështu. Kur u zbulua një varr tjetër, një prej dëshmitarëve të kohës tha se i përkisnin Dom Shtjefën Kurtit. Komunistët e kanë ekzekutuar priftin 73-vjeçar në vitin 1971, pasi e kishin zbuluar se vijonte të pagëzonte fëmijët në ilegalitet në zonën e Fushë-Kuqes edhe pas mbylljes së dhunshme të kishave në vitin 1967.
Nipi i Dom Kurtit, Nikolini, ka kërkuar prej shumë kohësh eshtrat e axhës në mënyrë që ato të prehen në varrin e caktuar te Katedralja Metropolitane e Tiranës. “Varri i axhës tim në katedrale ka shumë vite që po pret eshtrat”, thotë ai. Eshtrat u dërguan për ekzaminim në Itali së bashku me kampionet e gjakut të pesë anëtarëve të familjes Kurti. Testet e ADN-së rezultuan negative. Dom Kurti është në proces për shpalljen Martir i Kishës.
Ndërsa Agroni po gërmonte në varrin masiv 313, njerëz të tjerë që kishin gërmuar për të afërmit e tyre në atë zonë i treguan historitë e veta. Papritur u kuptua se ekzistenca e atij vendekzekutimi nuk qe e panjohur. Ish-ministra të pas viteve ’90 kanë kërkuar eshtrat e të afërmve të vet, por nuk e kanë vrarë mendjen të kërkojnë edhe për të tjerët.
“Bisedova me njerëzit që kishin kërkuar aty para meje dhe ngushëllova veten me faktin se ata nuk kishin gjetur ndonjë gjë që përputhet me përshkrimin e babait tim”, thotë Agroni. “Por këqyrjet e eshtrave të kryera në atë kohë janë bërë me metoda aspak shkencore dhe kam frikë se ndokush tjetër po qan babanë tim për të vetin”, shton ai.
Agroni vijoi gërmimet e tij jo vetëm përreth barakave, por përgjatë të gjithë luginës e gjeti varre të tjera, të rivarrosur e të paprekur.
Rezultati i deritanishëm e la atë me dy hipoteza shqetësuese. “Ose dikush tjetër po qan mbi varrin e babait tim”, thotë ai, “ose Sigurimi e ka lëvizur atë pas ekzekutimit dhe e ka varrosur diku tjetër”.
Të shtunën eshtrat e zbuluara, të mbledhura në thasë plastikë u dërguan në morgun e Tiranës me shpresë se autoritetet do t’i identifikojnë ato. “Ato eshtra meritojnë një emër”, thotë ai. “Qeveria mund të kryejë ekspertimet e nevojshme dhe të zbulojë se kujt i përkasin”.
Burimi: Gazeta Shqip



