Kontrabanda Shqiperi-Greqi, ndryshon skema e kontrollit
Rastet e fundit për evazion fiskal dhe shenja të pastra kontrabande në doganat mes Shqipërisë dhe Greqisë, kanë detyruar autoritetet e dy vendeve të rishikojnë skemën e kontrollit dhe përcjelljes së informacionit. Takimi i përvitshëm, mbajtur në Tiranë pak ditë më parë, vinte pas hetimit të nisur nga Prokuroria e Janinës për disa doganierë grekë dhe grevës që kishte paralizuar shkëmbimin e mallrave. Burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganës bëjnë me dije se drejtori Endri Pema, i ka kërkuar homologut të tij, Nikolaos Vernadakis, të kalohet te një skemë e re kontrolli dhe kalimi informacioni. Në takim kanë marrë pjesë krerët më të lartë të doganave, të shoqëruar nga përfaqësues të ambasadës greke në Tiranë, të cilët mbikëqyrin aktivitetin ekonomik të vendit. Mësohet se palët kanë falënderuar njëri-tjetrin për bashkëpunimin e ngushtë dhe të sinqertë në të gjitha drejtimet, duke rënë dakord në disa plane.
Në bazë të axhendës që u trajtua në këtë takim, synimi kryesor ishte që ky bashkëpunim të thellohet akoma më tepër, duke përdorur metoda të reja, për të cilat drejtori Pema propozoi konkretisht për shkëmbimin e informacionit në mënyrë elektronike.
“Në këtë mënyrë do të arrihet jo vetëm vërtetimi i fakteve të qarkullimit të mallrave në kohë reale, por ky do të shërbejë edhe si një çelës për shkurtimin e procedurave doganore. Dogana shqiptare i ka të gjitha mundësitë t’i ofrojë këto informacione qoftë në mënyre pre-arrival (para sa të hyjë malli) qoftë nëpërmjet share database (akses në të dhënat mes dy vendeve), duke synuar që të kemi një shkëmbim më të shpejtë të mallrave dhe një zhvillim të analizës së riskut për një lëvizje të sigurt të tyre. Sa i takon palës greke, Vernadakis u shpreh se në një afat të shkurtër do të krijojë mundësinë që të vendosen pikat e kontaktit dhe ekspertet e të dyja palëve të takohen dhe të diskutojnë bazën ligjore dhe mundësinë e kompatibilitetit midis dy sistemeve tona.
Hetimi
Pikë e rëndësishme në takimin e zhvilluar mes krerëve të doganave shqiptare dhe greke ishte hetimi për rastet e kontrabandës. Pala shqiptare i ka kërkuar doganës greke dërgimin e dokumenteve të njehsuara me origjinalin për çështje që janë në hetim. “Mospasja e një dokumenti autentik ose të njehsuar me origjinalin na shkakton mjaft probleme për zgjidhjen e tyre”, mësohet të ketë thënë kreu i doganave shqiptare. Lidhur me këtë çështje pala greke përforcoi angazhimin për t’u përgjigjur brenda dy vjetësh kërkesave për verifikim, duke qenë kështu brenda afatit ligjor prej tre vjetësh. Gjithashtu u miratua vendosja e pikave të kontaktit direkte midis departamentit operativo-hetimor shqiptar dhe divizionit të 33 grek, për një shkëmbim sa më të shpejtë dhe efektiv të informacionit.
Burimi: Gazeta Shqip



