Thaci le mandatin e deputetit
Hashim Thaçi lë mandatin e deputetit për të mbajtur vetëm postin e Kryeministrit. Ditën e djeshme, lideri i partisë në pushtet në Kosovë, që doli fitues në zgjedhjet lokale, ka bërë një gjest të papritur politikisht. Përmes një letre, drejtuar Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kryeministri Hashim Thaçi ka bërë të njohur dorëheqjen e tij nga pozita e deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. “Duke u bazuar në nenin 70, paragrafi 3 (2) të Kushtetutës së Kosovës, si dhe në pikën 5 të rregullit nr. 14 të rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës, ju paraqes dorëheqjen time nga pozita e deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, shkruan në letrën e tij Thaçi, duke shtuar se këtë veprim e ka marrë për shkak të përkushtimit ndaj qeverisë së Republikës së Kosovës që drejton, si dhe të përmbushjes në mënyrë sa më efikase të të gjitha detyrave të tij si Kryeministër. “Një gjë e tillë do ta ndihmonte edhe vetë Kuvendin e Republikës së Kosovës në rritjen e efikasitetit në punë dhe krijimin e mundësisë për në deputet të ri, që do të jenë të përkushtuar vetëm në punët dhe detyrat që përkojnë me funksionin e deputetit”, thuhet në fund të letrës së Kryeministrit Thaçi që i ka dërguar kryeparlamentarit Jakup Krasniqit.
Strategjia
Duke folur në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Kryeministri Thaçi theksoi se “strategjia e qeverisë është në finalizimin e përpilimit dhe kjo do të mundësojë që veriu i Kosovës të kthehet në normalitetin ligjor”. Thaçi theksoi se edhe në veri të Mitrovicës do të mbretërojë rregulli e ligji dhe se do të ndalet korrupsioni, krimi i organizuar dhe format e ndryshme që janë jashtë ligjit të Republikës së Kosovës. Kryeministri deklaroi më pas se ky është projekt integrues për veriun dhe se, sipas tij, është e ftuar edhe opozita që të marrë pjesë në grupet punuese në këtë strategji, e cila është interes shtetëror i Kosovës. Në anën tjetër, sa i përket strategjisë për veriun, ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve B92 se kjo strategji, përveç provokimit të mundshëm për tensione në veri, nuk mund të ketë sukses. Ndërsa analisti amerikan për çështje të Ballkanit, Janush Bugajski, ka thënë se nuk duhet të pritet një zbatim i shpejtë i strategjisë dhe as që ajo të zbatohet me anë të forcës. Bugajski mendon se do të nevojitet shumë bindje, shumë dije dhe shkathtësi, që bashkësia serbe në Kosovë të bindet që është në interes të saj të jetë pjesë e një Kosove që zhvillohet si një shtet normal demokratik. Mirëpo, sipas tij, ky do të jetë një proces i gjatë, në realizimin e të cilit do të ketë mjaft pengesa.
Burimi: Gazeta Shqip



