Pirro Cako i jep fund historise dy-vjecare me Anjen

Një histori që nuk zgjati aq shumë sa pritej. Pirro Çako i ka dhënë fund historisë së tij të dashurisë më Anjën, juristen të cilës i kushtoi këngën me titullin “Anjushka”, duke e bërë publike ndjenjën e tij në festivalin “Kënga Magjike”. Por ka pak kohë që kantautori ka vendosur ta mbyllë përgjithnjë këtë histori, duke e konsideruar një kapitull të mbyllur të jetës së tij. Shkaku i ndarjes nuk ka qenë ndonjë konflikt, por thjesht humbje e interesit të Pirros ndaj Anjës. Ndarja ka rënë sy të miqve të tyre të përbashkët, për faktin se prej shumë javësh ata nuk janë parë më bashkë të frekuentojnë lokalet e natës, ashtu siç bënin gjithmonë. Pirro është parë vetëm në shoqërinë e meshkujve, miqve të tij, dhe po ashtu Anja në shoqërinë e mikeshave të saj, duke mos frekuentuar më të njëjtat lokale, për të shmangur kështu përballjen më njëri-tjetrin. Por kjo shkëputje e Pirros nga Anja mund të jetë bërë nga Pirro për një arsye tjetër. Mesa duket kantautori kërkon të bëjë një rikuperim të martesës së tij me sopranon e njohur Inva Mula, duke tentuar si fillim rikthimin në Paris pranë djalit 15 vjeçar, Anthony. Deri tani divorci i tij me Invën ka qenë ndër më të përfolurit në media. Janë komentuar arsye nga më të ndryshmet, ndërkohë që Pirro ka vendosur të bëjë një rikthim në jetën e tij të dikurshme, duke parë si mundësi ribashkimin me sopranon. Ka nisur kështu me shkëputjen fillimisht nga Anja, vajza me profesionin juriste, historia me të cilën nisi gati dy vite më parë. Edhe pse u mbajt e fshehtë nga të dy, u bë publike për herë të parë nga suplementi “Panorama Plus” janarin e kaluar. Tashmë ai është shkëputur nga ajo, edhe për faktin se nuk është ndarë ende nga sopranoja, dhe sepse ndoshta i ka lindur pak shpresë, që të ribashkohet me Invën. Gjithsesi një nga planet e tij si fillim është të shkojë dhe të qëndrojë pranë Anthony-t në Paris, djalit të tyre.
“Anjushka” dhe lidhja që zgjati dy vite
Më shumë se një vit më parë paparaci ynë e fotografoi kantautorin në shoqërinë e Anjës, në një lokal nate në Tiranë, në një nga daljet e tyre të rralla në publik. Pirro nuk dëshironte të ekspozohej hapur për faktin se nuk ishte ndarë përfundimisht nga Inva, edhe pse ishte larguar nga Parisi dhe secili bënte jetën e vet në mënyrë të pavarur. Por direkt pas publikimit të lidhjes së tij të re në Tiranë edhe pse vazhdonte të ishte i martuar, shkaktoi zemërim tek Inva, e cila menjëherë depozitoi kërkesë padi në Gjykatën e Tiranës, për divorc me Pirron. Zemërimi i saj ishte shtuar dhe për faktin se Pirro i kishte kushtuar një këngë të dashurës së tij me titullin “Anjushka”, me të cilën konkurroi në festivalin “Kënga Magjike”, dhe që kishte si fabul historinë e njohjes së tyre. “Dikush më tha emrin tënd zonjushe, sa pak për ty unë di”, janë dy nga vargjet pikante, që kantautori i njohur i kishte kushtuar Anjës. “Anjushka” nuk kishte qenë një emër artistik apo rastësor, siç kishte pohuar këngëtari, por një dedikim i qartë dashurie dhe përkëdheljeje të emrit Anja, vajza mbi 30 vjeç, me të cilën Pirro u shoqërua për gati dy vite. Po kush është Anja? Ajo nuk ka lidhje me artin, punon në një zyrë juridike dhe administratë publike.
Me këtë këngë ai e këshillonte të ishte e kujdesshme në këtë “botë të turbullt”, madje të kishte kujdes dhe nga ai vetë. Anjushka, vajzë brune me kaçurrela, kishte pranuar që kjo këngë të mbante emrin e saj, si për ta përligjur në njëfarë mënyre lidhjen e tyre. Edhe pse ai e komentoi si një emër artistik, dhe si një dedikim kushtuar vajzave të bukura 17-vjeçare në fakt ky kishte qenë thjesht një truk.
Pirro dhe Inva, ende të martuar
Divorci më i përfolur mes çiftit VIP, Inva Mula e Pirro Çako nuk dihet se sa mund të zgjasë, apo nëse do të ndëpritet në mes. Kjo për faktin se kantautori Pirro Çako, i cili është në pozitën e të paditurit, gjithmonë gjen shkak për ta shtyrë proçesin, duke nxjerrë justifikime të ndryshme. Është komentuar kjo si një lloj “hakmarrjeje” e artistit ndaj padisë që i bëri bashkëshortja Mula, e përfolur në të njëjtën kohë për një lidhje dhe plan të shpejtë martese me biznesmenin kosovar, Et’hem Ramadani vitin e kaluar, por edhe si një dëshirë të Pirros për ribashkim. Ndryshe ka ndodhur me sopranon, e cila edhe pse ka kërkuar shtyrje të gjyqit vetëm për pamundësi për të qenë e pranishme, ka vazhduar t’i qëndrojë besnike vendosmërisë së saj për ndarje, duke mos krijuar asnjë iluzion ribashkimi me kantautorin. Edhe pse dy artistët nuk kanë pranuar të japin komente të mëtejshme thuhet që arsyeja pse Pirro po e shtyn gjyqin sa më shumë të jetë e mundur është se ndoshta shpreson që Inva të ndryshojë mendje. Por ky mund të konsiderohet një opsion ndërkohë që dy problemet kryesore kanë qenë përgjegjësia mbi djalin, si dhe apartamenti i përbashkët që kanë në Paris. Çështja më e diskutuar ka qenë kujdestaria e djalit të tyre 15-vjeçar Anthony, që tashmë jeton me të ëmën në Paris. Edhe atij i duhet të vendosë vetë se me cilin nga prindërit do jetojë, edhe pse dihet që jetën e ka të lidhur me Parisin pasi atje është rritur dhe po shkollohet. Kërkesa civile për divorcin e çiftit të njohur është depozituar në sekretarinë e Gjykatës së Rrethit të Tiranës më datën 1 prill të vitit të kaluar, nga ana e avokatit të sopranos, Petrit Çomo. Gjyqtarja që po shqyrton çështjen është Elona Gjoka.
Deri më sot janë shtyrë shumë seanca. Ajo që duket, është një ndarje me shumë inat dhe mëri. Gjatë kohës që ata nuk e kishin deklaruar ende ndarjen e tyre edhe pse parimisht kishte ndodhur, ata u përpoqën të mos flisnin hapur për të në media, ndërsa të dy kishin krijuar lidhje jashtë kësaj martese. Inva me biznesmenin kosovar, Ramadami dhe Pirro në Tiranë, me vajzën e quajtur Anja. Tashmë që Pirro nuk del më me Anjën, po mendon të largohet për pak kohë në Paris, të qëndrojë pranë djalit, ndoshta një mënyrë kjo për të patur një mundësi riafrimi me Invën. Dëshirën e tij për ribashkim ai e përjetësoi sërish me një këngë, kësaj herë kënduar nga Soni Malaj, me titullin “Zemër e pakurdisur”.
Burimi: Panorama Plus


(4 vota)
