“Elektra”, premiere ne fundjave
“Elektra” e Sofokliut, premiera e parë e Teatrit Kombëtar për këtë sezon, do të shfaqet për publikun kryeqytetas këtë fundjavë. “Elektra”, shkruar nga tragjediani grek, Sofokli, konsiderohet si një nga tragjeditë më të mëdha greke, si një nga kryeveprat e të gjitha kohërave. Ajo vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite një pikë referimi që tërheq vëmendjen dhe grishjen artistike të mjaft krijueseve, kërkuesve, artistëve dhe regjisorëve. Tragjedia, e shqipëruar nga Laert Vasili, ngjitet në skenë nën drejtimin e regjisorit Adonis Filipi. Ngjarjet e Elektrës paraqiten që tek “Odiseja” e Homerit, por historia e saj prezantohet në veprën e tre tragjedianëve të mëdhenj të antikitetit: Eskili, Sofokliu dhe Euripidi. Sofokliu ndjek linjat kryesore të “Koefores” së Eskilit dhe tragjedinë e tij e mbështet në një histori shumë popullore greke: legjenda e Shtëpisë së Atreut. Kjo shtëpi vihet në qendër të vëmendjes me kthimin e mbretit të Mikenës, Agamemnon, nga Lufta e Trojës bashkë me një konkubinë të re në krah, Kasandrën. Në pallatin mbretëror të Mikenës kanë kaluar rreth 20 vjet nga vrasja e Agamemnonit dhe Kasandrës. Vrasja është kryer nga çifti i dashnorëve Klitemnestra (ish-gruaja e Agamnenonit dhe mbreti Egist - kushëri i Agamemnonit). Klitemnestra beson se shkelja e kurorës është e arsyeshme, pasi Agamemnoni kishte sakrifikuar Ifigjenian, vajzën e tyre para luftës. Motra binjake, Elektra, ka shpëtuar të vëllain, Orestin, nga masakra duke e çuar dhe gjetur mbështetje në Fokide. Ky i fundit kthehet bashkë me Piladin, shokun e tij, bir i Strofiusit, një mësues i vjetër besnik i Orestit. Me anë të një intrige ata futen në pallat, vrasin Klitemnestrën dhe Egistin dhe Oresti merr fronin e Mikenës. Elektra interpretohet nga aktorja Luiza Xhuvani, ndërsa Roza Anagnosti shfaqet në rolin e nënës vrastare, Klitemnestrës. Aktorë të tjerë që do të interpretojnë në skenën e Teatrit Kombëtar janë Ahmet Pasha, Vasian Lami, Monika Lubonja, Bujar Asqeriu, Elida Janushi dhe kori. Skenografia e tragjedisë mban firmën e Fatbardh Markut, kostumografi të Bllagoi Nicevskit, ndërsa koreografi të Mirela Nestoras.
Burimi: Gazeta Shqip



