G99, leter KQZ-se: Ristani shkeli ligjin
Partia G99 i dërgoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nominalisht kryetarit Arben Ristani, zëvendëskryetares Dëshira Subashi dhe pesë anëtarëve të tjerë, një shkresë ankimore duke kërkuar pavlefshmërinë absolute të aktit të KQZ-së që rrëzoi kërkesën e G99-s për të marrë një kopje të fletëve të votimit në Qarkun e Beratit dhe atë të Tiranës, të kërkuar në kuadrin e së drejtës për informim për dokumente zyrtare. Refuzimi i kërkesës së G99-s u bë përmes një shkrese të dërguar prej kryetarit të KQZ-së, z. Arben Ristani. G99-a informon anëtarët e KQZ-së dhe opinionin publik se kthimi i përgjigjes prej z. Ristani është kryer në shkelje të ligjit, pasi akti administrativ është nxjerrë në kapërcim të kompetencave që ligji i njeh kryetarit të KQZ-së, ashtu si edhe në kundërshtim me formën dhe procedurën e kërkuar nga ligji dhe konkretisht nga neni 20 i Kodit Zgjedhor.
Sipas nenit 3, paragrafi i dytë i ligjit nr. 8503, përgjigjja për kërkesën e Partisë G99 duhet të ishte kryer prej autoritetit publik që disponon informacionin zyrtar të kërkuar, në këtë rast prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili duhej të ishte shprehur brenda 15 ditësh për kërkesën e G99-s dhe jo vetëm prej kryetarit Ristani. Gjithashtu, akti administrativ objekt i kësaj kërkese është nxjerrë në kundërshtim me formën dhe procedurën e kërkuar nga neni 20 i Kodit Zgjedhor. Sipas nenit 20, pika 3 e Kodit Zgjedhor, specifikon se të gjitha aktet e firmosura nga kryetari i KQZ-së në bazë të shkronjës “b” të pikës 1 të këtij neni nënshkruhen edhe nga zëvendëskryetari, përndryshe janë të pavlefshme. Përgjigjja që ka marrë G99-a është firmosur vetëm prej kryetarit të KQZ-së, pa firmën e zëvendëskryetares, duke e bërë dokumentin absolutisht të pavlefshëm. Sipas G99-s, veprimi i kryetarit të KQZ-së, z. Ristani, është juridikisht i pavlefshëm dhe gjithashtu i politizuar dhe arbitrar. G99-a i ka kërkuar KQZ-së që të mblidhet e të kthejë një përgjigje në përputhje me ligjin sa i përket kërkesës fillestare. Partia G99 përsëri i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një kopje të: procesverbaleve të votimit, tabelave dhe procesverbaleve të numrit të fletëve të votimit dhe të gjitha fletët e votimit për të gjitha kutitë e votimit në ZAZ-të nr. 1, 2, 3 dhe 4 në Qarkun e Beratit, dhe ZAZ-të nr. 45, 46, 47, 48, 49, 50, 51, 52, 53, 54, 55, 56, 57, 58, 59 dhe 60 në Qarkun e Tiranës, si dhe mundësinë që në seancën vlerësuese të KQZ-së t’i lejohej pjesëmarrja si palë e interesuar në proces.
Burimi: Gazeta Shqip



